Bilanci i Rrugës së Kombit, një ndër projektet infrastrukturore më të rëndësishme

0
234

Rruga e Kombit (që fatkeqësisht është e njohur më shumë në lidhje me debatet për koston e realizimit dhe mënyrën jo fort interesante të financimit të saj në ndërtim) vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, që krijon mundësi jo vetëm për dalje në tregje më të mëdha, por edhe ka elementin unik në kontinentin europian, për të lidhur ekonomikisht dy shtete të të njëjtit komb. Ndikimi në ekonomitë e dy vendeve ka qenë drastik nëse krahasohet me nivelet përpara ndërtimit të saj, si në tregtinë e biznesin mes dy shteteve ashtu dhe të shfrytëzimit të potencialeve turistike. Shifrat tregojnë shumëfishim të tregtisë dhe të lëvizjeve, që janë afruar më shumë se kurrë…

Monitor

Vetëm 8 vite më parë, dy shtetet që flasin të njëjtën gjuhë i ndante një barrierë pothuajse e pakapërcyeshme: distanca e largët për të arritur fizikisht njëri-tjetrin, që nuk mundësonte as zhvillimin e tregtisë e biznesit dhe as turizmit. Sot gjithçka flet ndryshe, Kosova, tregtia me të cilën ishte inekzistente vite më parë, sot është ndër partnerët kryesorë për eksporte dhe i vetmi me të cilin kemi suficit tregtar; pushuesit nga Kosova zënë më shumë se gjysmën e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri; marrëdhëniet mes bizneseve janë shtuar ndjeshëm. Dhe është pikërisht rruga e Kombit, ajo që bëri që dy vendet, fizikisht, por edhe ekonomikisht, pavarësisht pengesave, të jenë më afër se kurrë.
Autostrada Durrës–Kukës-Morinë (por që realisht në variantin e saj aktual të papërfunduar, fillon në Milot e mbaron në Morinë për sa i përket territorit Shqiptar), ose siç njihet ndryshe edhe Rruga e Kombit është ndër projektet infrastrukturore më të rëndësishme, por edhe më kontraversale, për shkak të kostos që u desh të paguhej për ndërtimin e saj, që ende nuk ka përfunduar. Ajo nuk është një rrugë që lidh thjesht dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, pjesë të një kombi, por shërben edhe si ndërlidhje me rajonin e Ballkanit dhe një treg me miliona konsumatorë potenciale.
Diskutimet për ndërtimin e një autostrade mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë të hershme, ato lindën në vigjilje të Luftës së Parë Botërore në Austro–Hungari. Edhe në vitet ’70-’80 ka pasur një diskutim në lidhje me ndërtimin e një rruge që do të duhet të lidhte dy vende.
Por, projekti nisi vetëm në vitin 2003, kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit. Një pjesë e autostradës, segmenti mes Rrëshenit (pjesa veri-qendrore e Shqipërisë) dhe Kalimashit (pjesa verilindore) u përurua më 26 qershor 2009 me emërtimin teknik A1.
Autostrada me katër korsi u bë projekti më i madh infrastrukturor në Shqipëri. Kostoja e saj fillestare u përllogarit në rreth 600 milionë €, por më pas ajo iu afrua 1 miliard eurove, ndonëse asnjëherë nuk ka dalë një shifer finale e kostos së saj të plotë deri në fazen aktuale. Projekti nis në Portin e Durrësit (të paktën ai në letër) dhe përfundon në kufirin me Kosovën, në Morinë, ku pikat kryesore janë: Durrës, Milot, Rrëshen, Reps, Thirra, Kalimashi dhe Morina.
Gjatësia llogaritet në 170 km. Me ndërtimin e kësaj autostrade koha e udhëtimit u reduktua nga 6 orë në 2 orë e gjysmë, me një shpejtësi qarkullimi që luhatet nga 80–130 km/h. Me ndërtimin e saj, qarkullimi mesatar ditor rrugor u parashikua nga 12,000 në 15,000 mjete (standardi europian për ndërtimin e autostradave). Por, sot, pas rreth 7 vitesh nga ndërtimi i saj, qarkullimi mesatar ditor i mjeteve arrin në rreth 12,000 vetëm gjatë sezonit të verës. Në ditët jashtë këtij sezoni, numri mesatarisht arrin në rreth 5,000 mjete. Mesatarisht, në vit përgjatë Rrugës së Kombit qarkullojnë rreth 1.8 milionë mjete, nga të cilat rreth 20% janë mjete të transportit të mallrave.
Gjithsesi, qarkullimi është rritur ndjeshëm në krahasim me epokën kur distanca mes Prishtinës e kufirit shqiptar zgjaste pa fund.
Përfitimi i ekonomisë shqiptare, nga kjo vepër, fokusohet në dy drejtime kryesore, në turizëm dhe në tregti. Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, u bënë më domethënëse që nga viti 2003, ndërsa turizmi njohu rritjen më të ndjeshme gjatë periudhës 2010–2011.

Shtatëfishohet volumi tregtar mes dy vendeve

Shqipëria është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës dhe padyshim ndërtimi i autostradës ka dhënë ndikim të ndjeshëm, me shkurtimin e kohës dhe reduktimin e kostove.
Përgjatë viteve, shkëmbimet tregtare janë rritur ndjeshëm.
Në tetor 2003, Shqipëria dhe Kosova liberalizuan konsiderueshëm tregtinë midis tyre, për të arritur në 2007-n, me hyrjen në CEFTA, në liberalizimin e plotë të tregtisë dypalëshe.
Në vitin 2009, vlera e import/eksportit arrinte në rreth 10 milionë euro, një shifër kjo e ngjashme me të gjithë periudhën 2003-2006 (10.4 mln euro).
Megjithatë, shkëmbimi tregtar i mallrave mes dy vendeve mbetet i ulët në krahasim me mundësitë dhe nevojat që kanë ekonomitë përkatëse. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i një sërë faktorëve, që kanë çuar deri në vendosjen e masave të reciprocitetit(aplikimi i pengesave jotarifore, si p.sh., në rastet e patates, të çimentos, të qumështit, të mishit, etj.)
Të dhënat e Institutit të Statistikave në Shqipëri tregojnë se gjatë periudhës 2010–2014, eksportet ishin ato që pësuan lëkundje të ndjeshme, por gjithsesi kanë qenë në një rritje drastike në krahasim me nivelet e 2009.
Pati një tendencë në rritje deri në 2012, e cila shkoi në ulje në 2013-n dhe shënoi rritje në 2014-n. Kështu, gjatë vitit 2014, ato zunë 7.3% të eksporteve nga 6.2% që zinin në vitin 2010. Eksportet shqiptare drejt Kosovës gjatë kësaj periudhe u përqendruan kryesisht në grupmallrat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Në vitin 2015, sipas të dhënave të INSTAT, volumi i shkëmbimit tregtar midis dy vendeve arriti në 26 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej gati tre herësh nëse krahasohet me nivelin e 2009-s dhe mbi 7 herë në raport me 2005-n! Në 2015, Kosova u bë për herë të parë destinacioni i dytë më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare. Ato arritën në gati 21 miliardë lekë ose rreth 11.4% më shumë se viti 2014. Në vitin 2015, eksportet drejt Kosovës zinin 8.6% të totalit, nga 7.3% në 2014-n dhe 4.7% në vitin 2007, para se të ndërtohej rruga Durrës-Kukës.
Produkti më i eksportuar nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2015 ishte giza dhe çeliku me rreth 5.4 miliardë lekë (4% rritje vjetore), e ndjekur nga lëndët djegëse dhe mineralet, me rreth 5 miliardë lekë, që panë një zgjerim vjetor prej 22%.
Rritje tepër të lartë, ndonëse nisur nga një bazë e vogël, në po të njëjtën periudhë shënuan eksportet e produkteve bujqësore. Shitjet e zarzavateve në Kosovë u shtuan me 45%, duke arritur në 750 milionë lekë. Edhe frutat e eksportuara ishin 50% më të larta se një vit më parë, për të arritur në gati 600 milionë lekë.
Biznese të tjera që kanë parë rritje të aktivitetit me Kosovën janë dhe përpunuesit e xeherorëve dhe prodhuesit e mobilieve. Ndërsa çimento është një nga produktet që nuk ka arritur të gjejë tregun fqinjë në 2015-n.

Tregtia e jashtme për Shqipërinë ndryshon nga ajo e Kosovës. Studimet e ndryshme treguan se kjo është diktuar edhe nga zhvillimet historike dhe nga ndarja administrative e dy pjesëve të kombit gjatë shekullit të kaluar, por qartazi edhe nga ndarja fizike e tyre si pasojë e një infrastrukture inekzistente midis tyre. Sistemi prodhues dhe profili i konsumit i Kosovës kanë qenë pjesë përbërëse e zinxhirit prodhues dhe shpërndarës të vendeve të ish-Jugosllavisë dhe rrjeti infrastrukturor i zhvilluar gjatë shekullit të kaluar ka qenë i orientuar drejt krahut të republikave të tjera Jugosllave.
Për Shqipërinë, orientimi i tregtisë është drejt vendeve të të Bashkimit Europian, ku partneri kryesor tregtar mbetet Italia dhe zhvillohet nga infrastruktura portuale dhe ajo rrugore me Greqinë.
Ekspertë të ndryshëm shqiptarë thonë se për një zhvillim të mëtejshëm të tregtisë midis dy vendeve është e nevojshme që të identifikohen avantazhet konkurruese reciproke, veçanërisht në sektorë si bujqësia dhe industria dhe me pas të koordinohen politika fiskale, administrative dhe sektoriale që të mundësojne nivele mjaft më të larta të integrimit ekonomik se sa nivelet aktuale.
Një studim i titulluar “Rrugët drejt një hapësire ekonomike të përbashkët Shqipëri–Kosovë” i realizuar nga disa akademikë shqiptarë dhe të Kosovës, theksonte se Rruga e Kombit, një investim prej rreth 1.6 miliardë eurosh (në të dy vendet), ka kontribuar më tepër në diversifikimin e burimeve të furnizimit sesa në modifikimin e origjinës së mallrave të importuara. Shqipëria, thuhet në këtë studim, ka investuar 1 miliard euro për të lehtësuar tranzitin e mallrave që Kosova importon nga vendet e treta. Mungesa e prodhimeve shqiptare të krahasueshme me importet kosovare, e ka ulur kontributin e pritshëm të këtij investimi.
Studimi tregoi se ka varfëri strukturore mes mallrave që tregtohen mes dy vendeve dhe se ato shpesh nuk janë të qëndrueshme. Ekspertët shprehen se edhe në situata të favorshme teknike dhe administrative si p.sh. mbyllja e kufirit me Serbinë dhe vendosja e barrierave të plota tregtare ndaj saj nga ana e Kosovës, e cila zgjati për 58 ditë në vitin 2011, të dy vendet treguan dobësi të theksuara në plotësimin e tregjeve. Gjatë këtij viti eksportet shqiptare pothuajse nuk kontribuuan fare në zëvendësimin e mallrave serbe në Kosovë. Vendet të cilat i zëvendësuan mallrat nga Serbia në nivel më të theksuar ishin Maqedonia dhe Greqia.

