Referendumi serb dhe droja për tërësinë e Bosnjës

0
177

Serbët e Bosnjës po votojnë të dielën në referendumin lidhur me “ditën kombëtare”, duke sfiduar vendimin e Gjykatës më të lartë të Bosnjës dhe trysninë perëndimore për të hequr dorë nga votimi që rrezikon nxitjen e tensioneve etnike në këtë vend të ndarë të Ballkanit. Referendumi lidhur me shënimin apo jo të 9 janarit si “ditë të shtetësisë” së Republikës Serbe, është i pari që nga viti 1992, kur që votuar për daljen nga ish federata jugosllave, gjë që çoi në luftën tri vjeçare që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë. Organizatorët e referendumit në pjesën e dominuar nga serbët në Bosnjë, thanë se rezultatet e para priten brenda 48 orësh. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, e kishte cilësuar referendumin të paligjshëm, meqë data e kremtes së kërkuar nga serbët, përkon me kremtimet e Kishës Ortodokse serbe dhe së këndejmi është diskriminuese ndaj boshnjakëve mysliman dhe kroatëve katolik që jetojnë në Republikën Serbe. Gjykata po ashtu e kishte ndaluar referendumin. Nëntë janari është data kur serbët e Bosnjës kishin shpallur pavarësinë nga Bosnja në vitin 1992, duke përshpejtuar luftën shkatërrimtare që u përshkua me vrasje masive dhe përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në territoret që ata synonin të ishin tërësisht me serbë. Ai ishte konflikti me i përgjakshëm në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore. Qeveria rajonale tha se do të veprojë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të bëjë ndryshime në ligjin për festat në mënyrë që “data e shtetësisë” të mos jetë diskriminuese ndaj të tjerëve, por vetëm pas votimeve në referendum. Shumë besojnë se duke sfiduar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, synon të vërë në pah dobësimin e autoriteteve qendrore të Bosnjës në Sarajevë dhe të hapë rrugën për ndarjen nga Bosnja. Diplomatët perëndimorë thanë se referendumi shkel marrëveshjen e paqes që u arrit në Dayton, Ohio në vitin 1995 duke i dhënë fund luftës në Bosnjë. Disa politikanë boshnjak thonë se ai do të dobësojë strukturat delikate të Bosnjës të krijuara për të mbajtur vendin e bashkuara pas luftës shkatërruese. Shumëkush në rajonet autonome boshnjake e kroate, druajnë se Republika Serbe po bëhet gati për t’u ndarë duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e Bosnjës si tërësi Derisa Shtetet e Bashkuara që kishin ndërmjetësuar marrëveshjen e Daytonit dhe vendet e Bashkimit Evropian bënë thirrje për anulimin e referendumit, Rusia e mbështeti atë. /VOA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency