Moshat e treta/ Riindeksimi i skemës së pensioneve në bazë të kontributeve

0
297

251706

OKB: 1/3 e popullsisë në 2030 do jetë mbi 65 vjeç. Eurostat: Shqipëria u plak me ritme të shpejta

 

Sejrie Baleta

 

Raportet e fundit flasin për “plakjen” e shpejtë të popullsisë shqiptare. Numri i të moshuarve mbi 80 vjeç është rritur në Shqipëri me ritme më të larta se në Bashkimin Evropian gjatë dekadës së fundit thuhet në një raport të bërë publik nga EUROSTAT.  Një e treta e popullsisë në Shqipëri parashikohet të jetë mbi 65 vjeç në vitin 2030. Duke folur në një aktivitet në kuadër të ditës së moshimit, përfaqësuesi i OKB-së në Shqipëri, Brian Williams, u shpreh se dekadat e fundit ka pasur një rritje të moshës së popullsisë shqiptare. “ Në vitin 1990 në Shqipëri, 5% e popullsisë ishte 65 vjeç e sipër, ndërsa në 2010 kjo përqindje është rritur duke shkuar në 10-11%, ndërsa 2030 kur pritet të realizohen dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, 1/3 e popullsisë parashikohet të jetë mbi moshën 65 vjeç e sipër” u shpreh Williams. Ndërsa nga ana e tij Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, u premtoi pensionistëve se do të ketë një riindeksim të pensioneve si dhe përmirësim të shërbimeve. “ Në bazë të shtimit të një numri shumë më të madh kontribuuesish në skemën tonë të pensioneve, në bazë të rritjes së subvencioneve nga buxheti i shtetit, ne të kemi dhe ky është një lajm shumë i mirë që unë dua ta jap në ditën e të moshuarve, një riindeksim të skemës së pensioneve” deklaroi Klosi.

Riindeksimi  i pensioneve

Ministri Klosi renditi një sërë masash të marra nga qeveria duke nisur nga rritja e pensioneve, rregullimi për kategoritë e ndryshme të pensioneve, investimi për ngritjen e qendrave të reja për të moshuar dhe një sërë vendimesh të tjera. “Ne po përgatitemi që në bazë të kontributeve të reja që pensionistët vetë kanë dhënë gjatë viteve të tyre të punës, në bazë të shtimit të një numri të madh kontribuuesish në skemën tonë të pensioneve, në bazë të rritjes së subvencioneve nga buxheti i shtetit të bëjmë një riindeksim të skemës së pensioneve”, tha Klosi. Klosi informoi se MMSR-së ka arritur disa marrëveshje të rëndësishme me shumë shtete të Bashkimit Evropian, por dhe jashtë Bashkimit Evropian aty ku jetojnë dhe punojnë shumë shqiptarë për njohjen e kontributeve shoqërore. “Kemi lidhur marrëveshje me Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Luksemburgun, Çekinë, Bullgarinë”, tha Klosi. Ai po ashtu infomoi se janë drejt përfundimit marrëveshjet me disa vende të tjera ndër të Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanadanë. “Jemi në negociata të vazhdueshme me shtetin italian dhe grek për të pasur mundësi që të avancojmë në këtë skemë”, shtoi Klosi. Në kuadër të rritjes së cilësisë së shërbimeve, Klosi informoi se po punohet për ngritjen e database-it qendror të arkivit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të bërë një panoramë të qartë të kontributeve të gjithsecilit ndër vite. “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore po përfundojnë një paketë të tërë ligjore e cila korrekton gabimet e skemës së pensioneve në vite”, tha ai Pensionistët  u ankuan  se e kanë të pamundur që të përballojnë kostot e jetesës. Ata shprehen se ja dalin vetëm fatë ndihmës së fëmijëve. “ Mësuese kam qenë, 50 vjet kam dalë por marr një pension të vogël fare. Kam çupën dhe djalin që më ndihmojnë, se me aq sa marr unë ilaçet nuk më dalin” tha një pensioniste. “Asnjëherë nuk kanë qenë të përballueshme. Shyqyr Zotit më mban djali” u shpreh pensionisti. Ndërsa një pensionist tjetër tha se: “Na ndihmojnë kalamajtë, çfarë pensioni 140 mijë lekë( të vjetra) çfarë del, asgjë”. Në Shqipëri numërohen rreth 600 mijë pensionistë. Emigrimi i të rinjve, rënia e lindshmërisë si dhe vdekshmëria më e ulët që nga viti 1989 kanë zvogëluar peshën e brezave të rinj dhe kanë arritur atë të brezave më të vjetër në popullsinë e përgjithshme, duke çuar kështu drejt një moshimi demografik.

Eurostat

Sipas një publikimi të posaçëm të Eurostat, numri i të moshuarve mbi të 80-at është rritur me 58% në Shqipëri nga viti 2004 deri më 2015, ndërsa në Europë, numri i kësaj grup-moshe është rritur me 38%. Eurostat thotë se, popullsia mbi 80 vjeç arriti në 27 milionë banorë në fillim të 2015-s nga 19.7 milionë  që ishin më 2004. Ndërsa në Shqipëri, popullsia mbi 80 vjeç arriti në mbi 64 mijë persona në 2015 nga rreth 40 mijë që ishin më 2014. Gjithsesi, në totalin e krejt popullsisë në Shqipëri, 80-vjeçarët kanë një peshë më të ulët.  Në BE, kjo grup-moshë zuri në vitin 2014, 9.5% të totalit të popullsisë ndërsa në Shqipëri, kjo grup-moshë zuri 2.3% të totalit të popullsisë. Eurostat vëren një rritje të numrit të të moshuarve në të gjitha vendet e BE. Më 2015, një në çdo 20 persona që jetojnë në BE ka qenë rreth moshës 80 vjeç ose mbi këtë moshë. Gjithashtu, Eurostat arsyeton se, plakja e strukturës së popullsisë është pjesërisht, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë, e cila u rrit nga 8.4 vjet në vitin 2004 në 9.5 vjet në vitin 2014. Femrat përbëjnë ende rreth dy të tretat e personave të moshuar në BE. Ky mbi përfaqësim i grave në mesin 80-vjeçarëve ose më shumë vihet re në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, që festohet çdo vit më 1 tetor, Eurostat (zyra e statistikave të Bashkimit Europian) publikon indikatorët demografikë për të moshuarit që jetojnë në BE. Njerëzit e moshës 80 vjeç në vitin 2014 mund të jetojnë së paku 1 vit më shumë se në Francë, e ndjekur nga Spanja (10.4 vjet), Luksemburgu (10.1 vjet) dhe Italia (10.0 vjet). Në anën e kundërt të shkallës, jetëgjatësia është ulët për moshën 80 vjeç në Bullgari (7.0 vjet), Rumania (7.6 vjet), Kroacia (7.7 vjet), Hungaria dhe Sllovakia (të dyja 7.9 vjet). Kjo do të thotë se ekziston një hendek 4-vjeçar në të gjithë BE-në. Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur në 13% në 2016-n dhe 29% deri në 2060-n. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj. Arsyet lidhen me uljen e fertilitetit dhe emigracionin e rritur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency