Tabaku: Qëllimi i Ramës, të zbrazë Shqipërinë nga intelektualët që të qeverisë i vetëm, çmenduritë e tij duhet të marrin fund!

0
120

Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi sot qeverinë se me thagmat e përditshme po shkatërron institucionet dhe shoqërinë dhe se synon të nxënësit e mirë dhe studentët t’i çojë tek privati.

“Vazhdon amullia me kuotat për Arsimin e Lartë. Qeveria është sot në një konkurrencë me veten për thagmat e përditshme me të cilat ushqen publikun duke shkatërruar për fat të keq institucionet dhe mbi të gjitha shoqërinë. Ligji për Arsimin e Lartë vazhdon të zbulojë dita ditës fytyrën e vërtetë të filozofisë për arsimin, që nxënësit më të mirë ose t’i shndërrojë në ‘skllevër’ të Universiteteve Private ose t’i lërë pa shkollë. Por edhe studentët e nivelit Master (MSc apo MP) t’ua dhurojë të njëjtave universitete që janë angazhuar dje tërësisht në këtë pseudoreformë”, deklaron Tabaku.

Ajo shpjegon edhe skemën që sipas saj është bërë me qëllim që studentët të shkojnë për master në universitetet private.

“Sipas Urdhrit të datës 7.10.2016, Ministria e Arsimit i fton studentët që kanë përfunduar ciklin Bachelor për të kryer aplikimet për studimet Master në Universitete Publike nga datat 7 tetor deri në 12 tetor 2016. Mirëpo, data e fundit për studentët për mbrojtjen e temës së tyre të diplomës është data 13 tetor, pra një ditë pasi ministria ka urdhëruar mbylljen e aplikimeve për Master në Universitetet Publike! Dhe nuk mbyllet me kaq. Në po të njëjtën pikë, Ministria e Arsimit ka urdhëruar që aplikimet për Master tek Universitetet Private do të hapen në 11 tetor dhe do të mbyllen në 17 tetor. Pra, të gjithë atyre studentëve që ky Urdhër i Ministrisë së Arsimit u ndalon padrejtësisht dhe njëkohësisht qëllimisht për të hyrë në Universitetin Publik, u lë si alternative të vetme Universitetin Privat”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, ky urdhër është një rrugë e stisur qëllimisht në një padije të shtirur për të çuar ujë në mullirin e Universiteteve Private. “Natyrisht, që Ministria e Arsimit, pasi studentët të ngrenë zërin, me gjasa do të prodhojë alibinë e një “gabimi” për të cilin askush në fund të ditës nuk do të mbajë përgjegjësi. Megjithëse ky gabim po vazhdon të institucionalizojë një skemë të pastër mashtrimi jo vetëm për të detyruar maturantët më të mire të shkojnë tek Universitetet Private por për t’ju dhënë këtyre të fundit edhe llokmën më të mirë të parave publike”, thotë Tabaku.

Ajo deklaron se qëllimi i kryeministrit Rama është të zbrazë Shqipërinë nga intelektualët që të qeverisë i vetëm. “Dhe më e keqja duket se nuk ka ardhur ende. Nëse ju kujtohet, vitet 2006-2008 kanë qenë një periudhë ku Shqipëria nisi procesin e “Brain Gain” në mënyrë që të arsimuarit jashtë vendit të vinin për të dhënë kontributin për vendin e tyre. Falë Rilindjes dhe vizionarit kryerilindas të rinjtë këto vite kanë vendosur të largohen ndërsa qeveria në heshtje praktikon politikën e “Brain Drain” për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër. Kryeministri Rama nuk po mjaftohet duke e varfëruar vendin ekonomikisht, duket se interesi i tij është ta varfërojë këtë vend edhe intelektualisht që të mund të qeverisë i vetëm dhe i pa shqetësuar nga kushdo që mendon ndryshe.

Përpara se kjo çmenduri të marrë formë, duhet të reagojmë për t’i treguar vendin një rilindje që e ka shkretuar Shqipërinë dhe kthyer vendin në një tragjedi të përditshme për të cilën përgjegjësi nuk dëshiron të marrë përgjegjësi! Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, thotë Tabaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here