VMRO nxeh antishqiptarizmin edhe në Kuvend, partneri shqiptar i Gruevskit s’e çel gojën

0

Partia nacionaliste e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, ka vazhduar në Kuvend fushatën antishqiptare, gjë që zakonisht e bën në prag të proceseve zgjedhore, pavarësisht se pushtetin tash e mbi një dekadë e mban me ndihmën e partnerit shqiptar, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, nuk shihet ndonjë reagim i partisë së Ali Ahmetit, e cila duket sikur “sheh sehir” nga përplasja e dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-së dhe LSDM-së së Zoran Zaevit, lidhur me angazhimin e këtij të fundit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në territorin e tërë Maqedonisë. Pra, BDI edhe sot mbeti pa kurrfarë qëndrimi, pavarësisht se bëhet fjalë për çështje që ka të bëjë drejtpërdrejt me të drejtat e shqiptarëve në shtetin e quajtur IRJM, të drejta këto që u fituan me luftën e 2001-shit dhe Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund asaj.

Konkretisht, siç raporton televizioni Alsat-M, në mbledhjen e sotme të Parlamentit maqedonas, ndonëse nuk ishte në rend, kjo temë u përdorur nga deputetja Blagica Laskovska për të akuzuar LSDM-në se po punon kundër interesave shtetërore. Duke iu drejtuar koleges së saj nga opozita Mileva Georigieva, deputetja e VMRO-së, tha se populli maqedonas nuk do ta mbështesë lojën e rrezikshme të LSDM-së për dygjuhësinë.“Më intereson, a e mbështesni ju zonja Georgieva programin që e promovon lideri juaj për dygjuhësinë në Republikën e Maqedonisë, që është një tezë e rrezikshme dhe është një lojë e madhe. A mund të na thoni, a e mbështetë populli maqedonas në Radovish, Pehçevë, Berovë, Shtip dhe Prilep prej ku buroi ideja këtë iniciativë që po e promovon Zoran Zaevi”, tha Blagica Laskovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Tema për dygjuhësisë dhe fushata e VMRO-së kundër gjuhës shqipe, sipas deputetit të LSDM-së Marjanço Nikollov po përdoret nga partia maqedonase në pushtet për të përfituar pikë politike në prag të zgjedhjeve.

“Përdorimi i gjuhës është rregulluar me Kushtetutë dhe unë mendoj se nuk është mirë që kjo të bëhet temë kryesore e zgjedhjeve dhe të përdoret për të përhapur nacionalizëm mes qytetarëve për qëllime politike”, tha Marjanço Nikollov, deputet i LSDM-së.

Pas debateve për dygjuhësinë, dhjetëra maqedonas që jetojnë në diasporë kanë organizuar protesta për të kundërshtuar përdorimin e shqipes në gjithë territorin e vendit. Nga VMRO-DPMNE-ja nuk tregojnë nëse prapa protestave qëndron kjo parti.