Riciklimi si biznes dhe frika nga “mafia” e plehrave

0
350

 

Miratimi i ligjit që lejon importin e mbetjeve dhe prapaskenat që fshihen pas tij. Pse qeveria Rama riktheu një ligj që më parë e rrëzoi vetë dhe interesat e libit politik që u dhanë dorë kompanive që merren me riciklimin e mbetjeve. Ambientalistët japin alarmin se në pak vite do ketë probleme të mëdha mjedisore si pasojë e futjes së mbetjeve të importit në vendin tonë.

Nga Ilka Kapedani

Datë 15 shtator 2013, Edi Rama në mbledhjen e parë si kryeministër, vendosi bashkë me kabinetin e tij që të merreshin tre vendime, dy ishin çështje “estetike” dhe njëri u konsiderua esencial, pasi kishte të bënte me ndalimin e importit të mbetjeve në vendin tonë. Një gjest ekologjik i kryeministrit të ri, që më shumë se një veprim për të bërë shoë, nënkuptonte se ishte kundër çdo lloj importi të mbetjeve, të riciklueshme apo jo të tilla. Shqipëria e vogël nuk mund të bëhej grumbull i madh i mbetjeve të Europës. Tre vjet pas vendimit, shumë gjëra kanë ndryshuar, jo përsa i përket zhvillimit apo forcimit të institucioneve, por rrugës së vjetër të injorimit të shoqërisë që në këtë rast në shumicë është kundër. Pa harruar interasat e një grupi të vogël njerëzish që qarkullojnë miliona euro nga riciklimi i mbetjeve përgjatë një viti. Projektligji që i hap portën mbetjeve të botës, me “etiketën të riciklueshme”, u votua me 63 vota pro, 27 kundër dhe 3 apstenim u kthye në ligj. Megjithë thirrjet e pak njerëzve nga shoqëria civile që protestonin para portës së Parlamentit, të zgjedhurit e bënë zgjedhjen; fabrikat e riciklimit kanë të drejtën e importit të lëndës së parë. Edhe nisma e shkrimit të emrave të deputetëve që votuan pro ligjit në kazanët e plehrave është një gjetje mediatike, edhe ca politike nga “nismëtari” Blushi, por në fund duket se nuk do ndalë vrullin e importit të mbetjeve. Është fakt i kryer dhe qëndrimet janë vetëm dy! Politika mazhoritare nuk rresht së thëni se kjo nismë u mor jo vetëm për të mirën e biznesit, por si një mundësi për të hapur mijëra vende të reja pune. Nga ana tjetër mbetet një pjesë e madhe e shoqërisë që jeton me frikën e importit të mbetjeve të rrezikshme, që përkthehet jo më në vende pune, por në ndotje dhe njëkohësisht sëmundje. Ka edhe më “esktremistë” që ligjin e ri që lejon mbetjet e konsiderojnë si një mundësi të mirë të mafias kryesisht italiane për ta kthyer Shqipërinë në një vend depozitimi të mbetjeve të rrezikshme.

Si nisi, ashtu bitisi…

Në momentin që u rikthye në vëmendje projektligji që lejonte importin e mbetjeve, tre deputetë morën përsipër “lobimin” në mënyrë që ky draft të ngjante si i diskutuar. Deputetët e mazhorancës, dy të PS-së Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati dhe mbështetësi tjetër i LSI-së Bujar Derveni, prej disa javësh lobuan fuqishëm, (më shumë se vetë pronarët e fabrikave të materialeve të riciklueshme), për të rikthyer ligjin e vjetër të vitit 2011, që u jepte të drejtën kompanive që të fusnin në vendin tonë mbetje të konsideruara si jo të rrezikshme. “Miratimi i ligjit që lejon importin e mbetjeve hap shumë vende të reja pune, gjithashtu do nxirrte nga kolapsi kompanitë që kanë ndërtuar fabrika për përpunimin e materialeve të riciklueshme”-tha pak kohë më parë kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Parlament, Eduard Shalsi. Dhe si për të bërë një “makiazh” të lehtë, Shalsi dhe deputetët thirrën edhe disa përfaqësues të së ashtëquajturës shoqëri civile, që merret me problemet e ndotjes së ambientit, që çuditërisht ishin pro këtij drafti, ndërsa pesë vite më parë, qenë ndër të parët që kundërshtonin fort. Lobi bën fuqinë, por problematika e vërtetë është frika që përveç materialeve të riciklueshme (me ndotje relativisht të vogël), të futen edhe plehra nga vende të ndryshme të Europës dhe bashkë me to edhe mbetje të rrezikut të lartë.

