Mësuesia nga një mision i shenjtë, në shpresë për mbijetesë

0
1826

Dr. Ndriçim Mehmeti

Ndër vite ne jemi mësuar ta quajmë profesionin e mësuesit si një mision për Shqipërinë. Mësuesi dhe përfaqësuesi religjioz, nderoheshin e respektoheshin shumë më tepër se nëpunësit e shtetit, cilido të ishte ofiqi i tij. Nuk ka shkrimtar, filozof, njerëz të ditur, politikan (që në disa raste e bëjnë edhe për demagogji) të mos lartësojnë punën e mësuesit. Kështu ka qenë historikisht, kështu duhet të ishte edhe tani. Por e vërteta është krejt ndryshe. Sikundër vjersha e famshme e Pashko Vasës “Po tani Shqipni më thuej si je”, kështu shtrohet edhe sot pyetja retorike për mësuesin: Po tani cili është vendi që zë mësuesi në hierarkinë e vlerave të këtij shteti?

I tallur, i nëpërkëmbur, i keq paguar, i sulmuar, i goditur, i sharë dhe i pambrojtur, i telendisur dhe i shkatërruar nga nervat, i përplasur derë më derë dhe i pambështetur, i degdisur në cepin më të largët të memories kolektive dhe i padashur nga askush, i rreckosur për së jashtmi i brengosur në ndërgjegjen e vet. Ai është pre e eksperimentit të radhës: Portal, inspektim, monitorim, intervista face to face, trajnime të pafundme 1 ditore, formularë vlerësimi të panumërt vlerësimi, tekste shkollore që një dreq i merr se sa herë ndërrohen, karta e performancës, portofoli profesional e kështu me radhë. Kush më shumë se mësuesi, në këtë vend, çdo 1 javë ka nga një detyrë të re për të kryer. Dhe kjo sipas drejtuesve të MAS, që kanë shkallën më të ulët të inteligjencës së mësuesit më mediokër në Shqipëri, “bëhet për të mirën e tyre”. Mësuesi është i pambrojtur, pa asnjë shans të ndali arrogancën e drejtuesit të tij, kryeplakut të lagjes, sekretarit apo zyrtarit të partisë në pushtet në lagje e pale më të mendojë të rezistojë ndaj përgjegjësit të ZA, drejtorit të DAR, apo ofiqarëve të MAS, që paraqiten çdo dy muaj për inspektim.

Mësuesit i janë vënë detyra të shumta përveç njërës: Të mos bëjë detyrën që i takon për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ai di të bëjë shumë mirë detyrën e dezhurnit, pritësit të popullit me vend e pa vend, organizuesit të mirë i aktiviteteve kur vijnë “të mëdhenjtë etj”. Por nuk mbaron me kaq: A i duhet të jetë psikolog, sociolog, mësues kujdestar, roje, drejtor, pastrues, mirëmbajtës dhe të mbi të gjitha i urtë e gojë mbyllur. Fjala e tij nuk ka vlerë, rroga që merr mezi mban frymën gjallë, kushtet e punës nuk kanë rëndësi, orët jashtë orarit nuk paguhen, pushimet i janë reduktuar në pak ditë. Mësuesi duhet të jetë gati sa herë ta thërres drejtoria (partia), për shërbime humane: Plotësim formulari, hapje portali çdo 10 ditë për maturantët, përzgjedhje teksti shkollor brenda një dite në mes të muajit gusht, shpërndarje të teksteve shkollore tek nxënësit, të ndihmojë shtëpitë botuese që të gjejnë libraritë sa më afër shkollës, të mos flasin me nxënësit se këta i filmojnë, të lejnë celularin tek zyra e drejtorit, ndërkohë që nxënësit janë të lutur të bëjnë video gjatë orës së mësimit e t’i shpërndajnë sa të mundin.

Mësuesit udhëzohen që në kuadër të donacioneve dhe arsimit falas të bëjnë të mundur të marrin me hir a me pahir 1000 lekshin nxënësve në ndihmë të shkollës së tyre. Po ashtu mësuesit janë të lutur që të ndërmarrin një iniciativë nga poshtë me udhëzim nga lart që të hapin disa kanale vaditës, të pastrojnë rrugët, lumenjtë e ndonjë stallë kuajsh. Mirë do të ishte që në një projekt të përbashkët me nxënësit, mësuesit, t’i mëson në terren si ndërtohet një pistë për kuaj, si të bëhesh i pasur duke frekuentuar klubet dhe PUB-et, si të bëhesh i pasur jo përmes punës, por mashtrimit, jo përmes dijes por forcës. Të mësojnë se vlerën më të madhe nuk e ka mbarimi i një universiteti, por shkolla e pazëvendësueshme e burgut. Të gjitha këto janë detyrime të punës së mësuesit.

Mësuesia si profesion i mbijetesës.

Tani mësuesi përpiqet të mbijetojë, në kushtet ideale që i janë krijuar. Me një kontratë të kufizuar pune, në kushtet e dhunës së paprecedent, me kërcënimin se mund të degdisen sa në një skaj në skajin tjetër të qytetit, krahinës, qarkut ku jetojnë, me moshën e shtuar të pensionit, puna e mësuesit bëhet vetëm për mbijetesë. Në pamundësi për të bërë një tjetër punë, e vetmja mundësi është të rrish aty ku je dhe të bësh sikur punon. Mësuesi do t’i pranoj kushtet në cilat është, për aq kohë sa shumë faktorë përfshi edhe frikën e humbjes së të vetmes mundësi mbijetese, që është puna që ka, e bëjnë të mbylli gojën. Po aq nxënësit, prindërit dhe i gjithë komuniteti që i rrethon janë në të njëjtit hall si mësuesi dhe për më tepër i mungon ndjenja e reagimit ndaj një shërbimi jetik të munguar siç është arsimi. Prandaj edhe arsimi shihet jo si mision por si një mundësi për mbijetesë. Një pjesë e të rinjve, shtyhet drejt këtij profesioni ose nga dëshira e prindit ose nga ndonjë mundësi e vogël që ata shohin për punësim. Nëse i pyet studentë e mësuesisë përse e zgjodhën këtë profesion ose ngrenë supet ose murmurisin në pamundësi të një përgjigje të saktë. Nëse pyet mësuesit përse rrinë ende në sektorin e arsimit, ata përgjigjen thjesht: “Ku të shkojmë. Ne ja kushtuam jetën këtij profesioni dhe nuk mund të fillojmë nga e para, në një profesion ku nuk kemi siguri”. Ka nga ata që ulin kokën dhe thonë: “Më mirë të kishim ikur sesa ndenjëm e morëm veten më qafë”.

Tani është e vështirë të gjesh dikë, të kënaqur me profesionin e mësuesit. Natyrisht që ka nga ata të paktë që “dashuria” për profesionin i ka lënë me kohë dhe nga karriget e ngrohta të ministrisë, mburren me vend e pa vend se “janë vetë mësues”, dinë të respektojnë punën e mësuesit”, “kur kanë qenë ata mësues bënin namin”, etj.  Por sa zbresin nga podiumi, ikin nga salla, studio a shkolla që vizitojnë, fap e hartojnë një udhëzim sesi t’ia nxijnë jetën sa më shumë mësuesit. Natyrisht që në variantit shqiptar “ai që të rreh a të shan të do më shumë”, por më shumë duhet të na dhembi, se ku e katandisëm profesionin e mësuesit.

I pa vlerë, i pa përkrahur, pa asnjë shpresë për jetën e tij, i pamundur të ndjek jetën e fëmijëve të tij dhe atyre që i jep mësim, për një të ardhme më të mirë në shoqërinë ku jetojmë, mësuesi është kthyer një njeri që vetëm ka si qëllim mbijetesën e asgjë tjetër. Ky është kthyer një nga problemet më të mëdha me të cilat shoqëria jonë duhet të përballet e i bishtnon pa asnjë fije turpi, rëndese në ndërgjegje apo brejte shpirtërore. Ne e kemi vrarë mësuesin, kemi shqyer e bërë copë-copë mantelin hyjnor që mbulonte dikur profesionin e tij, ne po e zvarrisim shtatoren madhështore që shoqëria me shumë mundim e ngriti e ja përkushtoi mësuesit.

Ne po përgatitemi ta varrosim këtë profesion të dashur e prapë nuk ndjejmë asnjë gjë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here