Mësuesit për shkollën dixhitale

0
331

Një artikull tonin informues të para pak ditëve mbi shkollën dixhitale ngjalli reagime të shumta, veçanërisht nga mësues të cilët dërguan dhjetëra mesazhe me komente dhe sugjerime.

Nisur nga ky interes në zhvilluam një sërë bisedash me mësues të shkollave dixhitale në Tiranë për këtë çështje. Të gjithë mësuesit, pa asnjë përjashtim, kërkuan të mbeten anonimë, sikurse kishin kërkuar të mbeten edhe ata që na shkruan.

Por shqetësimet e tyre nuk duhet të mbeten të padëgjuara, pasi ata janë aktorët kryesorë të projektit të rëndësishëm të dixhitalizmit të shkollës dhe, si të tillë, duhet të luajnë rol të rëndësishëm në përmirësimin e kësaj përvoje të re.

Mësuesit duket se kanë shqetësime të shumta, mbi të gjitha pakënaqësi dhe dyshime për mënyrën si janë bërë gjërat, të cilat i shprehin duke ngritur shumë pyetje të shumta.

Më poshtë ne kemi përbledhur disa nga pyetjet kryesore që ndeshëm gjatë intervistave:

  • Pse nuk jemi informuar për shkollën dixhitale? Çfarë është kjo lloj shkolle? Ç’do të thotë?
  • Çfarë ka ndryshuar në infrastrukturën e shkollës, formimin e mësuesve dhe zhvillimin e nxënësve që papritmas e gjejmë veten pjesë të një shkolle dixhitale?
  • Çfarë ndodh nëse si shkollë kemi zgjedhur një tekst dixhital, i cili nuk ka një tekst klasik fitues?
  • Në qoftë se në një shkollë dixhitale ka vetëm 2 ose 3 klasa dixhitale (pra 2 ose 3 klasa me projektor dixhital dhe me tableta për nxënësit), kush do të bëjë mësim më parë në këto klasa?
  • Në rastet kur bëhet mësim në dy klasa dixhitale paralelisht, rrjeti përgjithësisht pëson defekt. Ç’do të bëhet me mësimin dixhital? Kush përgjigjet për gjithë këto orë të humbura mësimore?
  • A do t’i marrin tabletat nxënësit edhe në shtëpi? Nëse jo, si do të vijojë përgatitja e tyre?
  • Çfarë është menduar për nxënësit që nuk kanë internet në shtëpi?
  • Pse janë caktuar si shkolla dixhitale, shkolla që nuk kanë vazhdimisht internet?
  • Si do të zhvillohet mësimi dixhital kur ikin dritat, gjë që ndodh jo rrallëherë?
  • Pse më datën 30 gusht u lanë të lirë të zgjedhin tekste klasikë, dhe me datën 31 gusht u “urdhëruan” të zgjedhin tekstin dixhital?
  • Pse u “urdhërua” zgjedhja e tekstit dixhital, në një kohë kur flitet për altertekst dhe kur mësuesit duhet të kenë liri akademike të zgjedhin tekstin e tyre?
  • Pse librat dixhitale të programeve të reja (të reformuara) nuk ndryshojnë nga librat klasikë, të cilat janë ndërtuar sipas programeve të vjetra?
  • Me çfarë do të kryhet mësimi dixhital kur në shkolla nuk ka infrastrukturë dixhitale?
  • A ka një plan Ministria e Arsimit për trajnimin e mësuesve dhe informimin e nxënësve për një mësimnxënie ndryshe? Nëse po, pse nuk publikohet? Kush do t’i trajnojë mësuesit për mësimdhënien dixhitale? (Megjithëse kjo gjë duhej të ishte bërë kohë më parë.)
  • A e ka marrë kush parasysh që nxënësit mund të mos jenë të përgatitur për mësimnxënie dixhitale? Kush na garanton përqendrimin e tyre ndaj ekranit për gjatë gjithë ditës së mësimit?
  • Pse kolegët e shkollave të dixhitalizuara shprehen se mësimi është “njësoj si më parë”? Ç’do të thotë kjo? Mos vallë digjitalizimi është diçka vetëm në letër?

Sido që të jetë, të paktën tri gjëra janë të rëndësishme sa i takon marrëdhënies që ata që ngrenë politikat ndërtojnë me mësuesit.

Së pari, ata që hartojnë politikat arsimore duhet të tregojnë gjykim të mirë në përzgjedhjen e politikave që i përshtaten kontekstit të vendit. Mësuesit e njohin arsimin më mirë nga brenda dhe i gjykojnë proceset më me imtësi nga sa mendojnë politikë-bërësit. Prandaj, një politikë e pamenduar mirë, i zhgënjen mësuesit dhe sjell humbjen e mbështetjes së tyre.

Së dyti, besimi është parësor në marrëdhënien midis administratës arsimore dhe mësuesve. Një administratë që ndërmerr një politikë pa u këshilluar paraprakisht me mësuesit është më pak e pëlqyer se një administratë që këshillohet me ta më parë. Edhe pse tani ky proces ka filluar, nuk është ende vonë që administrata të këshillohet me mësuesit në lidhje me këtë problem.

Dhe së treti, magjia në arsim ndodh vetëm kur mësuesit e kuptojnë politikën e re ose ndryshimin që po propozohet. Nëse një administratë nuk shqetësohet që mësuesi të kuptojë politikat e reja, por mjaftohet thjesht me informimin e tyre, kjo zgjidhje nuk sjell zhvillim.

Mësuesit duhet jo vetëm ta kuptojnë ndryshimin, por edhe të krijojnë idetë e tyre se si këto ndryshime reflektohen në klasë dhe jashtë saj. Nëse administrata nuk u jep mundësi mësuesve për të kuptuar politikat e reja, atëherë biseda/komunikimi mësues-administratë kthehet në joprodhimtare.

Në këtë kuadër, mendimet e mësuesve mbi shkollën dixhitale nuk duhen anashkaluar.

 

Exit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency