Standard.al

Ilir Meta në Greqi: Në Shqipëri nuk ka parti politike me bazë nacionalizmin

0

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka nisur sot një vizitë zyrtare në Greqi. Kryeparlamentari shqiptar pritet të takohet me autoritete të larta të shtetit helen. Në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve, ANA-MPA Meta deklaroi se në Shqipëri, nuk ka parti me program në bazë nacionalizmi.

Për fat të mirë, spektri politik shqiptar nuk ka asnjë parti që ka në program të vet në thelb, nacionalizmin”,- thotë Meta. Ai shtoi se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, i konsideron “marrëdhëniet strategjike me praktika jetësore për të dy vendet“.

Të gjitha partitë shqiptare respektojnë Greqinë dhe integritetin territorial të saj dhe natyrisht qytetarët e saj si fqinjët dhe partnerët e social, ekonomik për rritjen tonë evropiane. Do të ishte mençuri për të qëndruar larg raporteve spekulative me qëllim krijimin e perceptimeve të gabuara.  Të dy vendet janë anëtare të NATO-s dhe kanë një përgjegjësi të përbashkët në forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”,- vijon kryeparlamentari.

Meta ka vënë theksin te nevoja e bashkëpunimit të dy vendeve për zgjidhjen e problemeve. “Fqinjët flasin, bashkëpunojnë, dhe punojnë që për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave të përballen së bashku”,- thotë kryeparlamentari i cili në fund shton se do të ftojë zyrtarisht në Shqipëri edhe kreun e Parlamentit të Greqisë.

Vizita e delegacioni shqiptar në Athinë ka si qëllim fuqizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy shteteve.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie që shkojnë përtej kontakteve politike që gëzojmë mes dy vendeve tona. Miqësia jonë bazohet në shekuj mirëkuptimi dhe shkëmbimesh mes dy popujve tanë që kanë kaq shumë të përbashkëta. Besoj se vizita jonë në Athinë do t’i shërbejë intensifikimit konkret të bashkëpunimit ndërparlamentar i cili është i rëndësishëm për të gjithë bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik, dhe që ne dëshirojmë t’a avancojmë me vullnet të plotë në çdo nivel në të ardhmen”,- theksoi Meta.

Meta do të pritet nga Kryetari i Parlamentit grek, Nikolaos Voutsis, Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras, ministri i Punëve të Jashtme  Nikos Kotsias dhe Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos.  Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, kryetari i Kuvendit Meta do të takohet edhe me përfaqësues të partive kryesore politike parlamentare si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë.

Gjatë kësaj vizite 3 ditore zyrtare në vendin fqinj, Kryetari i Kuvendit Meta shoqërohet prej Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme Arta Dade, Kryetarit të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin  Eduard Shalsi, dhe deputetët Anastas Angjeli (PS),  Fatmir Toçi (PS), Gjergji Papa (PD), Vangjel Tavo (LSI) dhe Vangjel Dule, Kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ).

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.