Prokuroria dyshime për përfshirjen e policisë në denoncimin e aferës me 18 mijë euro

0
147

Skandali i denoncuar dy ditë më parë në emisionin “Stop” në Tv Klan, ka krijuar një përplasje të re mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se, personi i cili shihet në video teksa i jep shumën prej 18 mijë euro oficerit të policisë gjyqësore, më herët është përdorur si person i infiltruar për çështje dhe skandale të kësaj natyre nga policia. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, organi i akuzës i ka kërkuar të paktën katër herë policisë të mos e përdorë më këtë person, pasi ai ka rezultuar si person problematik. Madje, edhe vetë prokurori Ardian Braho mësohet t’i kishte bërë një kërkesë të tillë policisë, në lidhje me kërë person. Por një fakt i tillë nuk është marrë parasysh nga policia. Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se i njëjti person është përdorur nga policia me qëllim futjen në kurth të oficerit të policisë gjyqësore, Fatos Lushi, i cili më herët ka sekuestruar edhe materialet në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit “IMCI Catcher”, për të cilën u pezullua nga detyra edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ndërsa prokurori në emër të të cilit, Lushi merr shumën prej 18 mijë eurosh është duke hetuar çështjen e një çimke përgjuese në zyrën e sekretares së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Janë pikërisht këto fakte, të cilat po “studiohen” nga Prokuroria, si një sulm i mundshëm ndaj strukturave të saj, nga Policia e Shtetit.

 

Roli i Lushajt në çështjen “IMCI Catcher”

Në datë 12 maj të këtij viti, Prokuroria e Tiranës, ka sekuestruar në Policinë e Shtetit disa kompjutera të marrë në zyrat e punonjësve që kanë pasur të bëjnë me pajisjen “IMSI Catcher”, ndërsa janë sekuestruar edhe serverët që regjistrojnë pamjet e kamerave për të parë hyrje-daljet të një makine që dyshohet se ishte instaluar pajisja e përgjimit. Më datë 6 Qeroshor të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata vendosi pezullimin nda detyra të drejtorit të përgjithshëm Haki Çako, i cili u kthye në detyrë pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Oficeri i policisë gjyqësore i shpallur në kërkim Fatos Lushi, ishte personi që sekuestroi materialet në ambientet e Policisë së Shtetit.

 

Hetimet e Brahos për çimkën në zyrën e Tahirit

Prokuroria e Tiranës më 3 qershor të këtij viti ka nisur një hetim në lidhje me një lajm se në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është gjetur një pajisje përgjimi. Prokuroi i cili drejton hetimet për këtë rast është Ardian Braho, i cili i ka caktuar disa detyra oficerëve të policisë, konkretisht sektorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme. Ka qenë kjo drejtori, që ka dorëzuar kallëzimin në Prokurori më datë 20 maj, dy ditë pasi pajisja ishte gjetur nga sekretarja e ministrit, e vendosur pas grirëses së letrave që ndodhej në paradhomën e Saimir Tahirit. Hetimet për këtë çështje janë ndjekur nga prokurori i pezulluar Ardian Braho.

Braho mohon akuzat për aferën

Ardian Braho, prokurori në emër të cilit oficeri i shpallur në kërkim Fatos Lushi mori shumën prej 18 mijë euro, ka mohuar akuzën se lekët do i përfitonte ai . Ditën e djeshme Braho është pyetur nga kolegët e tij pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje me videon, ku shihet oficeri Fatos Lushi i cili merr shumën prej 18 mijë euro në emër të Brahos për të zhbllokuar sekuestron prej 120 mijë eurosh. Mësohet se Braho është shprehur se nuk ka lidhje me këtë rast, madje ka treguar se Lushi ka përdorur emrin e tij për të përfituar shumën e parave. Nga ana tjetër ai është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë për një hetim të plotë të çështjes. Sipas prokurorit ai në asnjë rast nuk ka kërkuar para ose të ketë përfituar shumën prej 18 mijë euro për ti hequr sekuestron e 120 mijë eurove ashtu siç duket në kameran e fshehtë të realizuar dy ditë më parë. Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se, Braho ka shpjeguar me detaje rastin në fjalë, duke i vendosur në dispozicion të prokurorëve edhe vendimin e sekuestrimit dhe më pas atë të pushimit të sekuestros.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency