Kombet e Bashkuara paralajmërojnë: Mbetjet toksike hidhen në vendet e varfra

0
173

Miliona telefona celularë, laptopë, tableta, lodra, kamera dixhitale dhe aparate të tjera elektronike të blera këtë Krishtlindje janë të destinuara të krijojnë një përmbytje të rrezikshme “e-mbetjesh” të cilat janë flakur ilegalisht në vendet në zhvillim. Kështu ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Volumi global i mbetjeve elektronike pritet të rritet me 33 për qind gjatë katër viteve të ardhshme, e do të peshojë sa tetë piramida egjiptiane të mëdha, sipas matjeve të  iniciativës “StEP” të Kombeve të Bashkuara, e krijuar për të përballuar rritjen e krizës së e –mbetjeve. Vitin e kaluar rreth 50 milionë tonë e-mbetje u gjeneruan në mbarë botën – ose rreth shtatë kilogramë për çdo person në planet. Këto janë mallra elektronike të përbëra nga qindra materiale të ndryshme dhe përmbajnë substanca toksike si plumb, mërkur, arsenik dhe material për ngadalësimin e zjarrit. Për shembull, një kompjuter mund të përmbajë deri në tre kilogramë plumb.

Kur arrijnë në landfill, këto materiale toksike lëshohen në mjedis, duke ndotur tokën, ujin dhe ajrin. Gjithashtu, aparatet shpërbëhen në kushtet e tyre fillestare. Punëtorët që punojnë në këto vende vuajnë vazhdimisht nga probleme shëndetësore, si pasojë e ndotjes.

Një tregues i nivelit të e-mbetjeve të dërguara në vendet në zhvillim u bë i ditur nga Interpoli, javën e kaluar. Sipas Interpolit, gati një në tre kontenier që dalin nga Evropa e që u kontrolluan nga agjentët e Interpolit përmbanin e-mbetje të paligjshme. 40 kompani po hetohen lidhur me këtë fakt.

“Periudha e Krishtlindjeve do të shkaktojë një hov në shitjet dhe mbetjet për rreth botës,” deklaroi Ruediger Kuehr, Sekretar ekzekutiv i StEP.

“Shpërthimi po ndodh sepse ka shumë inovacion teknologjik. Televizora, telefona celularë dhe kompjuterë po zëvendësohen gjithmonë e më shpejt. Jetëgjatësia e një produkti po shkurtohet.”

Sipas, raportit të StEP, e-mbetjet – të cilat përfshijnë që nga frigoriferët e vjetër deri tek lodrat, madje edhe furça elektrike dhëmbësh – janë bërë grupi i mbetjeve që po rritet më shumë. Kina gjeneroi 11.1 milionë ton vitin e kaluar, e ndjekur nga SHBA-të me 10 milionë tonë, por gjithsesi ka një ndryshim domethënës në sasinë e e-mbetjeve për person. Për shembull, mesatarisht çdo amerikan gjeneron 29,5 kilogramë, domethënë pesë kilogramë më pak për person se në Kinë.

Deri në 2017-ën, Ruediger Kuehr pret që volumi i produkteve të prishura apo që nuk përdoren më si televizorë, telefona, kompjuterë, monitorë, lodra elektrike dhe produkte të tjera të jenë të mjaftueshme për të mbushur 15 mijë milje me kamionë 40 –tonësh. Në Evropë, Gjermania shkarkon sasinë më të madhe të e-mbetjeve në total, por Norvegjia dhe Lihtenshtajni hedhin më shumë mbetje për person. Britania është tani e vendi i shtatë në botë duke shkarkuar 1.37 milionë tonë, ose rreth 21 kilogramë për person. Nuk ka shifra nga qeveritë apo industria që të tregojnë se sa shumë eksportohet.

Megjithëse është e ligjshme të eksportosh këto mallra në vendet e varfra nëse ato mund të ripërdoren, pjesa më e madhe dërgohet në Afrikë ose Azi me dëshmi të rreme, thotë Interpoli. “Shumë janë të klasifikuara në mënyrë të gënjeshtërt si “mallra të përdorura”, megjithëse në të vërtet nuk janë më funksionale. Ato shpesh devijohen për në tregun e zi dhe trajtohen si materiale të përdorura për të shmangur kostot që vijnë nga riciklimi i ligjshëm,” shprehet një zëdhënës i projektit. “ Një pjesë e rëndësishme e eksportit të e-mbetjeve shkojnë në vendet jashtë Evropës, duke përfshirë edhe vendet e Afrikës Perëndimore. Trajtimi në këto vende zakonisht ndodh në sektorë informalë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe duke rrezikuar shëndetin për popullatën vendase,” tha ai.

Pak vende e kuptojnë problemin, sepse nuk mbahet asnjë e dhënë mbi të gjithë e-mbetjet, shprehet Agjencia Evropiane e Mjedisit, sipas së cilës 250 mijë tonë deri në 1,3 milionë tonë produkte elektrike të përdorura dërgohen jashtë Evropës çdo vit, pjesa më e madhe për në vendet e Afrikës Perëndimore dhe Azisë. “Këto produkte më pas procesohen në kushte të rrezikshme, duke dëmtuar shëndetin e njerëzve vendas dhe duke dëmtuar mjedisin,” deklaroi një zëdhënës.

Një studim i ri i Institutit Teknologjik të Massachusets tregon se SHBA-të shkarkuan 258.2 milionë kompjuterë, monitorë, televizorë dhe telefona celularë në 2010-ën, nga të cilat vetëm 66 për qind u ricikluan. Afërsisht 120 milionë telefona celularë u mblodhën, pjesa më e madhe e të cilëve u dërguan në Hong Kong, Amerikën Latinë dhe Karaibe.

Jetëgjatësia e një telefoni celular tani është me pak se sa dy vjet, por qeveritë e vendeve evropiane, SHBA-ve dhe Japonisë thonë se qindra milionë po hidhen çdo vit. Në SHBA, vetëm 12 milionë telefona celularë u mblodhën për tu ricikluar në 2011-ën, megjithëse 120 milionë u blenë. Ndërkohë, modele të reja të telefonave po hidhen në treg duke lënë ato të vjetrat të përfundojnë nëpër landfille. Pjesa më e madhe e telefonave përmbajnë metale me vlerë. Qarku i brendshëm mund të përmbajë bakër, ar, zink, berilium dhe tantalium; veshjet e jashtme janë zakonisht të përbëra nga plumbi dhe kompanitë prodhuese të telefonave  po rrisin përdorimin e baterive prej litiumi.

Pavarësisht kësaj, më pak se 10 për qind e telefonave celularë çmontohet dhe ripërdoret. Pjesë e problemit është që kompjuterët, telefonat dhe pajisje të tjera elektrike po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe përbëhen nga përbërës gjithmonë e më vegjël.

Dështimi në riciklim është duke ulur gjithnjë e më shumë sasinë e mineraleve të rralla të tokës, të nevojshme për të prodhuar pajisje elektrike të gjeneratës së ardhshme. / Exit – Artikulli është marrë nga gazeta britanike “The Guardian”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency