Avokati i pilotit italian: Nuk ka folur për drogë, erdhi për turizëm

0
143

Avokati i pilotit italian Guido Andrea Guidi, mohon tërësisht akuzat ndaj klientit të tij dhe madje i kthehet deklarimit të parë të 69-vjeçarit, se ai kishte ardhur në Shqipëri për turizëm.

Në një prononcim, avokati Aleksandër Ndrejaj thotë se piloti italian nuk merrej me trafik droge dhe nuk ka asnjë pakt me prokurorinë.

“Piloti italian kishte ardhur për turizëm. Nuk është e vërtetë që Guidi merrej me drogë dhe nuk ka bërë asnjë pakt me Prokurorinë”, ka deklaruar Ndrejaj.

Madje sipas tij, Guidi nuk ka folur për porositës droge dhe në telefon i janë gjetur vetëm emrat e familjarëve.

“Guidi nuk ka folur për emra të porositësve të drogës. Në telefonin e tij u gjetën vetëm emra të familjarëve. Akuza e vetme ndaj tij është për shkeljen e hapësirës ajrore. Ulja e avionit ishte një veprim i detyruar pas defektit që pësoi në ajër”, ka thënë Ndrejaj.

Avioni tip “Piper” që drejtohej nga piloti 69-vjeçar Guido Guidi ra të enjten e kaluar në grykëderdhjen e Ishmit, gjatë manovrave për uljen tij, pasi kishte pësuar defekt në ajër.

Por Guidi u mor menjëherë në pyetje nga prokuroria pasi dyshohej për trafik droge. Pas disa orësh ai u lirua ndërsa jo zyrtarisht u deklarua se piloti kishte treguar emrat e porositësve të drogës dhe se kishte ardhur për të marrë një ngarkesë me 200 kg kanabis.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency