Lojërat e fatit, qeveria luan bixhoz me ligjet që harton vetë

0

–   Koncesioni i miratuar së fundmi bie në kundërshtim me legjislacionin aktual

 

Ervin Kaduku

 

Të mërkurën qeveria miratoi një vendim që paralajmëron një koncesion të ri dhe këtë herë për monitorimin online të lojrave të fatit. Vendimi në fakt ka një përplasje të pastër me ligjin kryesor “Të lojrave të fatit” i cili hyri në fuqi në fund të vitit 2015. Konkretisht vendimi përcakton tek dispozitat e përgjithshme se: Operatori, që ndërton Sistemin Qendror të Monitorimit On­line (SQMO) të lojërave të fatit, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on­line të të dhënave që do të përdoren nga AMLF­ja. Por shfrytëzimi i sistemit është në mënyrë automatike një detyrim që e ka vetë Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit si ent publik pasi kështu e përcakton ligji. Operatori privat sipas ligjit bën vetëm ndërtimin dhe mirëmbajtjen. Në pikën 1 të nenit 48 të ligjit shprehimisht thuhet: Sistemi Qendror i Monitorimit On­line (SQMO) i lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë shfrytëzohet nga AMLF­ja, e cila merr të dhënat nga sistemi në kohë reale. Kurse lidhur me detyrimet që ka operatori privat në nenin 51 pika 2 thuhet: Organizatori ka detyrimin ta ruajë, ta mirëmbajë dhe të mos lejojë ndërhyrje në sistemin që lidhet me monitorimin on­line nga AMLF­ja dhe është përgjegjëse për çdo ndërhyrje në sistemin qendror të monitorimit. Kjo është tentativa e dytë e qeverive shqiptare për të dhënë me koncension monitorimin online të lojrave të fatit. E para ishte në vitin 2013 kur në shkurt qeveria Berisha miratoi një vendim që autorizonte ministrinë e Financave të jepte një koncesion për fiskalizimin dhe monitorimin e lojrave të fatit. Tenderi i hapur nuk u mbyll me sukses, pasi pati interes vetëm nga dy kompani, një italiane dhe një austriake që nuk përmbushën dot kriteret e kërkuara. Afati i koncesionit ishte paracaktuar 10 vjet. Tashmë kemi një tjetër koncesion në horizont dhe të paktën në fund të tetorit pritet që Financat të japin edhe detajet e tjera si do procedohet. Por si kryhet monitorimi online i lojrave të fatit. Për makinetat e kazinove lidhja online bëhet përmes një karte SIM që transmeton në kohë reale të dhënat ose bëhet lidhje e integruar me fishë. Kurse për bastet sportive monitorimi bëhet përmes instalimit të një software në kompjutetin e pikës së basteve. Operatori që do të fitojë të drejtën duhet që të ndërtojë edhe sistemin e monitorimit dhe ta mirëmbajë atë duke marrë në kthim si pagesë jo vetëm një tarifë fikse për çdo pajisje por edhe një përqindje mbi të ardhurat bruto nga loja.

 

Fenomeni

11 për qind e popullsisë në Shqipëri, ose 250 mijë shqiptarë llogeritet se luajnë në lojra fati. Shifrën e pranuan drejtuesit e këtyre aktiviteteve, që kundërshtuan një vit më pare në Komisionin e Ekonomisë, ligjin e ri të lojrave të fatit. Sipas tyre, ndryshimet ligjore shkatërrojnë tregun e kontrolluar dhe nxit lojrat online, të cilat kanë më pak mundësi mbikqyrje. Grupet e interesit i kujtuan shtetit edhe xhiron vjetore prej 33 milionë euro që gjeneron ky aktivitet dhe ngritën pikëpyetje për fatin e këtyre parave.

 Vendimi

Ngritja e Sistemit Qendror për monitorimin on line të lojrave të fatit në vend do t’i besohet një operatori privat. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit on line (SQMO) dhe të autoritetit përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”. Sipas vendimit në fjalë, operatori, që ndërton këtë sistem, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on­line të të dhënave që do të përdoren nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Operatori ka si detyrim të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On­line. Ndërkaq vendimi citon se Ministria e Financave është autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë sistemin, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Po ashtu, Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit. Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike. Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.

 

Ligji i ri

Ligji i ri për lojrat e fatit ka hyrë në fuqi pas një kalvari të gjatë gati dyvjeçar që nga hartimi i projektit deri në miratimin e tij në Kuvend. Ligji i detyron të gjitha subjektet që në respekt të distancave të reja brenda datës 31 dhjetor 2016 organizatorët e lozhave të fatit duhet të marrin masat për ndryshimin e vendndodhjes. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara ligj duhet të jenë jo më pak se, 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Distancat do të llogariten ndërmjet ekstremiteteve më të afërta të dy objekteve. Mënyra e përllogaritjes së distancave sipas kësaj pike përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave. Në rast se brenda kësaj periudhe shoqëritë nuk kanë ndryshuar vendndodhje, Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojrave të fatit (AMLF) procedon me masa administrative deri në heqjen e licencës.

Ligji i ri gjithashtu ndalon nxitjen për të marrë pjesë në lojërat e fatit. Ndalohet ofrimi, ndihma ose nxitja e një loje apo e lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë. Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit, si dhe shanset reale për të fituar. Gjithashtu ligji i ri ndalon zhvillimin e aktivitetit të lojrave të fatit pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë.