EKSKLUZIVE/ KLSH nxjerr zbuluar dështimin e administratës tatimore. Në një vit rriten detyrimet e pambledhura në 14.4%

0
289

Plani përfundimtar rezulton me ulje në vlerën 6,588 milionë lekë kundrejt planit fillestar, ose në masën 5.4 % më pak

 

Ervin Kaduku

 

Që plani i buxhetit të shtetit ndryshohet të paktën tri herë në vit me Akte Normative – gjithnjë ne ulje! –  kjo nuk është më sekret për askënd. Por, audituesit e KLSH kanë zbuluar edhe disa rrugë të maskuara për të afruar rezultatet e performancës së një administrate tejet të korruptuar dhe të paaftë me shifrat e planifikuara, duke shpalosur publikisht pastaj tregues jorealë të arritjeve në drejtim të mbushjes së arkës së shtetit.

Një grup i Auditimit i Departamentit të Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit pranë KLSH, zbulon se alokimi i planit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve të sigurimeve, nga Ministria e Financave dhe ndryshimi i tij gjatë viti sipas akteve normative paraqitet si më poshtë vijon:

– Me ligjin nr. 160/2014 “Për buxhetin e shtetit të vitit 2015” dhe shkresën e Ministrisë së Financave nr. 1531, datë 30.01.2015, të ardhurat tatimore janë planifikuar në vlerën 122,746 milionë lekë, ndërsa të ardhurat nga kontributet në masën 63,993 milionë lekë;

– Me Aktin Normativ nr. 1, datë 29.07.2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 160/2014 “Për buxhetin e shtetit të vitit 2015” dhe shkresës së Ministrisë së Financave nr. 12306 datë 28.08.2015, të ardhurat tatimore janë planifikuar në vlerën 116,158 milionë lekë, ndërsa të ardhurat nga kontributet në vlerën 65,493 milionë lekë;

– Me Aktin Normativ nr. 2, datë 11.12.2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr.160/2014 “Për buxhetin e vitit 2015” dhe shkresës së Ministrisë së Financave nr. 12306/2 datë 22.09.2015, të ardhurat tatimore janë planifikuar në vlerën 116,158 milionë lekë, duke pësuar ndryshime vetëm brenda zërave të të ardhurave tatimore, ndërsa të ardhurat nga kontributet në vlerën 65,590 milionë lekë.

– Plani përfundimtar rezulton me ulje në vlerën 6,588 milionë lekë kundrejt planit fillestar, ose në masën 5.4 % më pak. Të ardhurat tatimore (neto) janë realizuar në vlerën 113,095 milionë lekë, nga 116,158 milionë të planifikuara, ose në masën 97.4 %, ndërsa kundrejt planit fillestar prej 122,746 milionë lekë, këto të ardhura janë realizuar në masën 92.1 %;

– Analiza e treguesve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, realizimi i planit për vitin 2015, është pasqyruar duke përfshirë, për çdo lloj tatimi mbi të ardhurat tatimore (TVSH, Tatim fitimi, Tatim mbi të ardhurat personale dhe Taksa nacionale) edhe vlerën e të ardhurave të krijuara nga vjelja e gjobave dhe kamatëvonesave, si dhe disa tarifa kombëtare për të cilat nga Ministria e Financave, është përcaktuar që do të klasifikohen si të ardhura nga institucionet buxhetore. Sipas DPT realizimi i të ardhurave tatimore është në vlerën 118,512 milionë lekë, me një rritje në masën 10.9 % kundrejt planit;

– Në planin e vitit 2015, nuk përfshihet plan të ardhurash nga gjobat dhe kamatëvonesat. Të ardhurat e planifikuara janë të ardhura të cilat parashikohen të realizohen gjatë vitit ushtrimor dhe referuar ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH”, buxheti i shtetit përbëhet nga të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e miratuara me ligjin vjetor të buxhetit. Të ardhurat e krijuara nga vjelja e gjobave dhe kamatëvonesave janë të ardhura të palimituara, këto të ardhura nuk janë të miratuara me ligjin e buxhetit të vitit 2015, pra nuk mund të konsiderohen për efekt analize (për krahasim fakt/plan të miratuar), por duhet të trajtohen si arkëtime referuar nenit 9 të ligjit 9936, datë 26.06.2008;

– Nga krahasimi i të dhënave mbi realizimin e të ardhurave tatimore, midis dy sektorëve, Sektorit të Statistikave dhe Sektorit të Kontabilitetit, rezultojnë të dhëna të parakorduara, konkretisht të ardhurat tatimore neto, sipas Sektorit të Statistikës rezultojnë në vlerën 118,512 milionë lekë, ndërsa sipas konfirmimit edhe me Degën e Thesarit Tiranë me shkresën nr. 18074, datë 01.06.2016, rezultojnë në vlerën 113,095 milionë lekë, të ardhurat neto në total nga të ardhurat tatimore dhe kontributet nga sigurimet sipas Sektorit të Statistikës rezultojnë në vlerën 182,396 milionë lekë, ndërsa sipas rakordimit me thesarin rezultojnë në vlerën 179,871 milionë lekë.

KLSH rekomandon që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për efekt të analizave mbi realizimin e planit të të ardhurave nga tatimet duhet t’i referohet realizimit të treguesve (llojit të tatimit mbi të ardhurat), pa vlerën e të ardhurave të krijuara nga gjoba dhe kamatëvonesa, të cilat janë të ardhura të palimituara, të papërfshira në planin e të ardhurave të miratuar nga Ministria e Financave për vitin buxhetor përkatës të DPT-së.

 

Shifrat e “rregulluara”

Një problematikë tjetër është konstatuar lidhur me shifra të korrigjuara. Kështu, sipas KLSH, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka paraqitur me shkresën nr. 6276 datë 26.02.2016, në degën e thesarit Tiranë, pasqyrat financiare dhe anekset përkatëse të vitit ushtrimor Janar-Dhjetor 2015. Për vitin 2015, rakordimi i të ardhurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me Degën e Thesarit Tiranë, ka pësuar ndryshime, nga aktrakordimi sipas shkresës nr. 9248, datë 30.03.2016 në aktrakordimin sipas shkresës nr. 18074, datë 01.06.2016, midis DPT dhe Degës së Thesarit Tiranë, si dhe janë në shkelje të afateve të përcaktuara në udhëzimin nr. 33, datë 28.12.2015, paragrafi IV, pika 20. Ndryshime në zërat e të ardhurave tatimore janë:

– TVSH ishte 38,127,620 mijë lekë dhe bëhet 36,668,149 mijë lekë;

– Taksa nacionale ishte 29,466,112 mijë lekë dhe bëhet 29,465,566 mijë lekë.

KLSH ka rekomanduar lidhur me këtë praktikë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të marrë masa të menjëhershme për ndërprerjen e praktikës së ndryshimit të shifrave dhe rakordimit të tyre, mbi realizimin e treguesve, pas afateve ligjore të rakordimit me Degën e Thesarit Tiranë të regjistruara nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ), si dhe pas afateve mbi dorëzimit të pasqyrave financiare të vitit ushtrimor.

 

Borxhi

Nga auditimi u evidentua se në fund të vitit 2015, borxhi tatimor rezultoi në vlerën 100,373,038 mijë lekë nga 87,742,628 mijë lekë që rezultonte në fund të vitit 2014, duke u rritur me 14.4%. Kjo flet për atë se treguesit e borxhit tatimor janë përkeqësuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, kjo rritje është evidentuar si në shtimin e numrit të subjekteve debitorë me 6408 subjekte dhe në nivelin e detyrimeve tatimore të pashlyera me 12,630,409 mijë lekë më shumë. Përkeqësimi i këtyre treguesve vjen ka ardhur si rezultat i moszbatimit të të gjitha masave shtrënguese, për rikuperimin e borxhit tatimor

 

Shkeljet e drejtoreshës

Nga auditimi ka rezultuar se në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nuk ka funksionuar Grupi i Menaxhimit Strategjik (GMS) sipas standardeve të kërkuara e konkretisht Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në cilësinë e Titullarit të institucionit dhe të Nëpunësit të Autorizuar, nuk është pjesë e GMS-së, gjithashtu, një inspektore e menaxhimit të riskut (nivel specialisti), është pjesë e GMS-së, duke shkelur nenin 27 pika 2 e ligjit nr. 10269 datë 08.07.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” ku cilësohet se: “GMS përbëhet nga titullari i njësisë publike, zëvendës titullarët, nëpunësi autorizues, nëpunësi zbatues dhe të gjithë menaxherët e tjerë të nivelit të lartë…” Referuar Urdhrit për ngritjen e GMS-së, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, pjesë e grupit të GMS-së, është cilësuar si Nëpunës Autorizues (NA), ku sipas dokumenteve të vëna në dispozicion, NA për vitin 2015 rezulton titullari i institucionit. Veç këtyre, GMS nuk është mbledhur të paktën 4 herë në vit, në kundërshtim me Manualin mbi zbatimin e MFK-së pika 4.2.9 “Grupi për menaxhimin strategjik”, ku citohet: “…duhet të mblidhet të paktën 4 herë në vit, për çështjet që lidhen me MFK-në.

 

Mungon kontrolli

Sipas KLSH, veprimtaria e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm në Tatimet nuk ka qenë në përputhje me misionin dhe funksionin e përcaktuar në ligj, duke krijuar mbivendosje me funksionin dhe detyrat e Drejtorisë së Kontrollit Tatimor. Në auditimet e kryera, procedurat e ndjekura, nuk janë sipas standardeve të auditimit të përcaktuara në ligj, konkretisht nuk kanë krijuar “dosjen e përhershme” mbi subjektet e audituara, jo në çdo rast, është kryer rishikimi i cilësisë, në kuadrin e mbikëqyrjes dhe drejtimit sipas kërkesave të Manualit të Auditimit të Brendshëm; në rastet që është realizuar rishikimi i cilësisë, ky proces është kryer nga audituesi që ka kryer auditimin, veprime në kundërshtim me Manualin e Auditimit të Brendshëm, etj.

Nga Sektori i operacioneve të kontrollit, nuk është monitoruar ndjekja e zbatimit të planit të kontrolleve mujore të Drejtorive Rajonale Tatimore, të miratuara nga DPT, nuk ka raporte dhe analiza mbi nivelin e zbatimit të planeve nga DRT, shkaqet dhe arsyet e mosrealizimeve, nuk janë monitoruar rezultatet pas kontrollit tatimor, krahasuar dhe me nivelin e riskut, veprime në kundërshtim me pikën 14 të Rregullores së Administratës Tatimore Qendrore, si dhe nuk është hartuar plan vjetor, mbi veprimtarinë operacionale të Sektorit të operacioneve të kontrollit, nuk janë hartuar dhe miratuar programe kontrolli gjatë vitit 2015, me përjashtim të një rasti të vetëm, në kundërshtim kjo me detyrat funksionale të këtij sektori të përcaktuar në Rregulloren e Brendshme të Administratës Tatimore Qendrore nr. 8608, datë 04.10.2010, pika 14.4. “Sektori i operacioneve te kontrollit”;

 

Eksportet

Nga auditimi i dokumentacionit në lidhje me procedurat e ndjekura nga Sektori i Përpunimit të Deklaratave Tatimore Individuale, për eksportuesit e kategorisë “eksportues 100%” ose “eksportues të tjerë”, rimbursimi ka përfunduar për rreth 60 ditë pas bërjes së kërkesës, kur në fakt rimbursimi për këtë kategori duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 953, datë 29.12.2014.

 

Shpërdorimi

Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës “Zhvillim dhe përmirësim i sistemit M-Taxation”, vlerësuar si një kontratë shërbimi dhe finalizuar me një kontratës të datës 28.10.2015, ka rezultuar se kjo kontratë e vlerësuar si një kontratë shërbimi, përfshin përmirësimin e sistemit ekzistues “M-Taxation”, blerje e mallit “tableta”, trajnim i stafit të administratës tatimore, për përdorimin e tabletave (ndërfaqja e inspektorit të tatimeve), ka rezultuar se nuk është realizuar plotësisht e konkretisht:

– Sasia prej 600 copë tableta, në vlerën 28,800,000 lekë, e blerë për t’u përdorur nga inspektorët e terrenit të administratës tatimore, është gjendje në magazinë dhe nuk është vënë në funksion;

– Janë kryer 320 orë trajnim në vlerën 1,910,000 lekë, me inspektorë të DPD dhe DRT-ve, të cilët supozohej të ishin përdorues të tabletave;

Për pjesën e kontratës që nuk është bërë efektive, janë shpenzuar 30,710,000 lekë ose 62 % e vlerës totale të saj.

– Për mirëmbajtjen e këtij sistemi, është përcaktuar edhe vlera e kontratës së mirëmbajtjes (MNSH), e cila është bërë efektive në janar të vitit 2016, pa përfunduar plotësisht kontrata për sistemin “M-Taxation”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency