Prej kohësh në rrjetet sociale qarkullon një teori konspirative, sipas të cilës, Hillary Clinton është zëvendësuar me një robot. Gjithçka nisi pas shfaqjes së parë të problemeve shëndetësore nga ana e kandidates demokrate, ndërsa në një video dukej se sytë e saj lëviznin në mënyrë të pakoordinuar me fjalët që thoshte gjatë një takimi elektoral.
Më pas, teksa ish-rivali i saj brenda partisë, Bernie Sanders mbante një fjalim, Clinton duartrokiste pas tij me duart që i lëviznin në një mënyrë krejt mekanike. Dukej se kaq mjaftoi për të shpërthyer konspiracionet, por edhe gjatë debatit të dytë presidencial, nuk kanë munguar momentet e vështira për Hillary Clinton.
Në një moment, një mizë i ulet mbi fytyrë midis syve, por Clinton nuk duket aspak e shqetësuar. Ajo thjesht vazhdon të flasë e qetë, me mizën që qëndron për disa çaste në fytyrën e saj. Sipas teorisë konspirative, Hillary Clinton në fakt ka vdekur, por është zëvendësuar me një robot, për të mos ndërprerë fushatën presidenciale të demokratëve.