FOTO/ Hetoi Haki Çakon për përgjimet dhe Fullanin për auditin e KLSH, ja kush është prokurori Ardian Braho i denoncuar për korrupsion

0
243

Prokurori i denoncuar mbrëmjen e sotme nga emisioni “Stop”, për marrjen e 18 mijë eurove ryshfet një qytetari për t’i zgjidhur një çështje gjyqësore, është jo pak i njohur në sistemin e drejtësisë. Ardian Braho, aktualisht prokuror i Rrethit Tiranë, rezulton me një karrierë të gjatë në një sërë çështjesh të njohura edhe për publikun. 43-vjeçari nga Shkodra ka qenë prokurori në çështjen e sheshit “Skënderbej”, ku Lulzim Basha u akuzua për dëm ekonomik, në kohën kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Braho vendosi mbylljen e çështjes pasi tregoi se vendimi ishte marrë nga Këshilli i Bashkisë. Në vitin 2013 Prokuroria e Tiranës vendosi të pushojë padinë e këshilltarëve të PS-së ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës së aso kohe, Lulzim Basha për ndryshimin e projektit të sheshit “Skënderbej” dhe shkaktimin e një dëmi që llogaritet se shkon deri në 4 milionë euro. Sipas Prokurorisë së Tiranës, argumentimet për pushimin e hetimeve kanë qenë se nuk ka patur dëm ekonomik, se vendimi është marrë në mënyrë kolegjiale nga anëtarët e djathtë të këshillit bashkiak dhe se nuk ka vepër penale. Kaq ka mjaftuar që prokurori i çështjes Ardian Braho të vendosë mbylljen e dosjes. Braho ka qenë edhe prokurori që po hetonte Bankën e Shqipërisë dhe ish-Guvernatorin Ardian Fullani për shkak të shkeljeve të gjetura gjatë një auditi të kryer nga KLSH. Një tjetër çështje e njohur, të cilën ai ka në CV-në e tij, është edhe ajo ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako në çështjen e përdorimit të pajisjes së përgjimit. Por edhe në çështjen hetimore ndaj ish-kreut të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha. Prokurori Braho ka qenë dhe pjesë e taskforcës së Prokurorisë së Tiranës që hetoi çështjen e mashtrimit me TVSH-në në industrinë e përpunimit të metaleve që përllogaritej se i kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 26 milionë dollarë./ BalkanWeb

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency