Ligji i mbetjeve/ Flet Sazan Guri: Si i përgjigjem sulmeve për “mos aktivizim”. Kam qenë e mbetem kundër plehrave

0
158

“Në dukje mund të na ngjajë si një marshim i thjeshtë, por mund të ngelet dhe të quhet marshim historik. Duhet jetë një lëvizje, që mbetjet të mos jenë marrëdhënie e Kryetarit të bashkisë me kompanitë, ku historikisht kanë marrë pjesën”

“Sa për ata që mendojnë se ke djalin, po pse bini kaq poshtë, o të uruar. Po të ishe kështu, djalin e kisha edhe kur dola kundër Liqenin, edhe kur dola kundër për sheshin para një muaj, por edhe kur e kisha djalin me Bashën për katër vjet që dola kundër tij për Pallatet nën Digë”

 

Sejrie Baleta

 

Miratimi i Ligjit të mbetjeve ka sjellë reagime të shumta nga  aktivistë, ambjentalistë dhe qytetarë. Ambjentalisti Sazan Guri i cili është në vëmendjen e publikut sa herë që bëhet fjalë për cështje mjedisore në një intervistë për “Gazetën Standard” ka folur për qëndrimin e tij në lidhje me miratimin e këtij ligji dhe gjithashtu u është përgjigjur të gjithë kritikëve për mospraninë e tij në protestat e organizuara nga shoqëria civile kundër importit të mbetjeve.

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me miratimin e ligjit për importimin e mbetjeve?

Për këtë ligj ka vetëm një qëndrim, madje stoik si 3 vjet më parë, jo si 8 vjet më parë, jo si 12 vjet më parë. Sepse, të thuash do vijnë plehrat, sikundër shprehen në korr shumë persona të niveleve të ndryshme kemi thënë është të jesh i marrosur dhe do matesh me ligjin, të cilën këtë kauzë e kemi fituar njëherë së bashku me 70 shoqata mjedisore qysh në vitin 2004, ku kemi ngelur shumë pak të patundur si at’herë (K.Kati, L. Ferrunaj e E.Ballauri), ku studioja që unë drejtoj me kolegen time, (Marianthi Guri, si ekspert të mbetjeve) kemi qenë truri i kësaj lëvizje. Të thuash se mund të pranohen mbetje sot është po aq budallallëk, sepse jo se është e paligjshme si e para, por nuk kemi asnjë lloj standardi për t‘i pranuar. Ose nëse ka, pse nuk na i tregojnë qysh këto tre vjet. Ose nëse ka ndryshuar diçka, pse nuk na kanë informuan më parë. Ndaj ligji është i papranueshëm, për aq kohë sa nuk kemi infrastrukturë kontrolli kemi thënë, nuk ka kualifikim të punonjësve, skaner, etj., duke e thënë fort qysh kur u  bë ligji më 2011, se mbetjet nuk mund të vinë dot në Shqipëri, sepse lënë 20-30% mbetje të mbetjeve. Dhjetëra shkrime, libra e leksione me këtë devizë.

Si e shikoni ju këtë nismë të qeverisë  si një plan “mafioz” apo një çështje e domosdoshme?

Çështje e domosdoshme do quaja nëse Qeveria do merrej me mbetjet e vendit, sepse raportimet q ë bën Qeveria në nivel kombëtar, por edhe në llogari dhënie ndëreuropiane është se sa riciklon mbetje vendi dhe jo se sa mbetje importon.

Ju nuk ishit të pranishëm në protesta e organizuara nga shoqëria civile, cila ishte arsyeja e mungesës tuaj?

Sa për pjesëmarrjen në protestë, është dukur se nuk kam qenë shumë aktiv, sepse në protestën e parë kam qenë jashtë Tirane dhe nuk kisha lajmërim ose nuk e dija, ndërsa në protestën e dytë kam qenë nga ora 10 deri në 12 dhe u largova për të vetmin fakt që të bëja një shkrim enkas që e nisa pas protestës dhe mezi kapa çastet e fundit për shtyp të gazetës Shekulli, i cili doli të nesërmen. Po kjo është betejë, mor qytetarë të dashur, që nuk mbron sot, kush me armë (protestë) e kush me penë (shkrim) e kush me diplomaci (takime, letra). Duke takuar edhe me dhjetëra deputetë për t‘i bindur që të mos votonin ligjin, unë i bëra të tria, pra sa aty, sa këtu e sa atje.

Mungesa juaj ka bërë që kritikët të ngrenë zërin, si do tu përgjigjeni ju?

Nëse quhet mungesë shkrimi i parë në Korrik që sapo doli nga furra e Komisionit të Mjedisit kur të tjerët bënin plazh, apo shkrimi i dytë në shtator, apo dy shkrime në 3-4 portale si Mapo etj., apo thirrja për protestë më dt. 18-19 shtator me anë të gazetës shekulli apo komunikimi me argumente me deputetë. Sa për daljet televizive, ata kanë të drejtë. Por kam rastin ti drejtohem qytetarëve, që klanet e ndërtimit të mediave, nga qytetarë të përpjekur më kthyen në qytetarë të ndaluar. Nuk e kini kuptuar që mua më është hequr e drejta nga dy të mëdhenjtë e qeverisjes së lartë dhe asaj lokale të Tiranës, ku titullarët (jo pronarët) e mediave më thonë se na fal, o profesor, se nuk kemi se ç’bëjmë. Me zor siguroj tre katër media, si rasti i taksës së Rrugës së Kombit dhe ajo për sheshin qendër të Tiranës. Sa për ata që mendojnë se ke djalin, po pse bini kaq poshtë, o të uruar. Po të ishe kështu, djalin e kisha edhe kur dola kundër Liqenin, edhe kur dola kundër për sheshin para një muaj, por edhe kur e kisha djalin me Bashën për katër vjet që dola kundër tij për Pallatet nën Digë, po edhe kundër Hec-eve e Tec-eve të Berishës, por edhe kundër pallateve të Ramës qysh në 2004, për ato të Gardës (2015), dhe për atë të Fakulteti Ekonomik, (2016) dhe jo njëherë.

Ardhja për riciklim e mbetjeve në vendin tonë padyshim që ka ndikim të madh në mjedis, cila është thirrja që ju do i bëni organeve kompetente?

Me argumentin se nuk ka studim fizibël, nuk ka Vlerësim strategjik mjedisor, nuk ka vlerësim mjedisor për secilën mbetje, nuk ka studim të kostove përfituese, nuk ka informim dhe përfshirje të publikut në vendimmarrje, etj.,et., i kërkojmë zotit President të Republikës, për t’i thënë jo vendimit mbi importin e mbetjeve. Por, këto mjaftojnë dhe teprojnë edhe për ata Deputetë që e votuan këtë ligj duke qenë të papërgatitur. Ndaj më shumë do bërtisnim ndaj jush të nderuar deputetë se sa ndaj Presidentit, i cili me shumë siguri do ta kthej këtë Ligj. Keni ende kohë t‘i thërrisni zërit të brendshëm që rri te secili prej nesh si engjëlli me djallin, zërit të pastër që fle brenda secilit prej nesh bashkë me atë të ndotur, zërit të arsyes që dremit brenda secilit prej nesh si i ardhur nga të parët, zërit të fëmijëve që rriten midis nesh, duke dashur instinktivisht vendin, e mëpastaj të mos kërkojnë ta braktisin atë sepse Tokën dhe gjithçka nuk e kemi të trashëguar prej të parëve, por ia kemi borxh këtyre fëmijëve. Madje, do t‘ju kërkonim një nder. Bashkohuni me ne në marshimin e së shtunës dhe kjo është një ndjesë publike ndaj asaj që pa dashje, por të vënë në rresht, i bëtë publikut. Sepse zotërinj Deputetë, ju sikundër njeriu ka edhe ujkun e keq edhe të mirin brenda vetes. Po kë të zgjedh, i tha fëmija gjyshit apo cili fiton prej tyre brenda meje? Atë që ushqen iu gjegj gjyshi. Ndaj z. President, por më tepër ju zotërinj Deputetë, besoj se kini ushqim për të ushqyer ujkun e mirë.

A i përmbush vendi ynë standardet për riciklimin e mbetjeve të huaj?

Për aq kohë sa nuk kemi impiante të trajtimit të ujërave të përdorur nëpër fabrikat e vendit, jo vetëm në ato të riciklimit, që do kthej në ujera normalë ato që do dalin nga pastrimi i mbetjeve që vijnë, për aq kohë sa nuk kemi landfill-e ekologjik rajonalë, për aq kohë sa nuk kemi landfill-e për mbetje inerte, për aq kohë sa nuk kemi landfill-e për mbetje të rrezikshme, apo nuk kemi një djegës “state of art – qe nuk ndot) në rang kombëtar dhe marrëdhënie të një perceptimi pozitiv me publikun, këto standarde quhen, jo mbrapa, por anash.

Ndotja e mjedisit në vendin tonë është e lartë, a rrezikon të kthehet Shqipëria në një vend nga i ndotur në shumë i ndotur?

I thashë më lart se rrezikon, sepse ka mbetje që dalin nga një proces i mëparshëm teknologjik, si pluhuri i gomave, tallashi, filli tekstil, fleta të vogla alumini, që nuk bëjn ë mbetje sepse përdoren 100% direkt në prodhim, të domosdoshme për ekonominë e një vendi. Këto kërkojnë klasifikim tjetër, nga ato mbetje që lënë 20-30% mbetje të ujta, të gazta e të ngurta. A mundet neve që mbetjeve tona ti shtojmë dhe mbetje të tjerëve, përkundrazi, të merremi me tonat, dhe kur t’i bëjmë zero ati ulemi e flasim

Cilat do janë pasojat më të mëdha mjedisore që do të sjellë riciklimi i këtyre mbetjeve?

Shtimi i mbetjeve, shtim i ujrave të pista nëpër kanale e toka e ujra sipërfaqësorë dhe shtim i gazeve të helmëta në ajrin tonë lokal dhe spërqëndrim filozofie në vend të merremi me tonat do mendojmë për të tjerët.

Ndotja e mjedisit ndikon drejtpërdrejt dhe në shëndetin e njeriut..

E thashë më lartë

Do bëje thirrje për protesta apo reagime qytetare për ta ndaluar këtë nismë të qeverisë?

Në dukje mund të na ngjaj si një marshim i thjeshtë, por mund të ngelet dhe të quhet marshim historik, sepse do të jetë marshimi i parë për një çështje sociale, ku qytetari nuk marshon për ideal politik, por për ideal social.

Do të jetë marshim historik, sepse do i tregojë politikës që më parë se të vendosësh duhet të ulesh me qytetarët.

Do të jetë marshim për tu mbajtur mend, sepse mund të kthehet në lëvizje reale “Shqipëria zero mbetje në vend’, jo me anë të një aksioni të pastrojmë Shqipërinë për një ditë, por me anë të një filozofie të pastrojmë Shqipërinë për çdo vit.

Do të jetë lëvizje, jo thjesht, për të ndaluar mbetjet nga jashtë, por për t’u marrë me mbetjet e tua brenda. Duhet të jetë lëvizje, jo thjesht, të mos hidhen mbetje në rrugë, por të sistemohen ato të diferencuara, nëpër kosha plastik me kapacitet prej 1,7m3, të mbyllur, një për 1000 banorë, në vende jo të dukshme, me rreze shpërndarje prej 200m të sistemuara në katet përdhe të pallateve ose të rrethuar në zonat kopsht e publike të tyre, të përcaktuar enkas për mbetje të thata (plastik, letër, karton kanace,) dhe një tjetër për mbetje të njoma (organike). Dhe një tjetër më i vogël për mbetje elektronike.

Do jetë një lëvizje për mbetjet spitalore më vete, për mbetjet inerte në kazanë shumë më të mëdhenj më vete. Veç tyre duhet të ketë kosha të madhësive dhe ndyrave të ndryshme, nga 0,8m3 deri edhe në 0,2m3 me distanca respektivisht 60-700m dhe 100-200m.

Duhet jetë një lëvizje, që mbetjet të mos jenë marrëdhënie e Kryetarit të bashkisë me kompanitë, ku historikisht kanë marrë pjesën. O ka biznes që i bën privati kësi punësh, o asnjë biznes tjetër, ndërkohë që Bashkia kontrollon, ndryshe nga sot që Bashkia bën politika të menaxhimit të mbetjeve, hyn në biznes me privatin dhe kërkon ta kontrolloj atë e vetveten. Si është zgjidhur menaxhimi i energjisë, i rrugëve, etj. Bashkia i ndërton këto biznese?!. Është Axhencia e Prokurimeve Publike-APP që shpall një tender të caktuar, dhe Ministritë apo bashkitë mund të jenë institucionet e kontrollit, duke qenë se janë të linjës dhe përfituesit direkt nga aktiviteti përkatës.

Duhet të jetë një lëvizje për mbetje zero, ku mbasi të mblidhen 100% nëpër familje e rrugë e aktivitete ekonomike të shkojnë në gropë ekologjike dhe jo në vendflakje, apo në buzë lumi, në rrëpirë mali e përroi, ku Shqipëria me 3000 fshatrat e lagjet e saj ka po aq dampa, më saktë vendhedhje.

Duhet të jetë një lëvizje për mbetje zero, ku mbasi të shkojë në gropë ekologjike, si ajo e Sharrës, të trajtohet dhe jo gjoja të mbulohet, ku ujrat e helmëta i dalin nga poshtë dhe gazet e dëmshëm i fluturojnë nga sipër.

Duhet të jetë një lëvizje që të formojë koncept të shëndoshë mbi mbetjet, jo duke e quajtur si deri më sot sipas zhargonit popullor plehra, por mall që ka ende shumë energji për të dhënë, ka ende fuqi punëtore brenda, ka ende lëndë të parë natyrore, ka ende kosto për të nxjerrë prej saj, se ndryshe nuk na del ky planet, që deri më sot e kemi shfrytëzuar me koificient 1,2 ose 120% nga 0,1-0,2 ose 10-20% që duhet ta përdornim.

Duhet të jetë një lëvizje që mbasi të bëjë mbetjet e vendit zero, mbasi të sigurojë infrastrukturën e kontrollit, të flasë e të ulet, me politikën, me vendimmarrësit dhe me kompanitë e biznesit, se cila mbetje ‘mall’ apo produkt që na jep produkt tjetër, na bënë hair për vendin.

Duhet të jetë një lëvizje që të përcaktojë nevojën e një djegësi kombëtar modern termik për nevoja të pashmangshme të vendit, si për rastet mbetje të djegshme, farmaucetike, spitalore, proteinike me origjinë shtazore, etj.

Duhet të jetë një lëvizje që mendimin për mbetjen ta kthejë në filosofi për shkolla, për konferenca, për libra, për kontrollorë, për politika mbi politikën e menaxhimit dhe trajtimit të integruar të tyre, dhe jo të vazhdojmë deri më sot, një grup politizon, një tjetër lobon, një grup kundërshton, një tjetër arsyeton e pjek të ardhmen, por ndjehet i vetmuar, sepse shumica të papunë e të pafe gjejnë rastin të shfrejnë, sikur e duan këtë atdhe. Të varfërve në mendje e në shpirt, edhe kur iu çon dritën, prap i verbon. Pra edhe këta duan kohën e tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency