Skandali/ U mbajt e fshehur, para libanezit Mitri, u largua edhe një investitor tjetër i huaj

0

 

Loading...

–   E zbulon Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Ervin Kaduku

Opinioni publik mësoi me shqetësim se një nga investitorët e mëdhenj të huaj, me pasaportë amerikane e libaneze, u detyrua të largohej nga Shqipëria pas kërcënimeve direkte dhe rrahjes së rëndë nga njerëz të nisur drejt tij prej rivalëve ose pushtetarëve. Por gjithsesi qytetarëve vendas dhe sidomos atyre të huaj u mbahet fshehur se ka edhe raste të tjera të bujshme, që nuk denoncohen nga viktimat nga frika e raprezaljeve, ku shteti nuk të mbron.

Një fakt të tillë, sidoqoftë, e ka zbuluar kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Këtë vit, Shqipëria pritet të përmirësojë disa vende në raportin e të bërit biznes, duke nisur që nga reformimi i sistemit të dhënies së lejeve të ndërtimit, i cili tashmë është bërë online, në një kohë që edhe Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një sërë lejesh këtë vit. Po ashtu, përgatitja e ligjit të ri të falimentit dhe paketa e re për thjeshtimin e procedurave mund ta çojnë vendin disa shkallë më lart.
Por ajo që nuk mund të matet është se sa biznese të huaja do t’i mungojnë Shqipërisë pas lajmit të rrahjes së biznesmenit Fadi Mitri?
Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë thotë se kjo ngjarje do të trembë investitorët dhe dëmi që do t’i shkaktohet ekonomisë shqiptare është më i madh se 450 milionë euro që libanezi me pasaportë amerikane do të investonte në Shqipëri. Crawford thotë se përpara dhjetë muajve ka pasur një largim të një përfaqësuesi të një kompanie, pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Rastet nuk janë bërë publike, pasi janë nën hetim, dhe fatmirësisht është ndërruar vetëm administratori, shprehet Crawford.

“Unë kam qenë këtu në rajonin e Ballkanit për 25 vite, për gjatë gjithë luftës së Kosovës, gjatë problemeve që pati Shqipëria në 1997, kemi pasur probleme si investitorë të huaj edhe me sigurimin, por sigurisht kur ka një ngjarje që ndodh, si kjo e biznesmenit Fadi Mitri, që ka një amerikan të përfshirë, ne si investitorë amerikanë i referohemi direkt ambasadës sonë sepse ata marrin përsipër sigurimin për qytetarët amerikanë”, u shpreh ai. Nëse ka ndonjë tendencë që shqetëson ambasadën, na lajmëron neve si qytetarë dhe biznesmenë privatë. Nëse ka ngjarje që duhet të na shqetësojë ajo na lajmëron dhe deri tani ne nuk kemi marrë ndonjë lajm nga ambasada që është një trend ose ka një tendencë që ne, investitorët, duhet të shqetësohemi.

Unë nuk e di se sa miliarderë ka në botë, ne kishim një që ishte këtu, tha Crawford. Nuk ka rëndësi nëse ishte libanez, amerikan, ose çfarëdo kombësie, 450 milionë euro janë shumë. Por më shumë se kaq, është se sa ftohje do të ketë në këtë sektor, sa investitorë që mund të vijnë, do të shikojnë lajmin dhe do të thonë më mirë të shkojmë në Mal të Zi apo në Greqi, pra në një vend tjetër, sepse nuk jemi ne të vetmit që kemi bregdet në botë. Unë jam i shqetësuar kur shoh një ngjarje të tillë, që një investitor largohet nga frika, por jam i shqetësuar edhe për efektet që do të ketë në të ardhmen, kur të tjerë të lexojnë për këtë ngjarje. Ne kemi folur më parë për sektorin e energjisë, kur kishim një miliarder që iku për shkak të biznesit, para 10 muajsh. Tani që në një ngjarje tjetër ne kemi humbur dy investitorë miliarderë me pasaportë amerikane, kjo nuk tingëllon mirë dhe është vështirë për ne si Dhomë Amerikane të tërheqim investitorët kur ka ngjarje të tilla.

Çështje e mprehtë për gjithë investitorët e huaj mbeten problemet që ka Shqipëria me çështjet e pronësisë.
Kuptohet që Gjiri i Lalëzit për ne që jetojmë këtu ka pasur probleme, ka pasur disa konflikte midis pronarëve dhe ish-pronarëve. Unë kam sugjeruar se një gjë që mund të na ndihmojë ne si investitorë është krijimi i një harte të Shqipërisë, ku qeveria të thotë që këtë copë toke, këto prona, janë të pastra, këto janë të zëna nga pronarë, këto në diskutim, këto në gjykatë, tha kreu i Dhomës Amerikane. Pasuria e patundshme në Shqipëri është problem, por sërish me turizmin dhe disa fusha që kanë potencial që nuk janë zhvilluar ende ngjarje të tilla, largojnë investitorët, jo vetëm amerikanët, por të gjithë. Nëse ata do të shihnin në Google për Shqipërinë dhe në vend të fotove të bukura të saj të shohin ato se si është rrahur një investitor që ne kemi parë këto ditë, kjo nuk është aspak pozitive. Gjithmonë e kam thënë që duhet të mirëmbajmë një herë ata investitorë që janë këtu për të sjellë të tjerët.

Normalisht ne flasim për taksa, nuk flasim për sigurinë, sepse kjo është diçka që nënkuptohet, se nuk do të vijnë të huajt nëse diskutohet siguria, shtoi ai.

A ka pasur raste të anëtarëve tuaj që janë larguar për shkak të frikës nga grupet kriminale në Shqipëri? Apo dhunim të tyre? Crawfor përgjigjet se, si kompani nuk janë larguar, ka pasur raste kur disa persona kanë pasur probleme. Disa nga këto çështje ende nuk janë publike dhe janë nën hetim dhe nuk kam të gjitha detajet. Nuk janë gjithmonë amerikanët, sepse ne kemi anëtarë që janë shqiptarë ose me kombësi nga vende europiane. Ne po marrim në shqyrtim këto dy ngjarje që u kanë ndodhur anëtarëve tanë, por si Dhomë ne jemi më shumë për taksat dhe çështjet e biznesit, por na interesojnë edhe ngjarje të tilla, sepse na dëmtojnë biznesin.

Loading...

Lini nje pergjigje