Avokati: Arbitrazh/ Lojë me interesat e shtetit, Qeveria nxiton t’i paguajë 65 mln USD Bankers -it

0
198

–   Lojë e pistë me interesat e shtetit, për të përfituar qeveritarët dhjetëra miliona euro, me ndërmjetësinë e kompanisë së naftës

 

 Ervin Kaduku

 

Një lojë e re me interesat e shtetit shqiptar, që ka për protagonist ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri. Shteti shqiptar rrezikon të humbasë 65 milion dollarë në total dhe të derdhë në mënyrë të menjëhershme nga buxheti i shtetit 37 milionë të tjera për kompaninë Bankers Petrolium. Tashmë ka një korrespondencë mes qeverisë shqiptare dhe studios ligjore të kontraktuar nga shteti shqiptar për mosmarrëveshjen me firmën kanadeze. Curti’s u pajtua për të mbrojtur palën shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me refuzimin që Bankers i bëri autoriteteve tatimore për të paguar 57 milion dollarë taksa të 2011-ës dhe 8 milionë dollarë penalitete. Por në kohën që të gjitha institucionet shqiptare kanë pranuar tashmë të kthejnë mbrapsht paratë e marra ndaj kanadezëve në vlerën e 37 milionë dollarëve dhe të heqin dorë nga detyrimet e tjera, një email i nisur nga kompania Curti’s pranë qeverisë, vërteton një fakt tronditës: Institucionet shqiptare nuk po ankimojnë raportin e ekspertit të pavarur Price Waterhouse Cooper, i cili i dha të drejtë Bankers. “Ne rekomandojmë me forcë që të paraqiteni për një sfidë të vendimit të Panelit të Ekspertëve në Gjykatën Tribunale të arbitrazhit ndërkombëtar. Termat e referencës të rënë dakord nga palët përfshijnë shprehimisht të drejtën për të kundërshtuar vendimin e ekspertit, kjo e drejtë është për të dyja palët! Në qoftë se Bankers do të kishte qenë i pakënaqur me vendimin, ju mund të jeni i sigurt se do të ushtronte të drejtat e tij për ta sfiduar vendimin në arbitrazh. (Në seancën dëgjimore, avokati i Bankers ka rezervuar shprehimisht të drejtat e tij për të ankimuar vendimin). Po kështu, qeveria nuk duhet të heqë dorë nga të drejtat e saj për të kundërshtuar vendimin”.

Dyshimet për heqjen dorë nga e drejta legjitime e ankimimit, e cila ishte një pikë e firmosur nga të dyja në palët në marrëveshjen e 24 shkurtit për të pranuar një ekspert të pavarur thellohen më shumë, kur Curti’s nënvizon se raporti i ekspertit ka gabime të dukshme. “Ne kujtojmë se Bankers fillimisht fitoi një urdhër nga gjykata shqiptare vitin që shkoi që të parandalonte mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor. Avokati i shtetit e ankimoi vendimin dhe fitoi në favor të palës së shtetit. Më pas Bankers tentoi sërish për të marrë të njëjtin vendim në gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe fitoi kërkesën fillestare për të ndalur në mënyrë të përkohshme mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor përmes sekuestros së llogarive. Por më pas Curti’s ndërhyri dhe pala shqiptare fitoi. Kjo është praktikë standarde, është gjest i papjekur thjesht të ndalesh dhe të mos ndjekësh mekanizmat ligjorë që ke në dispozicion. Siç e kemi diskutuar dhe siç ju kemi thënë edhe në email-in që ju kemi nisur javën e kaluar, vendimi i ekspertit është haptazi i gabuar, i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për arsye të shumta. duke e lënë atë vendim në fuqi pa e ankimuar do të ishte e pazakontë dhe e habitshme!”

Është për t’u nënvizuar fakti që sipas kontratës që Albpetrol ka me Bankers, përcaktimi i ekspertit do të jetë përfundimtar dhe përcaktues ndaj palëve edhe në kushtet e një gabimi të dukshëm në përcaktimin e tij. Ky standard nuk është i pranueshëm për rregullat e UNICTRAL dhe gjykatës së arbitrazhit. “Përcaktimi i Ekspertit do të jetë përfundimtar dhe detyrues ndaj Palëve, edhe në kushtet e ndonjë gabimi të dukshëm në përcaktimin e tij”.

Ka edhe 5 ditë kohë që Ministria e Energjisë të ankimojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit, ndryshe digjen afatet. Por ky institucion ende nuk ka marrë një vendim se çfareë do të bëjë dhe se ndodhet në proces vlerësimi nese do ta bëjë ankimimin apo jo. Praktikat ndërkombëtare dhe vetë rregullat e Arbitrazhit, paracaktojnë caktimin e një eksperti nga vetë kjo gjykatë, por sërish mendimi i ekspertit në procedurën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, thjesht ndihmon gjykatën, nuk është detyrues për të. Rregullat e arbitrazhit mundësojnë të drejta më të favorshme procedurale përsa i përket ekspertimit dhe riekspertimit që palët mund të kërkojnë.

 

Ministri i Energjise dhe Tregtise, Damian Gjiknuri, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku po shqyrtohet nen per nen dhe me pas te miratohet buxheti 2014.

Konflikti

Konflikti mes Bankers Petroleum dhe Tatimeve ka lindur në mesin e vitit të kaluar, pasi Albpetrol nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet inicuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers i detyrohej shtetit, shumë që ka arritur në 75 milionë dollarë së bashku me gjobat dhe kamatat.

Ky është një detyrim që shteti shqiptar pretendon se kompania e ka shmangur, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimsiht duke shmangur pagesën e taksasve, sikundër parashikohet në marrëveshjen konçensionare. Sipas marrëveshjes në fjalë, kompania, në momentin që rekuperon shpenzimet kapitale, duhet të paguajë 50% tatim fitimi. Konflikti kulmoi në 25 nëntor kur Tatimet bllokuan llogaritë bankare të kësaj kompanie, pasi kishin marrë autorizimin nga gjykatat shqiptare për të mbledhur me forcë 57 milionë dollarë. Llogaritë u zhbllokuan pas ndërhyrjes nga Gjyaka e Arbitrazhi, ndërsa po në dhjetor, bankers njoftoi se kishte arritur marrëveshje me tatimet. Sipas marrëveshjes, “Bankers” ra dakord të paguajë të plotë detyrimin tatimor prej 57 milionë dollarësh, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania. Skema e rënë dakord parashikon që grupi kanadez të paguajë menjëherë 10 për qind të kësaj shume dhe pastaj nga 4.2 milionë dollarë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të “Bankers”, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie. Tashmë që auditori ka vendosur në favor të Bankers, Tatimet duhet të kthejnë shumën që ka marrë deri tani, ose të bjerë dakord që kjo shumë të kompensohet nga pagesat që Bankers duhet të bëjë në të ardhmen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency