Nishani paralajmëron rrëzimin e ligjit që lejon importin e plehrave

0

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka paralajmëruar rrëzimin e ligjit që lejon importin e plehrave. I pyetur nga mediat në konferencën për shtyp me presidentin Thaçi, ai tha se interesi publikut do të prevalojë. Presidenti sqaroi se ai po zhvillon konsultime me shoqërinë civile, e cila i ka kërkuar të mos e dekretojë ligjin dhe të shtunën zhvilloi një protestë para kryeministrisë.

Loading...

“Është shumë e rëndësishme që çështje të tilla madhore që lidhen me interesin e publikut ne gjithmonë t’i fokusojmë në rrugën e zgjidhjes të këtij interesi. Interesi i publikut gjithmonë prevalon, interesi i marrjes së mendimit dhe shprehjes së mendimit dhe vullnetit të sovranit që në fund të fundit për gjithësecilin prej nesh është qytetari të prevalojë dhe të jetë ai maksimalisht i respektuar.

Por duke pasur dhe mundësinë e afateve që Kushtetuta parashikon, nuk do të ketë zvarritje të qëndrimit të Presidentit. Sapo mendimi përfundimtar i konsultuar gjerësisht, pasi unë konsideroj që për çështje të tilla madhore të ezauroj një konsultë sa më të gjerë që të jetë e mundur jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por dhe në atë të interesit të publikut, do të ketë qëndrimin përfundimtar të Presidentit opinioni, Kuvendi dhe të gjithë aktorët e tjerë të interesuar.

Çështje të tilla që kanë sensibilitet, ndjeshmëri të madhe të opinionit publik, qytetarëve tanë, në fund të fundit për të cilët jemi të angazhuar, të ngarkuar për t’u shërbyer, është një çështje që duhet trajtuar me sa më shumë kujdes dhe me sa më shumë përfshirje që të jetë e mundur”.

Shoqëria civile e akuzon kryeministrin se ka tradhëtuar vendin me miratimin e ligjit që lejon importimin e mbetjeve. Në shtyp janë hedhur dyshime të forta se ligji është miratuar për interesa klienteliste dhe korruptive dhe se ai fsheh planin për të importuar në Shqipëri miliona tonelata mbetje urbane per t’i djegur në incineratorët që po ndërtohen në Fier e Durrës.

Loading...