“EX LIBRIS F.K.”/ Vula e Faik Konicës i dorëzohet Bibliotekës Kombëtare

0
206

Është e njohur tashmë publikisht se viti 2016 është shpallur VITI FAIK KONICA, nga Federata PanShqiptare “VATRA”

Një nder i madh Shqipërisë nga vëllezërit tanë shqiptaro-amerikanë. Është e njohur tashmë publikisht se viti 2016 është shpallur VITI FAIK KONICA, nga Federata PanShqiptare “VATRA”, Federata e hershme historike e Diasporës Shqiptare dhe veçanërisht e vëllezërve tanë, shqiptarëve të Amerikës, e themeluar nga binomi Noli-Konica. Në këtë kuadër, Katedralja “Shën Gjergji” e Bostonit, e njohur ndryshe edhe si “Kisha autoqefale e Nolit”, i bëri Shqipërisë një dhuratë të bukur duke i dorëzuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Z. Ditmir Bushati, shtampën “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”. Ky gjest i lartë i vëllezërve tanë shqiptaro-amerikanë ndaj Atdheut është një ngjarje madhore, një riatdhesim i dytë që i bëhet Rilindësit të shquar dhe gjeniut shqiptar Faik Konica, është një vlerësim i ri për Emrin dhe Veprën e tij të pavdekshme patriotike. Kjo vulë është dhuratë nga Katedralja e “Shën Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në  Boston dhe iu besua në mënyrë simbolike Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij të fundit në Sh.B.A. Dorëzimi i shtampës jetëson amanetin e Faik Konicës, që ajo të jetë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Shtampa Faik Konica, e njohur ndryshe si “EX LIBRIS F. K.”, është pjesë e pandashme e personalitetit të tij të lartë, të cilën ai nuk e ndau në asnjë çast të jetës, ashtu sikurse nuk ndau kurrë nga dora librin, apo gramafonin. Krejt biblioteka e tij e pasur përmbante këtë vulë të tij, një shtampë e realizuar bukur artistikisht me germat e veta speciale prej platini, që përbënin artin e tipografisë koniciane të Albania-s dhe të librave të tjerë që ai shtypi me ato germa. EX LIBRIS ka qenë vazhdimisht në modë tek personalitete të larta të Letrave dhe zakonisht shprehin grafikisht një simbolikë apo moto ideali të personit që e përdor, ose pastaj një formulë filozofike, etj. Shtampa “Ex libris”, me përmasa 4.5×5.75, është gjetur rastësisht në “libra-raftin e Vatrës” dhe iu besua në fillim të viteve ’80 Kishës autoqefale të Nolit, ku u ruajt më tepër se 35-vjet në “Bibliotekën e Fan Nolit” në Boston, duke nderuar amanetin e vetë Konicës, shkruar Nolit në vitin 1942. Si relike historike është kataloguar në sistemin numerik të bibliotekës noliane dhe si i tillë është kundruar nga qindra vizitorë, studiues e admirues të Konicës, shqiptarë dhe jo shqiptarë, të mirëpritur gjatë këtyre viteve në arkivën noliane. Sipas shënimeve që shoqërojnë Shtampën, mendohet se Ex libris F.K është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. “Ky dhurim do të vijojë me plotësimin e amanetit të Konicës, duke mundësuar përmes bashkëpunimit të ngushtë të dy Ministrive, sjelljen në BKSH, të një sasie librash të bibliotekës së Faik Konicës që tashmë janë gjetur pranë komunitetit shqiptar në SHBA falë punës e kontributit të zotit Agron Alibali”, thuhet në njoftimin për mediat.

Shtampa e Konicës

Shtampa, me një realizim unik artistik, përbëhet nga dy germa platini F.K, që përfaqësonin artin e tipografisë koniciane të “Albania-s” e të librave që ai shtypi me ato germa, si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të Faik Konicës. Kjo logo mban edhe si shënim në greqisht një thënie tipike të nxjerrë nga vepra e filozofit të mirënjohur Erasmus i Roterdamit (Desiderius Erasmus), të cilën Konica e ka perifrazuar në frëngjisht qysh te “Albania”, nr. 1, Janar 1902: “Il disent ce qu’il veulent: qu’il continuent, je n’en moque!” (Le të thonë ç’të duan, mua aq më bën..!)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here