Doganat si “kontrollorë”

Menjëherë pasi kartonët jeshilë në Parlament i hapën rrugën importit të mbetjeve u trumbetua me të madhe që kishin ndryshuar tre kritere kryesore, ndryshe nga më parë. Një ndër arsyet që sipas mazhorancës duhet të rikthente ligjin për importin e mbetjeve është edhe forcimi i institucioneve kontrolluese. Deputetet e mazhorancës theksojnë se ka një kontroll më të fortë doganor dhe gjithashtu kapacitetet në laboratorë dhe inspektorë të mjedisit janë shtuar. Gjithashtu në projektligj janë parashikuar edhe gjoba. Kush do të importojë mbetje të rrezikshme ose jo të rrezikshme pa autorizim, atëherë do të gjobitet me 1.5 milionë deri në 2 milionë lekë të reja. Ne relacionin që shoqëron këtë projektligj thuhet se importi duhet të lejohet pasi kjo industri punëson rreth 35 mijë persona. Sipas ambientalistëve, problem në vendin tonë janë kontrollet në dogana, gjithashtu edhe inspektorët e mjedisit jo vetëm nuk janë në lartësinë e duhur nga ana profesionale për të zbuluar dhe penguar futjen e mbetjeve, por mbesin kontigjent për tu korruptuar. Doganat në tregues vijojnë të jenë ndër institucionet më të kurruptuara të vendit. Çka nuk është më vetëm një perceptim publik, por mëse real, pasi të dhënat për futjen e mallrave kontrabandë janë të shumta, që vërtetohet edhe në raportet e analizës vjetore, për më shumë vetë kryeministri ka qenë mjaft kritik me punën doganore. “Kontrolli në doganat tona nuk bëhet në detaje, dhe nuk ka as njohje nga doganierët për të klasifikuar llojet e ndryshme të mbetjeve dhe shkalla e abuzimit është shumë e madhe”-thekson Lavdosh Ferruni, ambientalist dhe përfaqësues i AKIP (Aleanca Kundër Importit të Plehrave). Edhe brenda mazhorancës gjatë kohës që votohej ligji për mbetjet pati “firo” por jo aq sa të rrezikonin mosmiratimin e tij. Deputetët Dashamir Peza, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi votuan kundër, paçka se vota e këtyre të fundit dihej, ajo që habiti ishte kartoni “i kuq” që Peza ngriti kundër importit të mbetjeve.

Kundërshtimet e AKIP

Miratimi ligjit të ri të importit të mbetjeve ka riaktivizuar Aleancën Kundër Importit të Plehrave (AKIP), të cilët e kanë iniciuar këtë betejë që në vitin 2013. AKIP paralajmëron riaktivizimin e referendumit si dhe protesta popullore. Sipas tyre, ligji më I fundit I miratuar në Parlament përbën të njëjtin rrezik si ai i shfuqizuar në 2013-ën, dhe argumenti se sot ka mekanizma më të fuqishëm kontrolli nuk qëndron. Në fillim të shtatorit të vitit 2013, ku ende në pushtet ishte e djathta me kryeministër Sali Berishën, u mblodhën rreth 60 mijë firma që kërkonin zhvillimin e një referendum popullor për të vendosur nëse do ishin pro ose kundër importit të mbetjeve. Gjithçka ishte gati, madje edhe data qe përcëktuar, ku mesi i dhjetorit të vitit 2013 do e çonte vendin tonë në referendum popullor. Ardhja në pushtet e qeverisë së majtë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama e bëri nul këtë nismë, pasi numri një i qeverisë dhe kabineti tij vendosi shfuqizimin e ligjit që i hapte rrugë importit të mbetjeve. Kjo vlen si historik, pasi tashmë pas botimit në fletoren zyrtare dhe hyrjen në fuqi të ligjit, 38 fabrikat e madha që merren me trajtimin e mbetjeve të riciklueshme do të nisin importin. Specialistët e mjedisit shprehen të shqetësuar se problemi kryesor janë mbetjet e mbetjeve. Çka nënkupton se nga tonelata të tëra me materialeve të riciklueshme, në fazën përfundimtare do të ketë edhe mbetje të tyre. Pikërisht kjo konsiderohet rreziku i madh. Nuk mbaron vetëm me kaq, sepse fabrikat janë ndërtuar në zona më të populluara në vend dhe rreziku që mbetjet të kalojnë nga toka në ujë, ushqime, bagëti dhe më pas në një proces zinxhir deri tek njeriu, do sillte pasoja të rënda jo më në cilësinë e jetës, por në rrezikun se mbetjet do marrin jetë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency