Drafti i ri/ Shërbimet e kujdesit shoqëror për personat në varfëri dhe me aftësi të veçanta u kalojnë bashkive

0
175

Sipas projektligjit,  pranë këtyre njësive do të ketë struktura të posaçme dhe punonjës social që do të bëjnë vlerësimet e personave që jetojnë në varfëri apo kanë aftësi të veçanta

Sejrie Baleta

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit  për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë u shqyrtua në parim i projektligjit “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”. Drafti i ri i Ministrisë së Mirëqenies Sociale që nisi diskutimin në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë  parashikon që  njësitë e qeverisë vendore duhet të administrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, që deri tashmë kanë qenë vetëm në kompetencat e shërbimit sociale shtetëror. Sipas projektligjit,  pranë këtyre njësive do të ketë struktura të posaçme dhe punonjës social që do të bëjnë vlerësimet e personave që jetojnë në varfëri apo kanë aftësi të veçanta. Zëvendës  Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri sqaroi se projektligji synon rregullimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale në atë mënyrë që të mundësojnë zbulimin në kohë të nevojave të përfituesve dhe ofrimin e atyre shërbimeve që ndihmojnë në parandalimin dhe/ose zhvillimin e kushteve apo të situatave kërcënuese që prekin grupet në nevojë. Gjithashtu, sipas Kospiri, projektligji synon dhe identifikimin dhe përcaktimin e të gjitha grupeve në nevojë dhe parashikimin e shërbimeve për ta, duke përcaktuar parimet, gamën e përfitimeve dhe lehtësirave, individët dhe grupet e individëve që përmbushin kushtet për të përfituar nga skema e shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe procedurat e kërkimit e të përfitimit të të drejtave të shërbimeve të kujdesit shoqëror. “ Bashkitë të kuptojnë rolin e tyre. Kjo do të jetë që ata t’i orientojnë drejt një zyre ku ata do të kenë mundësi të ta thonë nevojën. Zgjidhet apo jo është tjetër punë, por ama do të ketë një zyrë që do t’i dëgjojë, që do të ketë paralel një hartë shumë të qartë të shërbimeve që u ofrohen aktualisht në zonën përkatëse apo nivel rajoni, apo nivel qendror, që do të monitorohet edhe puna e tyre, me miratimin e këtij ligji do të shkohet më tej” tha Bardhylka Kospiri.  Por nga ana tjetër deputetja e PD-së, Albina Deda ngriti shqetësimin e mungesës së mbulimit me këto shërbime të zonave të largëta. Deda theksoi se në disa zona nuk është mundësuar as arsimi dhe kujdesi shëndetësor, ndërsa shërbimet e tjera mbeten ende larg realizimit.   “Një në 10 mijë banorë të ketë punonjës social është e pamundur që të mbulojë zonën, kur këto zona janë dhe në mjerim dhe në izolim. Përveç shërbimeve sociale, ato nuk kanë as shërbim arsimor dhe as shërbim mjekësor”, tha Deda. Por opozita  gjithashtu në këtë komision shprehu shqetësimin tjetër se drafti nuk është i qartë  duke vënë në pikëpyetje që kjo mënyrë organizimi do të ndihmojë vërtetë njerëzit në nevojë. “ Mendoj që ka mbivendosje kompetencash, nuk janë sqaruar mirë ose pushteti qendror merr kompetenca që nuk i takojnë ndaj pushtetit vendor. Juve i përcaktoni bashkive që të ngrenë drejtori për shërbimin shoqëror ndërkohë që ministria juaj nuk e ka kompetencë” tha Albana Vokshi. Një tjetër shqetësim që ngritën demokratët për këtë draft është numri i paktë i punonjësve social që parashikohet në këtë projektligj  ku 1 punonjës social do të mbulojë 10,000 banorë sikundër e theksuam më lart. Por deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu shprehu besimin për rezultatet e kësaj nisme, ndërsa kërkoi një kujdes më të madh për disa shtresa. “Një nga arsyet e reformës administrative territoriale ka qenë edhe përkrahja e këtyre njerëzve në nevojë. Dihet që kategoritë që përfshihen në këtë ligj janë kategoria më e marxhinalizuar. Të gjithë kemi hapur problematika nga më të ndryshmet. Për herë të parë janë përmendur shërbime të cilat kanë rëndësi të veçantë. Do të jemi transparent se çfarë mund të bëhet më mirë për të mbështetur fëmijët me aftësi të kufizuar. Të bëjmë diçka më shumë për fëmijët përtej moshës 18 vjeç, siç mund të jenë fëmijët autik. Aspekti i tretë është që të përpiqemi pak më shumë për të moshuarit”, tha Spahiu.

 

Debati:

Bardhylka Kospiri: Bashkitë të kuptojnë rolin e tyre. Kjo do të jetë që ata t’i orientojnë drejt një zyre ku ata do të kenë mundësi të ta thonë nevojën.

Albina Deda: Një në 10 mijë banorë të ketë punonjës social është e pamundur.

Albana Vokshi: Mendoj që ka mbivendosje kompetencash, nuk janë sqaruar mirë ose pushteti qendror merr kompetenca që nuk i takojnë ndaj pushtetit vendor.

Klodiana Spahiu: Një nga arsyet e reformës administrative territoriale ka qenë edhe përkrahja e këtyre njerëzve në nevojë. Dihet që kategoritë që përfshihen në këtë ligj janë kategoria më e marxhinalizuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here