Zbutet qeveria, pakëson gjobat për vitin elektoral

0
180

Me një projektligj që kaloi të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur të bëjë një kthesë mbrapsht lidhur me super-gjobat që Kushtetuesja ka hedhur poshtë pak kohë më parë.

Zbutja e masave ndëshkuese nis nga bizneset që kapen të paregjistruara. Sipas draftit të ri të procedurave tatimore, ndëshkimi për këto biznese nuk do të jetë më mbyllja automatike, por ato do të detyrohen që të regjistrohen. Për bizneset që nuk deklarojnë punonjësit, gjoba ulet nga 500 mijë lekë për të gjitha bizneset siç është aktualisht, në 200 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë për atë të voglin. Nuk do të ketë as gjoba për punonjësit e familjes dhe nuk dot të ketë as ndjekje penale për këto biznese.
Edhe për mosdhënie të kuponit tatimor ndëshkimi do të zbutet. Gjoba do të ulet nga 200 mijë lekë aktualisht në 50 mijë lekë. Kur biznesi që nuk lëshon kupon është i madh dhe bën pjesë në skemën e TVSH-së, ai kalon në rivlerësim për 3 muaj dhe në rast se moslëshimi i kuponit është i përsëritur, shkelja klasifikohet “evazion tatimor”. Paralelisht, emrat e këtyre bizneseve do të publikohen në listën e zezë në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në projektligjin e ri, Ministria e Financave detyron Tatimet që për çdo kontroll tatimor të njoftojnë biznesin të paktën 30 ditë përpara. Pas marrjes së njoftimit, biznesit i lind e drejta të deklarojë transaksionet që mund të ketë fshehur, pa u ndëshkuar, me kushtin që ky deklarim të kryhet para se të fillojë kontrolli.

Do të lehtësohet edhe procedura e mbylljes së bizneseve dhe do të hiqet detyrimi për të dorëzuar deklaratë tatimore për bizneset  që kanë status pasiv në QKR.

Nëse rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar. Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin do të paguajnë gjobë 200 mijë lekësh, ndërsa tatimpaguesit e tjerë gjobë 50.000 lekë. Super-gjobat e anuluara nga Kushtetuesja e çmim “tavanin” e gjobës për një shkelje të tillë në 5 miliionë lekë të vjetra.

Nga ana tjetër, qeveria parashikon që edhe kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur tek personi fizik i vetëpunësuar evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi është pjesëtar i familjes ose bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin.

Nëse tatimpaguesi nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.

Kur subjekti nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, dënohet si më poshtë: Herën e parë, 50.000 lekë gjobë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit. Nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor, merret masa e bllokimit të veprimtarisë për 30 ditë kalendarike. Ç rast i mëpasëm pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit, konsiderohet evazion tatimor.

Kur biznesi lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në ligj, dënohet me gjobë në masën 50 mijë lekë. Po kjo gjobë parashikohet edhe kur lëshon kupon tatimor/dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit ose e çmimit të afishuar.

Kur subjekti nuk afishon në një vend të dukshëm një poster që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor, si dhe të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera në rast se nuk merr kupon, dënimi është me gjobë në masën 50 mijë lekë.

Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore. Për tatimpaguesit që kryejnë shkelje të përsëritur, përveç gjobës së barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, biznesi pa TVSH regjistrohet për TVSH-në dhe tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në dhe tatimin e thjeshtuar të fitimit, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur sipas këtij neni, regjistrohet për tatimin mbi fitimin.  Kurse tatimpaguesi i tatimit mbi fitimin përfshihet menjëherë në listën e subjekteve me risk për efekt të analizës së riskut.

Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100.000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50.000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency