Reforma zgjedhore/ PS i mohon opozitës kërkesën për votim e numërim elektronik: Votimi i emigrantëve, realizohet

0
152

Kryetarja e KQZ, Luzi: Mbyllja e punës së Komisionit të reformës zgjedhore në dhjetor është e pamundur

 

Gëzim Saliu

 

Votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 has për herë të parë në kundërshtinë e Partisë Socialiste. Ndryshe nga pak ditë më parë ku në tryezën e Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, PS theksoi se do të shihej mundësia e realizimit të propozimit të demokratëve për votimin dhe numërimin elektronik, ditën e djeshme bashkëkryetari i Komisionit Taulant Balla tha se kjo dukej e pamundur. Sipas tij  është e rëndësishme që vendi të mos rrezikojë procesin zgjedhor për çështje teknike të cilat nuk janë provuar asnjëherë më parë. “Kjo çështje kërkon një infrastrukturë teknologjike shumë të avancuar dhe e shtrirë në 89 KZAZ, kështu që unë nuk dua të hyj në asnjë lloj diskutimi për këtë çështje sa kohë që ende ne në Shqipëri nuk kemi parë të realizuar një projekt pilot, identifikimin biometrik apo numërimin elektronik. Është e rëndësishme që procesi zgjedhor të mos mbetet në aspektet teknike”, tha ai. Por nga ana tjetër, socialisti tha se propozimi i PS për votimin e emigrantëve është i realizueshëm. “Do të ishte shumë mirë nëse ne do të arrinim të bindnim edhe kolegët e opozitës që edhe ata të bien dakord me kërkesën tonë për t’u mundësuar shqiptarëve në emigracion pjesëmarrjen e tyre dhe shprehjen e tyre për kë duan ata që të drejtojë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme”, deklaroi Balla.

Qëndrimet

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i kërkoi dje ndërkombëtarëve të asistojnë ekspertët shqiptarë të reformës zgjedhore, njësoj si për proçesin e reformës në drejtësi, për të siguruar një kod zgjedhor me standard. Në tryezën e organizuar nga forumi civil 2010, ish -Presidenti kërkoi që reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo ekskluzivitet i forcave politike. “Reforma zgjedhore, mendojmë ne si forum, nuk mund të jetë monopol thjesht i partive politike por duhet të ketë karakter gjithëpërfshirës.Këta miqtë tanë ndërkombëtarë do të ishte më mirë siç bënë me reformën në drejtësi, të vinë dhe të ulen këtu bashke më ne, me specialistët tanë dhe të bëjmë një kod që të mos i kthehemi më atij kodi’, tha ai. Ndërkaq kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi, tha se përmirësimi i të gjitha problematikave zgjedhore 2 muaj para dekretimit të datës së zgjedhjeve, është gati i pamundur. “Dekreti i Presidentit del në dhjetor, ne jemi në fillim të tetorit, Komisioni akoma nuk ka filluar punë dhe të mendojmë se të gjithë këto ndryshime të mëdha të kalojnë në një periudhe të shkurtër kohe, sigurisht që ajo që na mbetet neve të dëgjojmë dhe të parashikojmë është që nuk do të ketë reformë zgjedhore”, pohoi ajo. Komisioni i Reformës Zgjedhore rifilloi punën këtë javë pas 6 muajsh nga krijimi i tij, ku më parë ishin zhvilluar vetëm dy mbledhje. Objekti i punës së këtij Komisioni do të jenë rekomandimet e OSBE- ODIHR pas problematikave të hasura në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe ato lokale të vitit 2015.

 

maxresdefault-33

Skualifikohen nga Këshilli i Europës

Ina Rama, Gent Ibrahimi dhe Sokol Berberi refuzohen si gjyqtarë në Strasburg

Këshilli i Europës ka skualifikuar Gent Ibrahimin, Sokol Berberin dhe Ina Ramën si kandidat për gjykatës në Gjykatën Europiane. Emrat nuk janë hedhur në votim, ndërsa skulifikimi është bërë nga  Komisioni i Seleksionimit pranë Sekretarit të Përgjitshshëm të Këshillit të Europës dhe arsyet zyrtare lidhen  me procedurën e përzgjedhjes  dhe  shkeljen e  afateve te dorëzimit të emrave të kandidatëve shqiptarë. Procesi i ndjekur nga Qeveria shqiptare për  përzgjedhjen e 3 emrave si kandidatë për në Gjykatën Europiane,  u shoqërua me debate në Tiranë për shkak të kritereve të përzgjedhjes së tyre, prej të cilit Ministri i Drejtësisë nuk u ftua të marrë pjesë. Proçedura e  përzgjedhjes u zhvillua nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar më herët edhe kandidaturat e Azerbajxhanit  dhe dy herë edhe ato të  Sllovenisë. Në këto kushte Qeverisë shqiptare i duhet të nisë një proçedurë të re dhe të paraqesë tre kandidatura të tjera pranë Këshillit të Europës. Ndërkohë burimet pranë Qeverisë pranuan ngërçin në të cilin ndodhet proçesi i përzgjedhjes së kandidatit shqiptar për anëtar të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ndërsa theksuan se ende  nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e Strasburgut në raport me këtë çështje. Në ditet e ardhshme pritet jo vetëm një qëndrim zyrtar i palëve, por edhe hapat e mëtejshme që do të ndërmerren për të çuar përpara proçesin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency