Sekuestrohen llogaritë e biznesmenit rus në Tiranë,paratë vinin nga trafikimi i organeve

0

Një shtetas rus i akuzuar për trafikim të organeve në Izrael, ka tentuar të pastrojë para në Shqipëri nëpërmjet një klinike të hapur në qendër të Tiranës, në vitin 2014 nga një tjetër shtetas rus.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për sekustro preventive të llogarive bankare të klinikës “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske.

Nga monitorimi i vazhdueshëm rezulton se në llogarinë e shoqërisë “A News Life 4U” sh.p.k. ka mbërritur një transfertë në vlerën e rreth 40 mijë dollarëve me përshkrimin “faturë 2001 shërbime mjekësore” nga shteti i Izraelit e më konkretisht nga shtetasi, Boris Igor Volfman.

Sipas Prokurorisë ky shtetas  rezulton i përfshirë në transplantimin ilegal të organeve. Nga verifikimet e bëra ky shtetas ka llogari bankare në një tjetër bankë “të nivelit të dytë në Tiranë, në emër të kompanive që ai zotëron, konkretisht shoqëritë “Justsavelife” dhe “A.V.S. Investment Group”.

Po kështu transaksione rezultojnë të jenë kryer edhe me shtetasin Renato Mezini, i cili rezulton se në muajin Janar 2010 është ndaluar nga autoritetet italiane në Pescara si pjesë e një bande që trafikonte lëndë narkotike.

Sipas Prokurorisë nisur nga të dhënat e siguruara, konkretisht përfshirja e shtetasit Robert Shpolinske në transaksione me shtetasit e tjerë e për të cilët ka të dhëna në përfshirjen e tyre në aktivitete të jashtëligjshme atëherë ka dyshime të bazuara në prova se pasuria e luajtshme në emër të shtetasit Robert Shpolinske janë rezultat i këtij aktiviteti kriminal.

Klinika ishte hapur që prej vitit 2014 në Bulevardin Dëshmoret e Kombit,  tek kullat binjake, në një apartament.

Me objektiv fushën e turizmit mjekësor, gjithë shërbimet administrative dhe shoqëruese për turizëm mjekësor me sferë kryesore të veprimtarisë transplantimin e organeve.

Dy shtetasit e huaj po hetohen nga Prokuroria për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale.”/klan