Pesëfishohet turizmi “patriotik”
Nuk ka asnjë dyshim që Rruga e Kombit iu dha mundësinë shqiptarëve të Kosovës që të kishin një destinacion turistik, që i ofronte të gjitha, në këndvështrimin e burimeve natyrore. Shqipëria, u bë “SanTropez” e turizmit për bashkëkombësit, aq sa u konsiderua “turizëm patriotik”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtesave të huaj përmes kufirit tokësor (nga ku hyrjet nga Morina zënë më shumë se 50% të totalit) shënuan një rritje të ndjeshme menjëherë pas vitit 2008, duke u pesëfishuar deri në vitin 2015.
Në një vit në Shqipëri hyjnë rreth 1.5-1.8 milionë shtetas nga Kosova, 70% e të cilëve vijnë në periudhën qershor-gusht.
Gjatë vitit 2009, industria e turizmit përllogariti një vlerë që ishte rreth 29% më e lartë se sa ajo e eksportit të mallrave dhe shërbimeve.
Në vitin 2010, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri u llogarit në rreth 3.5 milionë, nga të cilët rreth 1.7 milionë ishin shtetas të Kosovës. Distanca e shkurtuar e udhëtimit (në 2.5 orë) i bëri zonat bregdetare më shpejt të arritshme dhe me kosto më të ulët. Destinacioni i preferuar për shumë vite mbeti Durrësi, zona e plazhit e të cilit u bë si ‘shtëpia e dytë’ e bashkatdhetarëve nga Kosova. Turizmi në Shqipëri u favorizua edhe nga kultura dhe traditat e njëjta, gjuha e përbashkët, por edhe nga fakti se për të njëjtën cilësi mund të merrje pushime më të lira.
Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës ndihmoi edhe në shtrirjen gjeografike të pushuesve nga Kosova, të cilëve iu krijua mundësia që të njihnin edhe zonat më të largëta të jugut të Shqipërisë. Si rrjedhim, përfitimi ekonomik u shtri edhe në zonat e tjera të vendit. Edhe turizmi i fundjavës u zhvillua, ndërsa shifrat rriteshin edhe më tej gjatë ditëve të festave të përbashkëta apo eventeve sportive.
Zhvillimi i “turizmit patriotik” ndikoi edhe në sektorë të tjerë, si shitjet me pakicë, tregu i pasurisë së paluajtshme, akomodimi, etj., duke gjeneruar kështu më shumë vende pune dhe vlerë të shtuar. Një përfitim i rëndësishëm ishte edhe ai që merrej nga kursi i këmbimit, ku pozita e lekut forcohej kundrejt rivalëve euro dhe dollar.
Ajo që mund të thuhet në mënyrë të përmbledhur në lidhje me ndikimin që ndërtimi i kësaj rruge dha në turizmin shqiptar është se: ndihmoi në zhvillimin e ekonomive lokale; i siguroi shtetit të ardhura shtesë nga taksat, si TVSH-ja, taksa e fjetjes, ajo për vizita në atraksione turistike, etj;krijoi vende të reja pune qofshin këto edhe sezonale, si dhe mundësi të reja për të bërë biznes.
Në verën e vitit 2016 se numri i turistëve nga Kosova ka arritur nivelin më të lartë historik, me rreth 1.3 milionë shtetas që kanë hyrë për periudhën qershor-gusht.

Tregu i Pasurive të Paluajtshme
Pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i shqiptarëve të Kosovës për blerjen e apartamenteve në Shqipëri erdhi në rritje.
Agjentët imobilarë në vitin 2009 flisnin për një interesim të madh nga ana e shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë e diasporës, të cilët po bëheshin gati që pas ndërtimit të rrugës të nisnin prenotimin e shtëpive të dyta në bregdet. Çmimet e shitjes së apartamenteve luhateshin nga 400-900 euro për metër katror. Vetëm në vitin 2011 u blenë banesa dhe apartamente në vlerë prej afro 30 milionë eurosh.
Megjithatë, pavarësisht se tregu i ndërtimit ka arritur në ngopje, agjentët imobiliarë, të pyetur nga “Monitor”, një vit më parë flisnin për rritje të interesimit nga ana e shqiptarëve të Kosovës për të blerë shtëpi, kryesisht në bregdet, si pasojë edhe e rënies së çmimeve. Një nga zonat më të preferuara nga shqiptarët e Kosovës është Durrësi, nga Shkëmbi i Kavajës dhe duke u shtrirë deri në Golem.

Lidhja me Portin e Durrësit
Ndërtimi i tunelit të Kalimashit i reduktoi në mënyrë drastike kostot e transportit të mallrave nga dhe drejt Portit të Durrësit. Në këtë mënyrë, jo vetëm Shqipëria ishte më afër, por ajo lehtësonte edhe aksesin e biznesit nga Kosova drejt tregjeve të tjera dhe u jepte atyre mundësinë që për një kohë të shkurtër të shfrytëzonin një nga portet më të mëdha në Shqipëri.
Aksesi më i shpejtë drejt Portit të Durrësit u dha mundësinë sipërmarrjeve të Kosovës që të mos kishin vetëm një korridor furnizimi përmes Selanikut. Rruga ndihmoi në reduktimin e kostove me rreth 50% në krahasim me Greqinë dhe Malin e Zi. Korridori Durrës-Kukës ka rëndësi të madhe për faktin se transporti i mallrave dhe i pasagjerëve zë peshën kryesore të transportit në total, si brenda vendit ashtu dhe me Kosovën.

Matanë Morinës
Një studim i realizuar nga RIIVSET dhe KFOS në vitin 2015 citonte ndikimin që ka pasur në marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, realizimi i asaj që njihet si Rruga 7 ose rruga “Ibrahim Rrugova”, vazhdim i segmentit Milot–Morinë.
Në të thuhet se ndërtimi i kësaj rruge ka qenë më i favorshëm për prodhuesit e Shqipërisë sesa për ata të Kosovës. “Megjithatë, konsumatori i Kosovës, si rezultat i ndërtimit të Rrugës 7 ka pasur qasje në një gamë më të gjerë të produkteve, e në shumë raste (potencialisht) i ka konsumuar ato produkte me çmime më të ulëta, për shkak të kostos më të ulët të transportit.
Por, pavarësisht se Rruga 7 nuk ka ndikuar shumë në rritjen e eksportit drejt Shqipërisë, ajo po shërben tani si rrugë alternative për eksportin e vendeve tjera (B&H, Serbia dhe Maqedonia) në Shqipëri, përmes Kosovës.
Pra, rruga ka zëvendësuar Maqedoninë dhe Malin e Zi si vende tranzite për eksportin e Kosovës, por edhe të vendeve të tjera drejt Shqipërisë. Shfrytëzimi i Rrugës 7 për transport të mallrave të vendeve fqinje drejt Shqipërisë, mund t’i sjellë përfitime indirekte ekonomisë kosovare (në rritje të të hyrave nëse aplikohet pagesë në rrugë, në shitje të karburanteve, në industrinë e hotelerisë dhe restoranteve, e të tjera).
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, edhe eksporti nga Kosova, i cili ka destinacion final Malin e Zi, po transportohet përmes Rrugës 7, dhe si rezultat ka ulur në masë të madhe përdorimin e “Kullës” si pikë doganore. Gjithashtu, pika doganore e Morinës (Vermicë) tani po shfrytëzohet edhe për eksportet e Kosovës dhe Shqipërisë, me destinacion të fundit vendet e Europës”.
Një tjetër studim, i vitit të kaluar, i realizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore, nënvizonte se Shqipëria ka pozicion udhëheqës si partnere strategjike e Kosovës për eksportet e saj dhe për këtë rol ka pasur edhe ndërtimi i autostradës në vitin 2009.“Ky investim ka pasur ndikim të ndjeshëm në drejtim të zvogëlimit të sasisë së eksporteve të destinuara nga Maqedonia. Mirëpo, pas një analize të thellë të trendeve të shkëmbimeve tregtare dhe shfrytëzimit të autostradës për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, që nga koha e ndërtimit të saj arrihet në përfundimin se ndërtimi i kësaj autostrade ka zëvendësuar Malin e Zi dhe Maqedoninë si shtete tranzite për eksportet e Kosovës në Shqipëri, ndërsa në vëllimin e eksportit nuk ka pasur ndonjë efekt të dukshëm.
Po ashtu, vlerësohet se autostrada është një subvencionim jo i drejtpërdrejtë që u kemi bërë vendeve të treta të cilat shfrytëzojnë këtë alternativë për një transport më të shpejtë dhe me kosto më të ultë”, thuhet në analizën e këtij instituti. Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike Kosovë–Shqipëri janë kufizuar me shkëmbime tregtare të profilit eksport/import pa ndonjë avancim të dukshëm në drejtim të tërheqjes së investimeve direkte në mënyrë të përbashkët apo respektive.
Sipas të dhënave që citon studimi, kulmi i investimeve në Kosovë nga bizneset nga Shqipëria është regjistruar në vitin 2010, me 108 ndërmarrje të reja. Dominonin ndërmarrjet tregtare, si dhe ato të ndërtimit dhe farmaceutikës.
Studimi nënvizon se: “Përkundër faktit që pjesëmarrja e dy vendeve në portofolin tregtar të njëri-tjetrit është jo e kënaqshme, si dhe duke marrë parasysh ofertën e varfër në hedhjen e produkteve në tregjet reciproke, pritet që në vitet e ardhshme, shkëmbimet midis Kosovës dhe Shqipërisë të rriten edhe më tej, për shkak të lidhjeve kulturore, përmirësimit të planifikuar të infrastrukturës, modernizimit të procedurave administrative, qarkullimit më të madh të njohurive dhe teknologjisë, si dhe faktorëve të tjerë. Përveç potencialit, qasja në tregun e Shqipërisë siguron një nivel të konsumit automatikisht më të lartë. Rëndësia e Shqipërisë qëndron në faktin që ajo siguron dalje në det për mallrat e Kosovës”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency