Rrëfehet aktivisti: Ja 7 orët në qeli për shkrimin e emrit të Ramës në kazanin e plehrave

0
165

Dy të rinj në Tiranë u shoqëruan mëngjesin e sotëm nga policia, pasi shkruan emrin e kryeministrit Edi Rama dhe të disa politikanëve në kazanët e plehrave. Klodjan Leka dhe Bislim Lakna e ndërmorrën këtë nismë në shenjë proteste ndaj gjithë atyre deputetëve që miratuan një ditë më parë ligjin për importin e mbjetjeve në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për “Balkanweb”, Klodjan Leka sqaron se arsyeja e ndalimit të tij nga policia ishte “për fyerje të personaliteteve të rëndësishme shtetërore”. Aktivisti i shoqërisë civile rrëfen 7 orët e ndalimit të tij në qelinë e paraburgimit dhe deklaron se nuk do të heqë dorë nga protesta për të mos pranuar ligjin e mbetjeve urbane.

Na ndaluan në rrugën “Myslym Shyri” rreth orës 3 të mëngjesit. Sipas policisë, ndalimi u krye pasi ne, sipas një raportimi sekret, që të themi të drejtën nuk është hiç sekret, pasi raportimi i taksistëve dhe rojave private tek kryqëzimi i Drejtorisë së Policisë është bërë modë tashmë, – ne paskemi shkruar parrulla me përmbajtje shqetësuese. Megjithatë, ne nuk kishim shkruar parrulla, por emra të disa politikanëve të rëndësishëm, si të pozitës dhe opozitës. Policia e kuptoi me vonesë këtë, dhe nga krimi i çuditshëm i të bërit “street art”, kaloi në akuzë për fyerje të personaliteteve të rëndësishme shtetërore. Pastaj, pas arrestimit të bujshëm, policia nisi po prapë me zhurmë të kërkonte për gjurmet e krimit nëpër koshët e mbeturinave.-shprehet ai.

Aktivistët kanë qëndruar për rreth 7 orë në një dhomë të ftohtë.

Pyetjes se përse e kundërshtojnë këtë ligj ai u përgjigj:

Së pari, në kushtet kur qytetet tona kutërbojnë prej kërmës dhe institucionet publike janë të paafta për të administruar edhe ato pak mbetje urbane, është marrëzi të pretendosh përpunimin e mbetjeve të botës në Shqipëri. Së dyti, imagjinoni ç’fatkeqësi mund të sjellë korruptimi i një doganieri, një inspektori, një mjedisori etj., nëse siç dyshohet, importohen mbetje të rrezikshme. Së treti, alternativa ekonomike dhe institucionale e qeverisësve për rimëkëmbje nuk duhet kërkuar tek importimi i mbeturinave, tek lendet e kontaminuara, tek kanabisi apo industritë e rrezikshme, sepse kjo alternativë nuk sjell asgjë të mirë, veçse më shumë të keqe.

“Ne si ORGANIZATA POLITIKE kemi thirrur një protestë para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen në punë të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, që për turp të zotit, vazhdohet të heshtet mbi ikjen tragjike të tij, si nga Bashkia, si nga Prokuroria dhe si nga institucione tjera përgjegjëse. Nëse importi i plehrave lejohet të ndodhë dhe përpunimi i tyre të kryhet sipas modelit aktual të punës në industrinë e përpunimit, vdekje të tjera, mbase edhe më tragjike, do kemi çdo ditë. Protestat do të vazhdojnë…”/BW

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency