Replikë e detyruar me gazetën “Tema”, të “dashuruarën” me reformën në drejtësi

0

Me një shkrim “rrufe”, gazeta “Tema” në versionin online shkruante sot se gazeta “standard”, sipas saj e sponsorizuar nga Basha dhe Berisha, ka sulmuar “luftëtarët” e reformës në drejtësi brenda demokratëve, deputetët Eduard Selami dhe Majlinda Bregu. Shkrimi i cili më pas u mor siç ishte copy-paste nga disa site online të së njëjtës linjë, nuk është i pari nga kjo gazetë. “Tema” duke u munduar të vijojë luftën e saj të përditshme (e drejta e saj legjitime të zgjedhë linjën editoriale që do) shkon deri në interpretime të shkrimeve të gazetave të përditshme, duke i vënë pas tyre emrin e dy të akuzuarve të përhershëm nga ky website online, çifti Berisha-Basha. Por duke mos dashur që antagonizmin e ashpër politik ta përcjellim edhe përmes kolegëve të medias, po shtjellojmë vetëm disa sqarime lidhur me shkrimin dhe kundërshkrimin e gazetës “Tema”. Së pari gazeta “Tema” e ka mbështetur sulmin e saj ndaj Berishës dhe Bashës, duke përdorur gazetën “Standard” për një temë që ka qenë krejt periferike në shkrimin e së shtunës të titulluar: “Mr. “Emigranti”, Mrs. “Integrimi” dhe opozita e Bashës”. Në këtë shkrim ( çdokush mund ta gjejë lehtësisht në versionin online të gazetës) ishte vendosur në qendër të analizës opozita e zhvilluar nga Basha në këto tre vite, duke përfshirë të mirat dhe të metat e saj, si edhe kundërshtitë e vazhdueshme të deputetëve demokratë Selami e Bregu ndaj lidershipit. Fjala “reformë në drejtësi” është përmendur vetëm një herë në shkrim dhe madje ajo është ndërlidhur me arsyetimin e ish-kryeparlamentares Jozefina Topallit, e cila edhe pse kritike e vazhdueshme e Bashës, e mbështeti linjën e partisë në rastin e kundërshtive të PD-së për rolin e ONM-së. Por sipas gazetës “Tema”, dy faqe gazetë shkrim të mbushur me analizë lidhur me rolin e dy deputetëve në PD në këto vite opozitë, nuk ishin për tu marrë parasysh. E gjithë analiza e “standard” u interpretua me 20 radhë shkrim “paçavuresk” duke vënë në dukje se “sulmi” ishte me “porosi” të lidershipit demokrat për t’iu kundërvënë dy deputetëve të tij që mbështetën reformën perëndimore! Tashmë të gjithë e dinë “dashurinë” e madhe që “Tema” ka për reformën në drejtësi dhe dëshirën për ti vënë pas si kundërshtarë të saj PD-në e opozitën në tërësi (sërish e drejtë e saj). “Pas sulmeve të ditëve te fundit që Basha dhe Berisha i bën ambasadorit amerikan Donald Lu dhe votimit kundër të ligjeve të reformës në drejtësi, gazeta Standard e sponsorizuar nga Basha dhe Berisha sulmon deputetët pro reformë Selami dhe Bregu. Në shkrimin pa emër të kësaj gazete vleresohet sulmi që Topalli, Pollo dhe Ruli ka bërë në një linjë me Bashën e Berishën ndaj Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe BE për rolin e tyre në reformën për drejtësi”, shkruante “Tema”. Ndoshta kjo formë “porosie” është përdorur shpeshherë nga vetë “Tema” e cila e quan “mission imposibile” që një e përditshme të analizojë situatën e një partie, (aq më tepër opozitës) dhe qëndrimet e deputetëve brenda saj thjesht si analizë politikë (edhe pse ky duhet të jetë roli i vërtetë i gazetarisë). Po të shkonim me logjikën e “Tema”-s, i bie që çdokënd të cilin Basha apo Berisha e kanë kundër tyre brenda grupit apo nuk u pëlqen qëndrimi që mbajnë, marrin