Vetting-u hyn zyrtarisht në fuqi, Nishani e dekretoi “në heshtje” pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

0

Ligji i Vetting-ut, i miratuar më 30 gusht vetëm me votat e mazhorancës, në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, ka hyrë sot zyrtarisht në fuqi. Presidenti Bujar Nishani e dekretoi atë “në heshtje”. Ai nuk e vuri firmën mbi këtë ligj, as e ktheu në kuvend për rishqyrtim, por i la afatet kushtetuese të kalonin. Një lëvizje kjo për të treguar se ai nuk pajtohet me këtë ligji. Opozita që nuk e votoi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. A do ta rrëzojë kjo gjykatë ligjin më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi? Shqetësimi është i madh. Opozita thotë se ky ligj e vë drejtësinë nën kontrollin e kryeministrit. Vetë Rama është shfaqur i shqetësuar në parlament pas dorëzimit të kërkesës së PD në Gjykatën Kushtetuese, duke i kujtuar asaj se po vihet sërish përballë ambasadës amerikane. Por PD duket e qetë edhe me amerikanët. Kryetari Lulzim Basha tha se ambasadori amerikan nuk mund t’i diktojë të drejtën kushtetuese. Ndërsa ish –kryeministri Berisha e quajti ambasadorin Lu “interpret” të kryeministrit. PD duket këmbëngulëse. Ajo ka paralajmëruar se do ta çojë ligjin edhe në Strasburg po të jetë e nevojshme. Kryeministri Rama duket i zënë ngushtë. Nëse Gjykata Kushtetuese do t’ia rrëzojë ligjin që i miratoi pa e pyetur opozitën, e gjithë beteja e tij do të bjerë. Ndaj hyrja zyrtarisht në fuqi e ligjit të Vetting-ut e mban sërish atë pezull. Dhe kjo jo vetëm se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë, por edhe organet e zbatimit të tij nuk janë krijuar ende.

Lini nje pergjigje