Sot, protestë dhe asamble/ “Mbetjet e shëndetshme”, kanabisi dhe qeveria “Rama”. Për kë bien kambanat?!

0
122

“Deri para tre javësh, askush nga përfaqësuesit e qeverisë nuk kishte dalë  në publik për të sqaruar çështjen e importit të mbetjeve, për të dhënë argumentat se pse ky ligj sipas tyre nuk ka rrezik për vendin dhe pse ai po sipas qeverisë, mund të sjellë të mira për Shqipërinë”

 

Pa më të voglin dyshim që periudha aktuale mund të cilësohet si një ndër më të vështirat që ka kalkuar mazhoranca qeverisëse pas asaj të vjeshtës së 2013-ës, ku u përball me zemërimin popullor lidhur me armët kimike. Miratimi i ligjit për mbetjet dhe situata me kanabisin në vend i ka dhënë jo pak tronditje qeverisë, e cila nga ana e saj është munduar të përcjellë në publik imazhin e një Shqipëria që më në fund po bëhet “shtet”. Sigurisht që në këtë pikë, nuk mund të lëmë pa vlerësuar disa aksione të ndërmarra nga qeveria në këto tre vite, por se bilanci rëndon në anën e kundërt të peshores po të marrim në krahasim shumë sektorë të tjerë. Përtej lavdeve publike, arsimi dhe  shëndetësia janë dy ndër pikat më nevralgjike të kësaj qeverie, të cilat në fillim të nisjes së mandatit u cilësuan si prioritare, por se tre vite më pas, për to nuk mund të thuhet se ka progres të dukshëm. Vetë deklarata e kreut të qeverisë pak ditë më parë se vitin e ardhshëm do korrigjohet mënyra e pranimit të maturantëve në universitete tregon se skema aktuale ka dështuar. Ngatërresa e madhe që kjo skemë shkaktoi tek maturantët e këtij viti, ku ende shumë prej tyre kanë ngelur jashtë dyerve të universiteteve, nuk mund të cilësohet kurrsesi si një sukses. Po ashtu edhe ligji i Arsimit i miratuar mes shumë debateve nuk mund të përfshihet tek anët pozitive të këtij sektori. Ndërsa sa i takon sistemit shëndetësor, nuk ka munguar asnjë ditë kritika dhe akuza ndaj tij, duke nisur nga ato për ministrin lidhur me tenderat për ilaçet e deri tek pamjaftueshmëria e këtij sektori për të vepruar në mënyrë efikase ndaj pacientëve. Por nëse për këto sektorë, akuzat, debatet, diskutimet e madje protestat kanë pasur një cikël, pra kanë nisur e janë mbyllur ose deri diku kanë mbetur si kauza të “mbytura”, duket se komplet tjetër paraqitet situata me kanabisin dhe mbetjet.

Ligji për mbetjet

Zhurma, debati dhe reagimi i fortë qytetar që ka shkaktuar ligji për mbetjet nuk është se nuk ishte parashikuar nga qeveria. Kryeministri ka qenë i vetëdijshëm se sjellja e një ligji të tillë në Parlament do ta kthente atë në një target jo vetëm të opozitës, por edhe të shoqërisë civile apo medias. Por nëse strategjia e përgatitur e cila vuri në thelb ndryshimet mes dy ligjeve dhe ndarjen mes “plehrave” dhe “mbetjeve” nuk solli rezultatin e dëshiruar për qeverinë, kjo erdhi edhe në saj të mangësisë së përhershme të ekzekutivit “Rama”: mungesës së transparencës dhe mos informimit të publikut. Deri para tre javësh, askush nga përfaqësuesit e qeverisë nuk kishte dalë  në publik për të sqaruar çështjen e importit të mbetjeve, për të dhënë argumentat se pse ky ligj sipas tyre nuk ka rrezik për vendin dhe pse ai po sipas qeverisë, mund të sjellë të mira për Shqipërinë. U desh ngritja e zërit nga shoqëria civile dhe akuzat e opozitës që qeveria të kujtohej për të sqaruar opinionin publik. Në rast se këto kundërshtime nuk do kishin ndodhur , me shumë mundësi, qeveria do mundohej ta kalonte këtë ligj si shumë të tjerë në parlament, për të mos thënë që kjo alternativë ka qenë edhe një shpresë nën hije e saj. Por përtej këtij supozimi, ajo që mbetet si fakt është se shpeshherë qeveria “Rama” me nisma që kanë impakt  të gjerë në publik gjithmonë është treguar diskrete dhe jo transparente. Rasti më tipik është ai i armëve kimike, ku mungesa e informacionit dhe e transparencës solli reagimin mbarë popullor që detyroi kryeministrin Rama ti thonte “jo” aleatëve tanë pasi më parë i kishte premtuar të kundërtën. Duket se kjo qeveri nuk vë mend në këtë pikë,  pasi gjithnjë e më shumë mundohet ti mbajë të fshehta publikut detaje të çështjeve që kanë rëndësi të bëhen transparente për tu diskutuar e debatuar lirshëm nga palët e interesuar.  Në të ardhmen, të afërt apo të largët, kjo mangësi mund ti kthehet kësaj qeveri në një ndër pikat më të dobëta, që mund të ndikojë direkt edhe në pushtetin e saj.

Ndërkaq kjo kundërshti e fortë ndaj ligjit të mbetjeve vjen edhe në saj të qëndrimit të mbajtur nga vetë forca politike që e risolli për votim. Në vitin 2011 kur qeveria e kaluar e drejtuar nga Sali Berisha solli ligjin për mbetjet, hasi në kundërshtinë e fortë të socialistëve opozitarë të asaj kohe. Kreu i PS-së Rama foli në atë kohë për interesa mafioze të mbështetura mbi këtë ligj, edhe pse edhe në atë kohë nuk flitej për “plehra” por thjeshtë për “mbetje”. Deklaratat e vazhdueshme të opozitës socialiste kundër këtij ligji dhe marrja e iniciativës për referendum e kthyen PS-në në atë kohë në një forcë politike që mori mbështetjen e fortë të shoqërisë civile. Kjo mbështetje u forcua edhe më shumë me premtimin për të anuluar sapo të vinin në pushtet ligjin e miratuar nga qeveria e kaluar. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi. Sapo erdhi në pushtet, qeveria “Rama” vendosi të anulojë ligjin për mbetjet, duke i dhënë më shumë pikë vetes në sy të publikut. Por ndryshimi 180 gradë i qëndrimit tre vite më pas, duke rikthyer në Parlament ligjin për mbetjet, megjithëse nuk duhet mohuar se numri i tyre është shumë më i vogël, më të paktën e paraqiti qeverinë përpara publikut si të pavërtetë.  Sigurisht që argumenti i mos falimentimit të kompanive të riciklimit është i vlefshëm. Por përse ai nuk u mundua tre vite më parë nga qeveria aktuale kur anuloi ligjin e ekzekutivit paraardhës? Kryeministri e argumentoi këtë veprim me arsyen sipas së cilit ky anulim ishte bërë për ti dhënë shtysë kompanive të riciklimit që të merreshin më shumë në këto vite me mbetjet në vend! Arsyetim që më së paku krijon shumë pikëpyetje për një vendim të marrë tre vite me parë me bindje të plotë se po kundërshtohej një e keqe që i ishte vënë padrejtësisht Shqipërisë.

Gjithsesi ajo që mbetet në histori është vazhdimësia e çështjes, e cila pritet të ketë ende “kapituj” deri në fundin e saj. I pari kapitull i përballjes së drejtpërdrejtë është ai i sotmi me protestën e shoqërisë civile, të mbështetur edhe nga opozita. Në të njëjtën kohë të protestës, PS e cila është edhe forca kryesore që po përballet me kundërvënien e qytetarëve, do të zhvillojë sot në periferi të Tiranës, punimet e Asamblesë Kombëtare. Ndonëse shanset e përballjes direkte mes palëve janë ta pakta, nuk kanë mungua zëra nga shoqëria civile që kanë bërë të ditur se përveç protestës përballë Kryeministrisë, ( ku Rama nuk do jetë në godinë) nuk do mungojë edhe zëri kundërshtues tek ambienti privat ku do të zhvillohen punimet e Asamblesë së PS-së. E përtej kësaj, shoqëria civile ka bërë të ditur se nuk do ndalet me kaq në këtë betejë duke vënë theksin tek çdo element që do mund të bëjë të mundur anulimin e ligjit të mbetjeve. Në këto kushte, nuk na mbetet vetëm të presim se cili do jetë fundi i kësaj historie që me shumë gjasa do vazhdojë të jetë në qendër të debatit politik dhe publik.

kanabisi-2 mbledhje-qeverie

Kanabisi

Ndërkohë një tjetër çështje e cila po i krijon jo pak probleme qeverisë dhe në tërësi koalicionit të majtë është ajo e kanabisit. Ngjarjet e fundit në Ishëm dhe Mata, ku në të parën ra avioni që pritet të transportonte drogë dhe në të dytën u zbulua një laborator me 3 ton hashash brenda tij, kanë rihapur edhe një herë debatin për këtë çështje. Ajo që mund të thuhet pa më të voglin dyshim është se çështja e drogës ka qenë vazhdimisht në qendër të akuzave ndaj qeverisë në këto tre vite. Sigurisht m, vrullin më të madh kjo çështje e mori kur piloti i “mirënjohur” tashmë Riformato ra me avionin e tij në Divjakë, gjë e cila në një farë mënyrë vërtetoi edhe akuzat e asaj kohe të opozitës për trafik të drogës nga ajri. Ndonëse qeveria gjithnjë në pararojë të këtij debati është mbrojtur me aksionin  në Lazarat, nuk kanë munguar nga ana tjetër ngjarjet dhe zhvillimet e shumta që lidhen me kanabisin, të cilat kanë vënë shpeshherë në pozitë të vështirë ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin. Në fakt vetë aksionet e policisë në të gjitha anët e vendit për kanabisin i kanë dhënë jo pak argumenta në favor të tezës tashmë të përhapur në opozitë ,por jo vetëm, sipas së cilës Shqipëria shpëtoi nga Lazarati por u “kanabizua” në të gjithë territorin e saj. Madje pak ditë më parë, fiks pas deklaratave të kryeministrit dhe kryepolicit Çako që theksonin se nga vrojtimet nga ajri nuk kishte më parcela kanabisi në vend, si për koicidencë një fluturim prove i ministrisë së Mbrojtjes, nxori në shesh një fushë të tërë të mbushur me kanabis në fshatrat pranë kryeqytetit. Sigurisht që fenomeni i kanabisit nuk përbën një histori të re për vendin, pasi ai jo vetëm ka ekzistuar më parë, por edhe ka lulëzuar në Lazarat. Por  ajo që më së shumti dallon në këto vite të qeverisjes së të majtës është fakti se tashmë kanabisi duket i përhapur në territore të shumta të vendit, e madje nga shumë qytetarë ai është cilësuar si ekonomi për familjen. E pikërisht kthimi i kanabisit në një fenomen, përbën një ndër pikat më të sulmuara të qeverisjes së majtë, e cila përtej kundërpërgjigjeve zyrtare, nuk ka mundur të vërtetojë se lufta ndaj drogës në këto vite ka qenë ballore dhe pa “dredha”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency