Faqja e Nobelit/ Nënë Tereza, Nobelistja e treta më e famshme në botë

0

Ajo e mori Nobelin për Paqe, “për punën dhe betejën për të zvogëluar varfërinë”

Loading...

Nëna Tereza, së fundmi e kthyer në Shën Tereza, bamirësja shqiptare e cila u shenjtërua nga vetë Papa dhe Vatikani, është Nobelistja e treta më e famshme në botë e të gjitha kohërave. Nëna Terezë e ka fituar Nobelin për Paqe në vitin 1979. Faqja e Nobelit ka radhitur dhjetë Nobelistët për Paqe më të famshëm, në Çmimin Nobel për Paqe i cili ndahet që nga viti 1901. Nëna Terezë radhitet e treta në listën e dhjetë Nobelistëve që i kanë rezistuar kohës. Marthin Luther King Jr., dhe Malala Yousafazi i paraprijnë Nënës Terezë në këtë listë, ndërsa pas saj është Nelson Mandela në pozitën e pestë, Elie Ëiesel në pozitën e gjashtë dhe Desmond Tutu që e përmbyllë këtë listë. Nobeli për Paqe për këtë vit do të ndahet këtë javë. Nënë Tereza e ka refuzuar buqetën me lule kur mori Nobelin dhe mori vendim që 192 mijë euro që i takonin me triumfin e çmimit të shkonin për të varfrit në Indi. Ajo e mori Nobelin për Paqe, “për punën dhe betejën për të zvogëluar varfërinë”.

Fjalimi i Nënë Terezës kur fitoi Nobelin për Paqen

Ndonëse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme. E Nënë Tereza tregonte: “Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet nëse do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: ‘Meqë jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël. Më pas fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha: “Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar ajo mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj.

Loading...

Lini nje pergjigje