shpejt në telefon tek redaksia e “standard” dhe “urdhërojnë”: Nesër na bëj një dyfaqësh për x deputet. Në fakt një lidhje kaq “intime” me liderët e partive në vend do i shkonte për interes cdo lloj botuesi, po vetëm mendimi se kjo ndodh realisht, nuk zgjat më shumë se dy sekonda. Për të qenë të vërtetë deri në fund, në gazetarinë shqiptare por edhe anembanë botës, ekzistojnë ato që cilësohen si “lajme të porositura”, të cilat mund të vijnë nga politikanë, biznese apo njerëz me interesa të caktuara. Por përdorimi i kësaj “mangësie mediatike”, për cdo lajm, analizë apo opinion që vjen në kundërshti me interesin që ti mbron, i jep efektin boomerang shkrimeve të gazetës “Tema”, duke i dhënë ngjyrat e vërteta të një kundërlajmi me porosi. Më herët kjo gazetë ka shkruar edhe për të tjera analiza të “standard”, duke i vënë nga pas pullën e kryetarit të PD. Ndërkohë në rastet kur “standard” nuk ka nguruar të shprehë kritikën e saj edhe ndaj lidershipit të PD, (si edhe ndaj çdo lideri kur gazeta e ka cilësuar çështjen apo vendimin si të padrejtë) nuk ka nguruar të rendë e ta cilësoje shkrimin si sulm nga brenda rradhëve. Kë të besojmë? “Temën” që një herë e nxjerr “standard” si “armë” të kryetarit të PD apo “Temën” që në një rast tjetër e merr shkrimin e “standard” dhe e publikon si lajm të parë kur kritikohet lidershipi i demokratëve? Duke vazhduar më tej sqarimin, në shkrimin e saj gazeta “Tema” flet për atë që e quan gjuhë “denigruese”. “Duke mbështetur atë që me sa duket është një opozitë e kontrolluar nga Basha e Berisha, gazeta përdor një gjuhë denigruese dhe akuza personale ndaj Selamit dhe Bregut, që kanë mbajtur publikisht qëndrime pro perëndimore për këtë reformë”, thuhej nga “Tema”. Përtej faktit që kjo akuzë është e pavërtetë (do e analizojmë pak më poshtë këtë pikë), ajo që të bën të vesh buzën në gaz është se kritika na vjen nga një media që gjuhën dengiruese e ka armën e saj më të fortë për të thithur klikime. Duke mos dashur të analizojmë stilin me të cilin një media mundohet të përfitojë sa më shumë ndjekës (e drejtë e saj), nuk mund të mos themi me plot gojën: “nuk presim moral nga ata që e shkelin përditë”. Ndërkohë duke ju kthyer shkrimit të “standard”, referuar pjesë ku analizohen të dy deputetët, ndaj tyre në tekst asnjë fazë denigruese. Në rast se e shkuara e deputetit Selami i cili gjatë kohës që jetoi në SHBA ka punuar edhe në tregun e shitjeve të automjeteve mund të cilësohet si fyerje, atëherë paskemi denigruar “rëndë”. Në rast se kemi pohuar se Selami është dukur si një “emigrant i pjesshëm” brenda PD-së që rikthehet në qendër të vëmendjes një herë në disa muaj me disa kritika ndaj lidershipit dhe kjo cilësohet si fyerje, atëherë nuk dimë çfarë të themi për fjalët vërtetë fyese në media (që Tema shpeshherë i përdor). Në rast se analiza sipas së cilës pjesëmarrja e Bregut e në protestat opozitare më shumë i ka ngjarë një shëtitje në “pasarelë mode” se sa një aktivizimi real cilësohet si denigrim, atëherë qenkemi denigruesit më të “mëdhenj” të medias shqiptare. Duke mos dashur të zgjatemi në këtë replikë të detyruar, përmbyllim duke theksuar se mbetemi të hapur ndaj kundërshkrimit të rradhës të “Tema online”, por vetëm do i këshillonim kolegët tanë që frymën e kacafytjes politike mos e përçonin edhe në media.

Lini nje pergjigje