“Misteri i të burgosurit”/ U ndalua për vjedhje, vdes në QSUT 54-vjeçari, familjarët: Policia nuk na lejoi t’i jepnim ilaçet

0
127

Policia: Shtetasi Hoxha në momentet e arrestimit dhe qëndrimit në dhomat e paraburgimit i ka pasur me vete ilaçet, lajmëruam familjarët për mbarimin e tyre dhe familjarët sollën ilaçe të tjera

 

Besar Bajraktaraj

 

Një 54-vjeçar nga Lushnja ditën e djeshme ka ndërruar jetë në ambientet e Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Ishin familjarët e viktimës të cilët akuzuan policinë si shkaktare të kësaj ngjarjeje. Viktima në fjalë është shtetasi Fadil Hoxha, i cili dy ditë më parë është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë pasi akuzohej se kishte marrë ullinj në tokën e dikujt tjetër, ndërsa ishte denoncuar nga ky i fundit. Mësohet se pas kallëzimit, Hoxha ishte shoqëruar në polici, por siç pohojnë dhe familjarët ai vuante nga zemra dhe merrte ilaçet 3 herë në ditë. Ishin familjarët e Hoxhës të cilët ditën e djeshme deklaruan se i kishin kërkuar punonjësve të policisë që t’i fusnin në ambientet e paraburgimit, por ka qenë vetë policia e cila ka refuzuar një veprim te tillë. Pas pretendimeve të familjarëve të viktimës Hoxha ka ardhur dhe reagimi i policisë. Kështu burime pranë policisë bëjnë me dije se shtetasi Hoxha në momentet e arrestimit dhe qëndrimit në dhomat e paraburgimit i ka pasur me vete ilaçet. Sipas po të njëjtave burime mësohet se 54-vjeçari është ndaluar të shtunën ndërsa ditën e djeshme kishte shfaqur probleme me shëndetin. Blutë gjithashtu sqaruan se i kishin njoftuar familjarët e Fadil Hoxhës, të cilët më pas i kanë dërguar ilaçe të tjera shtesë.

“Hoxha u vizitua nga kardiologu më i mirë në Lushnjë. Kardiologu na tha që ka kaluar parainfarkt. Më pas e dërguam në QSUT. Çdo lëvizje është e regjistruar në librin e policisë”, pohojnë burime pranë policisë së Lushnjës. Ndërsa mjeku i cili e ka vizituar viktimën, është shprehuar se ishin djekur të gjitha procedurat standarde. Pasi është pyetur nga mjeku, 54-vjeçari ka pohuar se vuante nga hipertensioni-arterial. Sipas tij ai e ka pasur mjekimin me vete, të cilin e ka marrë gjatë mbrëmjes dhe në mëngjes. Pasi ka shfaqur se ka pasur dhimbje në gjoks, Hoxha është dërguar me ambulancë në spitalin e Lushnjës. I ndaluari është vizituar nga një kardiolog, e më pas është transportuar drejt Tiranës me urgjencë, pasi u vu re se 54-vjeçari kishte pësuar infarkt.

 

Ngjarja në burgun e Lushnjës

Ditën e djeshme lidhur me ngjarjen ku humbi jetën i burgosuri nga Lushnja shtetasi Fadil Hoxha, ka reaguar dhe policia. Reagimi i kësaj të fundit erdhi pas akuzave të bëra nga familjarët e Hoxhës, të cilët akuzojnë policinë që nuk e kanë lejuar t’i jepnin ilaçe shtesë familjarit të tyre që vuante nga zemra dhe merrte mjekim 3 herë në ditë. Kështu nëpërmjet një deklarate policia deklaroi: “Më datë 17.09.2016, u arrestua në flagrancë shtetasi Fadil Hoxha dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për shtetasin A.M., vjeç 53 e 14, banues në fshatin Grabian, pasi dyshohet se, në fshatin Xenkë, u kapën me 80 kg ullinj, të vjedhura në ullishtën e shtetasit Th.Dh., vjeç 53 banues në këtë fshat. Nenet 134 e 25 të Kodit Penal”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency