EKSKLUZIVE/ Zbardhen dokumentet e skandalit: Ja ku i çon ministria fondet që jepen për të varfrit

0

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon skandalet e radhës: Një drekë faturohet me 6 mijë euro, dieta ditore që paguhen me 180 euro, më shumë se paga minimale mujore në vend! Ku përfundojnë këto lekë?

 

Ervin Kaduku

Çfarë ndodh me fondet e dhëna në adresë të shtetit shqiptar nga institucione, shoqata, shtete të huaja? Ato, sipas ligjit, ka të drejtë t’i përdorë institucioni, të cilit i adresohen, sipas objektit të tij të veprimtarisë. Por si shpenzohen këto fonde? Këtë zakonisht e analizojnë vetëm donatorët. Por këtë e bën edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili, në një auditim të mënyrës së përdorimit të fondeve të donatorëve të huaj nga administrate e ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka zbuluar fakte skandaloze.

Dokumentacioni 

Nga auditimi i financimeve të huaja për periudhën 2014-2015 në MMSR rezultojnë të identifikuara në formë granti gjithsej 20 projekte dhe një kredi nga Banka Botërore. Më total MMSR është përfituese e një vlere të përafërt 10 milionë euro nga donatorë të ndryshëm të BE si dhe rreth 14 milionë franga zvicerane akorduar nga Qeveria Zvicerane nëpërmjet marrëveshjeve ndërqeveritare. Kredia e Bankës Botërore me objekt “Modernizimi i Asistencës Sociale” është në vlerën 38 milionë Euro. Grupi i audituesve të KLSH ka konstatuar se në Ministria nuk disponon asnjë dokumentacion mbi aktivitetin e kryer nga këto projekte, përveçse ndonjë raporti përfundimtar ose të ndërmjetëm pavarësisht se MMSR është përfituesi i këtyre granteve të akorduara Shtetit Shqiptar.

MMRS që nga krijimi i saj, duke qenë se mbulon problematikën dhe pjesën vulnerabël të shoqërisë shqiptare, është asistuar ndër vite me fonde të donatorëve të cilët janë dhënë në formë financiare, teknike apo dhe në natyrë. Lidhur me këto projekte, pavarësisht kërkesës dhe insistimit të grupit të auditimit, rezultoi se Ministria dispononte vetëm një tabelë përmbledhëse të tyre dhe nuk është në gjendje të identifikojë përdorimin financiar lidhur me objektivat të cilat duhet të arrihen nëpërmjet financimit të tyre, nuk ishte në gjendje të identifikonte qartë se ku dhe si këto projekte menaxhohen, sa në përputhje ishin ato me Strategjitë Kombëtare dhe sa të identifikuara në përfitues ato janë. Në periudhën që u krye ky auditim, është pothuajse e pamundur të identifikohet një projekt i caktuar, produkti i tij dhe target grupi i përfituesve, për te pasur mundësi krahasimi nëse këto projekte përputhen me procedurat e sistemit të planifikimit të integruar (SPI) si kuadri kryesor kombëtar për hartimin e politikave dhe planifikimin financiar dhe alokimin e burimeve të brendshme e financimeve të huaja. Nuk mund të evidentojmë nëse përparësitë për financimin e huaj, janë bazuar në përparësitë e programit qeveritar dhe Strategjitë Kombëtare për zhvillim dhe integrim, strategjive sektoriale e ndërsektoriale dhe planit kombëtar për integrimin e vendit në BE. Pra MMRS nuk ka një memorje institucionale bazuar në të dhëna të plota për çdo projekt dhe produktet e përfituara prej tij. Mungesa e një “memorie” të tillë rrit riskun e përsëritjes së të njëjtave projekte me produkte të ngjashme që ndryshojnë vetëm nga terminologjia.

 ministria-e-veliajt

Raportimet

Nga auditimi dhe verifikimi i të dhënave në Ministrinë e Financave, rezulton se nga MMSR është raportuar vetëm projekti i Modernizimit të Asistencës Sociale me fonde të Bankës Botërore si dhe TVSH dhe Taksë doganore paguar për Projektin RISI Albania dhe Projektin GIZ dhe nuk ka të raportuar asnjë nga grantet e përfituara nga donatorët e ndryshëm megjithë vlerat e konsiderueshme, veprim ky që është në kundërshtim me kërkesat e pikës 20 të VKM nr.775 datë 24.09.2010, ku “Ministritë/institucionet qendrore dhe vendore, kur përfitojnë ndihmë financiare apo materiale nga fondacione, shoqata, ndërmarrje, individë të ndryshëm etj., detyrohen që menjëherë, të raportojnë në Ministrinë e Financave.

Mosraportimi në kohë ngarkon me përgjegjësi drejtuesin e institucionit dhe i jep të drejtë Ministrisë së Financave të rishikojë deri në pakësimin e fondeve buxhetore të kushtëzuara për vlerën e ndihmës së përfituar”. Ndërsa në pikën 21 përcaktohet: “Ministritë/institucionet qendrore dhe vendore, kur përfitojnë për projekte të ndryshme hua, grante apo ndihma materiale, rregullisht një herë në muaj, sipas afateve, raportojnë të dhënat në Ministrinë e Financave.”

Nga auditimi konstatohet se grantet dhe projektet, jo vetëm nuk raportohen por edhe nuk regjistroheshin në fund të vitit si të hyra apo si pjesë e buxhetit faktik vjetor, pavarësisht se grandet janë të hyra në Buxheti e Shtetit në ndihmë dhe mbështetje të Shtetit Shqiptar ku në bazë të informacionit të MMSR, Ministria e Financave ndjek, regjistron dhe raporton të gjitha transaksionet që lidhen me huat dhe grandet, referuar VKM nr.775 datë 24.09.2010 ku realizimi i huave dhe grandeve nga jashtë do të jenë pjesë përbërëse e buxhetit faktik vjetor si dhe do të ndiqet procedura e parashikuar në pikën 18 të tij ku: “Të gjitha të ardhurat nga huat dhe grantet do të regjistrohen si të hyra në “Llogarinë qendrore të thesarit”, në Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet tranzitimit në llogaritë speciale të hapura në emër të çdo projekti pranë Bankës së Shqipërisë. Huat dhe grantet që lëvrohen në natyrë, për shkak se pagesa e tyre bëhet drejtpërdrejt nga llogaritë e huadhënësit, do të regjistrohen si të hyra në buxhet, në bazë të njoftimeve të pagesave nga huadhënësi/dhuruesi dhe të konfirmuara nga institucioni përfitues, sipas procedurave që do të përcaktojë për këtë qëllim Ministria e Financave”. Nga ana tjetër vlera e këtyre granteve mungon edhe në pasqyrat financiare të Institucionit, i cili është dhe përfitues i tyre, kjo denatyralizon të dhënat e pasqyrave financiare dhe raportimin financiar.

 

Skandali “Risi Albania”

MMSR për projektet e granteve ka nënshkruar marrëveshje midis saj si Institucion përfitues dhe Donatorëve të ndryshëm. Bazuar në dokumentacionin që ju vu në dispozicion audituesve të KLSH, konstatohet se këto marrëveshje e vendosin pozicionin e Ministrisë pothuaj inekzistent dhe të padukshëm në administrimin dhe përdorimin e tyre drejt destinacionit të përcaktuar duke e transferuar kompetencat e veta tërësisht drejt donatorëve dhe palëve të treta. Këto marrëveshje e minimizojnë rolin e përfituesit (që është Ministria), duke e pozicionuar rolin e tij në pjesëmarrjen dy herë në vit në mbledhje të bordeve, pa të drejta vetoje mbi ndryshimin apo përqasjen e objektivave të ndryshme, apo dhe nevojave reale që ekzistojnë. Në këto marrëveshje, bihet dakord që në shumicën e rasteve administrimi i këtyre fondeve të kryhet nga palë të treta (OJF), nën monitorimin e donatorëve, siç është rasti i RISI Albania, (apo dhe të tjerë) ku projekti menaxhohet jashtë Ministrisë dhe nuk ka asnjë informacion financiar lidhur me komponentët e projektit dhe shumat përkatëse të financimit (kjo mungesë e aneksit financiar konstatohet dhe në relacionin dërguar Këshillit të Ministrave për Miratimin e Marrëveshjes).

Miratimi i marrëveshjes për RISI Albania nga ana procedurale është në kundërshtim me VKM nr.775 datë 24.09.2010 “Për administrimin e Financimeve të Huaja në Republikën e Shqipërisë”, pasi është një projekt i importuar nga vetë Ministria dhe është dërguar për miratim në KM ndërkohë që sipas pikës 11 të VKM nr.775 datë 24.09.2010 “Për administrimin e Financimeve të Huaja në Republikën e Shqipërisë” është Ministria e Financave institucioni i vetëm që ka të drejtën të kërkojë dhe sigurojë financime nga huadhënësit dhe dhuruesit në formën e huave dhe granteve dhe ky proces kryhet nga DEBASKON-i (sot DZHFNH) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimit. Nga auditimi i raporteve të financimit (të cilat patën mundësi të auditoheshin nga grupi i auditimit), u konstatua se shumica e komponentëve të tyre tek shpenzimet janë kosto stafi apo ekspertë, të cilët janë tmerrësisht të shtrenjtë në honorare, për një vend në zhvillim si vendi ynë dhe për komunitetin, të cilit ky projekt po i vjen në ndihmë.

Kështu, pagat e stafit kalojnë nivelin mesatar të një page në Shqipëri, por nuk është kjo më e keqja: Të habit fakti se pjesëmarrësit e një konference paguhen për pjesëmarrjen e tyre me 180 euro dita (më shumë se paga minimale në Shqipëri për një muaj të tërë!) ose paguhen tarifa ekspertësh apo studime, të cilat janë në shifra të konsiderueshme, apo një drekë evenimenti e cila kushton 6.000 euro (!), shpenzime këto tejet të ekzagjeruara dhe në kontrast të thellë me komunitetin, për të cilin projektet realizohen. KLSH propozon që ministria të marrë masa të menjëhershme që, lidhur me projektin RISI Albania (apo dhe të tjerë) t’i kërkohet donatorit mundësia e rishikimit të marrëveshjes dhe lidhur me raportimin financiar dhe të objektivave, rishikimin e rolit të MMSR në implementimin dhe realizimin e objektivave të projektit./standard.al