Pikante/ Mediat e “oborrit” vs mediat e “kazanit”

0

Viti 2013 në kohën e fushatës së ethshme për zgjedhjet e përgjithshme të tre viteve më parë u qujat edhe si viti i ndryshimit nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe nga  Rilindja.  PS erdhi në pushtet dhe të gjithë  prisnin këto ndryshime. Edhe pse është pritur gjatë ndryshimi nuk ka ardhur dhe bashkë me të ka vdekur edhe shpresa nëse do të vij një ditë. Por për qeverinë rilindase  ndryshimi ka ardhur dhe të gjithë duhet të mësohen.  Kështu nëse do të analizojmë  me kujdes vërejmë se janë ndryshuar disa gjëra. Është ndryshuar qeveria që nga 2013, dhe ky është një ndryshim i madh. Është ndryshuar kryeministri, përsëri është një ndryshim i madh (duhet të shënohet në kalendar si një datë e rëndësishme për kombin).  Por me ndryshimin e kryeministrit është ndryshuar edhe qasja e tij me kritikët.  Në kohën që ishte në opozitë i dukej e drejtë që të sulmonte qeverinë për çdo gjë që mendonte se ishte gabim, ndërsa sot çdo kush që sulmon qeverinë është gabim.

Që nga 2013 kanë kaluar më shumë se tre vite dhe qeveria rilindase ka përdorur  vetëm një përgjigje (që duket si e regjistruar e cila luhet sa herë që dikush pyet): Na lini të punojmë, puna e qeverisë matet në fund të 4 vjeçarit (qeveria duhet të lihet e qetë se nëse i kërkojmë llogari, i krijojmë bëzdisje dhe humbje të vëmëndjes nga punët). Por kur mandatit po i vjen fundit, qeveria ka ndryshuar taktikë në përgjigje, nga një lutje për ta lënë të qetë të punojë,  tani përgjigjia e saj ka kaluar në akuza ndaj atyre që cilësohen si “media kazani”(jo për të gjitha mediat, por vetëm për ato që janë në antagonizëm më të).  Tashmë çdo media që kërkon llogari qevërisë është një media kazani dhe bënë pjesë në frontin e së keqes (normalisht çdo gjë që nuk i pëlqen qeverisë është e keqe). Por çfarë do të thotë kazan dhe për çfarë kuptimi e thotë kryeministrii qeverisë rilindase  për mediat?

Duke gugëlluar për të gjetur  kuptimin e kasaj fjale shumë të lakuar kohët e fundit, sipas fjalorit online të gjuhës Shqipe ( http://ëëë.fjalori.shkenca.org/), jepen disa përkufizime për fjalën kazan: “Enë e madhe prej metali (zakonisht prej bakri), e rrumbullakët dhe me dy veshë, që shërben për të zier ujë, ndërresa, gjellë etj. Kazan rrobash. Kazan rakie kazan i mbyllur, ku zihen rrushi, kumbullat etj. për të bërë raki. Gjellë kazani. mospërf. gjellë jo e mirë. Ziej në kazan. Vë kazanin në zjarr”.  Sipas këtij përkufizimi është enë e madhe, ndoshta edhe kryeministri thotë për mediat që janë të gjitha në një grup të madh. Ose janë prej metali dhe janë shumë të forta (sepse edhe pse po sulmohen nga qeveria, përsëri po rezistojnë).  Po nga gugëllimi rezulton se ka edhe një përkufizim tjetër  për fjalën kazan: “Vendi ku zhvillohet vazhdimisht një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj,  vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj”.

Pra në kazan sipas fjalorit mund të zhvillohen edhe veprimatari të ethshme dhe zien lufta e mendimeve, ndoshta kryeministri për këtë kazan e ka fjalën kur thotë media kazani. Sipas kryeministrit këto media thurin komplote, përpunojnë mendime për të mashtruar të tjerët ( por edhe në qeveri thuren komplote dhe përpunohen shumë mendime, pasi çdo fjalë që ligjërohet në publik nga ana e tyre kalon në disa filtra, pra edhe qeveria qenka qeveri kazani).  Në këto kushte mund të themi që kemi një qeveri kazani sepse qeveria përpunon mendime, dhe çdo kush tjetër që përpunon një mendim është një kazan.

Në Shqipëri tashmë media është ndarë në  dy kahe, në media kazani dhe media oborri. Në kazan bëjnë pjesë mediat të cilat kanë një mendim pak më ndryshe nga qeveria (është absurde që të mendosh se të gjithë duhet të kenë mendime të njëjta), por kazani ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë, pas media përtej oqeanit kanë një mendim të ndryshëm nga ai i “Rilindjes”. Mediat e oborrit janë ato media të cilat janë në një mendim me qeverinë (për rastësi jo se e dinë mendimin e njëra-tjetrës, por e bëjnë edhe për solidarzim me qeverinë).   Mediat e kazanit çdo ditë e më tepër po tkurren pasi duan që të përpunojnë shumë mendime  (them këtë duke i përmbajtur përkufizimit që rezultoi nga gugëllimi).  Ndërsa mediat e oborrit kanë mendime të gatshme ato që përpunon qeveria rilindase e kazanit.

Po cilat janë media  kazan?   Sipas qeverisë media kazani janë ato që flasin për drogën, për papunësinë, për kequshqyerjen, për keq qeverisjen, vrasjen, për shthurje të rendit dhe  për “sukseset” e dështuara.  Sipas qeverisë këto media nuk duhet të përpunojnë mendime për këto tema pasi do të cilësohen si media kazani. Kur qeveria rilindase është vetë një kazan dhe ka ekspert të përpunimit të mendimit , nuk duhet të mundohen edhe mediat. Qeveria për të mirën e medias e ka, pasi nuk kërkon që të të shpenzojnë në burime njerëzore, kohë,vlera monetare për të përpunuar disa mendime të cilat shumë mirë mund t’iu vijnë të gatshme. Në këtë mënyrë, këto media nuk cilësohen më si kazan( që për disa është edhe si një konotacion negativ, pasi kanë parasysh kazanin e plehrave), dhe do të kenë një bashkëpunim me konstruktiv me qeverinë.

Por në anën tjetër të medaljes janë edhe mediat e oborrit. Këto media janë lavdëruar nga qeveria si burim i përcjelljes së të vërtetës absolute (pasi kanë një mendim me qeverinë , për rastësi po e theksojmë edhe njëherë) dhe si një burim i besueshëm janë edhe profesionale.  Këto media flasin  për suksese (imagjinare), vende punë të shtuara (por edhe pse janë shtuar të punësuarit të papunët përsëri janë rritur), për drogën e asgjesuar me 99.8% ( pasi qeveria është treguar shumë e sukseshme me luftën kundër kanabisit dhe ka asgjesuar 99.8% të drogës që ka parë, pasi pjesë tjetër që shumëfishi i saj është një lloj i veçantë i padukshëm), për mirë qeverisjen (standartët e së cilës kanë kaluar edhe vendet më të zhvilluara në Botë). Por nga gugëllimi  edhe këto media mund të quhen kazan pasi janë përsëri një grumbull i madh dhe përpunojnë sado pak mendime.   Por dilema më e madhe është se kë të besojmë mediat e kazanit të cilat, janë pak (që mund të jenë  edhe disa media të krisura), apo mediat e oborrit (të cilat transmentojnë mendime të pa përpunuara). Duhet të besohen media e kazanit të cilat nga përpunimet e shumta të mendimeve mund të kenë edhe gabime, apo mediat e oborrit që nga mos përpunimi mund të kenë informacione të pasakta.

Mediat edhe pse janë një grup i vetëm,  pra një “kazan” i madh, qeveria ka mundur që ti ndajë në kazane të ndryshme. Dhe në qoftë se do ndodhë që mediat e kazanit të parë ( të frontit të së keqes) do të vetëdalin nga kazani ku janë zhytur, përsëri në kazan do të mbetën sepse nga gugëllimi të gjitha mediat janë një kazan, janë një grupim. A do munden vallë që mediat e “kazanit” të parë, me shumë vullnet, punë e angazhim të arrijnë stadin e medieve të oborrit?! Apo mos ndoshta do kemi gjithnjë një betejë frontale media kazan vs media oborr?

*Rubrika “Pikante” i trajton lajmet apo zhvillimet e ditës sarkazmë, ironi e nota humori

 

Lini nje pergjigje