Vrasja e fshehur nga policia në Shëngjergj, larje hesapesh mes grupeve rivale

0

Policia e Tiranës nuk ka dhënë ende një arsye përse vrasjen me plumb paskokoke të 36 –vjeçarit B.P në Kollogjesh të Shëngjergjit e komunikoi si vetëvrasje. Ajo nuk ka ende një justifikim se përse e fshehu faktin që viktima u gjet në një magazinë të mbushur plot me hashash, duke thënë se ai u gjet në një stan.

Loading...

Burime të Lapsi.al thanë se policia e gjeti viktimën një magazinë me sipërfaqe rreth 200 metër katrorë dhe lartësi 3 metër të mbushur me kanabis të tharë, por nuk e peshoi drogën dhe e dogji menjëherë.

Versioni i vetëvrasjes ka rënë dhe prokuroria po heton për vrasje të lidhur me kultivimin dhe trafikimin e hashashit.

Shëngjergji, sipas raportit të SHISH për drogën, është një ndër zonat me sipërfaqet më të mëdha të kultivuara me kanabis në të gjithë Tiranën dhe pjesën malore që e lidh atë me Matin apo Krujën.

Burime nga prokuroria thanë për Lapsi.al se hetuesit kanë krijuar bindjen se vrasja e 36 –vjeçarit është bërë për larje hesapesh mes disa grupeve rivale që kontrollojnë plantacionet me kanabis në këtë zonë.

B.P dyshohet të jetë vrarë nga rivalët dhe të jetë lënë në magazinën me hashash, me qëllim që policia të zbulojë drogën. Përballë magazinës u gjetën edhe disa parcela të mëdha me mijëra rrënjë kanabis.

Hetuesit përjashtojnë faktin që ai të jetë vrarë nga ndonjë konflikt me bashkëpunëtorët  e tij. “Nëse do të ishte kështu, ata s’do ta kishin lënë trupin e pajetë në magazinën me hashash, duke dekonspiruar veten, por do ta kishin hedhur në ndonjë vend tjetër për të fshehur gjurmët”, sqaroi për Lapsi.al burimi i prokurorisë.

Sipas të njëjtit burim, dyshohet që kanë qenë vrasësit ata që e kanë lajmëruar policinë, me qëllim që të zbulohej magazina e mbushur me kanabis, që përllogaritet të jetë disa ton.

Prokuroria pritet t’i kërkojë policisë së Tiranës arsyen përse hashashi është djegur pa u mbajtur një raport i detajuar.

Pas gjetjes së parcelave me hashah pranë trupit të viktimës, policia nuk ka kryer asnjë kontroll tjetër në zonë në përpjekje për të zbuluar zona të tjera të kultivuara me bimë narkotike.

Drejtues të Policisë së Tiranës dhe të Komisariatit nr. 4 që mbulon Shëngjergjin, pritet të japin shpjegime për këtë.

Loading...

Lini nje pergjigje