Çfarë nuk kuptova nga lamtumira e z. Shehu dhënë dibranëve ?

0
266

Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, zoti Sherefedin Shehu, i humbi zgjedhjet.

Nuk është ndonjë hatà e madhe për të, por mua më erdhi keq. Jo për nga ngjyrat politike që përfaqëson, sepse të tilla ndarje nuk më pasionojnë aq shumë. Aq më shumë për kryetar bashkie ka vlerë njeriu, qoftë ai socialist, demokrat, çam, grek apo çfarë do tjetër. Ka nga këta shumë të mirë, të të gjitha ngjyrave, ka që edhe çun tezeje ta kesh ndonjërin nuk ja jep votën, aq të mbrapsht janë.

Por, Sherefedin Shehu është në sytë e mi një administrator dhe politikan që ka brumë, i lapsit në llogaritje dhe me ide që dalin nga kuadri dogmatik i formulave të gatshme. Do të ishte edhe nga ana humane një njeri që do të dinte të ndante pushtet dhe ta përdortye pushtetin për njerëzit që do t’ja kishin deleguar atë.

Deri këtu mirë. Njeri do të humbëte nga dy kandidatët.

Por, ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte lamtumira e fundit elektorale e z. Sherfedin Shehu dhënë dibranëve. Sigurisht nuk prisja ndonjë tekst si ato të shën Palit përpara korintasve, sepse zoti Shehu ka aq modesti sa të mos u mësojë dibranëve se çfarë është jeta apo vdekja, çfarë është vesi apo virtyti, çfarë është nderi apo amoraliteti.

E kam fjalën gjetiu.

Habija e parë dhe moskuptimi i parë lidhet me atë që zoti Shehu paraqet një Dibër në gjendje shtetrrethimi.

Pothuajse në prag të luftës civile.

Shefi i komisiariatit del që bashkëpunon me kontrolluesit e arave të mbjella me hashash, dibranë trima rezulton atje që nuk shkojnë dot për dru në pyll sepse i ndalojnë njerëz të armatosur, (i ha arusha), nëpunës siç del atje që kërcënojnë të lënë mësues pa punë dhe të sëmurë pa KEMP, dhe mbi të gjitha njerëz civilë me kallashnikov që sikurse raportohet atje, kërcënojnë votuesit për të mos dalë nga shtëpia dhe mos shkuar për të votuar.

Unë nuk e di nëse kjo është tabloja reale, dhe nuk kam asnjë arsye apo të dhënë që ta kundërshtoj apo ta pohoj këtë situatë. Sikur nuk kam arsye të mos e besoj atë që thotë zoti Sherefedin Shehu. Por, do të doja që ai të gjitha këto t’i kishte raportuar me shqetësim në komisionin qendror të zgjedhjeve, në prokurori, në OSBE, përpara sesa të shpallej humbës, qëkurse ishte kandidat sepse do të kishte qenë shumë më i besueshëm.

Nëse këto të dhëna verifikohen si të vërteta, atëhere problemi në Dibër, nuk qenka se kush u zgjodh apo kush nuk u zgjodh, por sepse atje mbretëroka një gjendje terrori, shtetrrethimi, kaosi. Paskemi qenë në mos gjendje lufte civile, së paku puçi institucional. Pra, problem nuk është nëse u shit ose jo vota, por shumë më thellë. Shtrohet pyetja se në çfarë rregjimi jetojmë, nëse raportimet e zotit Shehu në lamtumirën e tij të fundit postelektorale dhënë dibranëve janë të sakta.

Ky do të ishte debati i sotëm politik dhe jo se kush i fitoi apo i humbi zgjedhjet në Dibër.

Habija e dytë është se si nuk hoqi dorë nga kandidimi zoti Shehu kur e kishte parë këtë situatë kaq alarmante! Këtë nuk arrita ta kuptoj. Si nuk e këshilluan edhe përkrahësit e tij nga Tirana, ta bënte këtë xhest? Do të kishte dhênë një ndihmesë shumë të vyer nëse do të deklaronte një ditë përpara zgjedhjeve se ai? duke parë situatën e pamundur për zgjedhje të lira? jepte dorëheqjen si kandidat për kryetar bashkie. Këtë nuk e kuptoj. Nuk i dinte ai këto presione ? Mendonte se pavarësisht tyre do të fitonte ? Nëse ka qenë kjo llogaria, nuk është llogaritur mirë nga stafi i tij elektoral dhe nga ai vetë. Sepse nëse ka ndonjë përgjegjësi për humbjen, nëse ka pra, ajo është vetëm e tij që kandidonte dhe e askujt tjetër. Më mirë të denonconte klimën e terrorit që përshkruan dhe të jepte dorëheqje sesa në atë klimë të shpresonte të fitonte. Ky do të ishte një standard morali i lartë në politikë që ai do të kishte venë, një shërbim i mirë për atdheun, dhe do të fitonte shumë pikë në opinionin publik.

Sepse kështu sikur po paraqiten punët nuk po merret vesh. Edhe situatë dhune që përjashton votën e lirë, edhe shpresë te vota e lirë për të dhënë fitore ! kjo nuk është logjikë politike e saktë!

Moskuptimi im i tretë ka të bëjë me atë që zoti Sherefedin Shehu thekson nê lamtumirën e tij të fundit postelektorale dhënë dibranëve, dhe këtu më duket analizë e hollë dhe e besueshme, se të punësuarit nëpër fshatra marrin të ardhura nga angazhimi në industrinë e hatashme të hashashit, ose shesin votën nga varfëria.

Pyeta veten, ja a nuk duhej të ishte ky mesazhi i kandidatit demokrat në zgjedhjet bashkiake të Dibrës ? Mos mbillni hashash o dibranë se pasi të merrni frytet e para do t’ja shihni të keqen ?

A nuk duhej të ishte ky slogani i fushatës duke treguar rrezikun e ekonomisë të hashashit dhe të propozonte alternativë tjetër ? Me shumë mundësi që do të humbte, por më mirë të humbte duke ua thënë dibranëve të vërtetën në sy sesa duke lënë të kuptojë tani post festum që hashashi e ka bërë punën e tij për humbjen e vet. Në rastin e parë do të humbte, por kur dibranët të zgjoheshin do të vinin t’i trokisnin te dera duke i thënë : Na dole borxhit ore mik !

Kemi një përvojë të keqe nga ’96, kur opozita nuk i kundërvihej piramidave financiare sepse kishte frikë se do të godiste interesat afatshkurtra të elektoratit dhe do të humbte zgjjedhjet. U pa se çfarë gabimi ishte ai. Edhe zgjedhjet i humbi edhe Shqipëria u shkatërrua. Opozita mbi të gjitha thotë të vërtetën, tregon alternativën ndërton një aks moral vlerash, dhe i përmbahet atij. Po nisi të mendojë jo e them, jo nuk e them, duke bërë kalkulime votash, është e humbur ajo, por kjo pak rëndësi ka, por është e humbur Shqipëria që nga çdo opozitë këtë pret : të thotë të vërteta copë, troç, dhe kur janë të hidhura për militantët, ish ministrat, deputetët e vet, madje edhe kur janë të hidhura edhe për qytetarët. Pa pyetur për efektet elektorale sepse përndryshe e tërheqin pas hunde dhe ajo merr me vete Shqipërinë. Asnjë pushtet nuk e thotë dot të vërtetën si opozita. Pushteti nuk ka as sy, as veshë, as hundë, vetëm gojë, pavarësisht ngjyresës së tij politike.

Nga analizat e bëra del se votuesit e dehur nga hashashi dhe ekonomia e tij ishin gati të bënin gjithçka por jo të linin votime të lira. Ky është moskuptimi i katërt dhe i fundit që më lindi nga lamtumira e fundit postelektorale e zotit Shehu.

Që zona rurale të përcaktojë edhe ngjyresën politike të zonës urbane është poaq keq sa kur pushteti lokal është në duart e shtresave urbane, të cilat kanë rimarrë privilegjin të drejtojnë e administrojnë në nivel lokal popullsinë urbane.

Në rastin e ekonomisë të hatashme të hashashit, del se fshati ka rrethuar qytetin, sikurse qyteti ja mori me reformën elektorale nga dora vendmarrjen lokale popullsive rurale duke krijuar bashki fshat – qytet apo qytet – fshat si në kohën e monizmit.

Kjo sepse nga industria e hashashit mund të ndikohet zona rurale, por më pak ajo urbane.

Ndërkaq reforma territoriale e shpartalloi pushtetin lokal sepse nga dhjetra e qindra hapësira vendim-marrjeje lokale krijoi disa bashki të mëdha. U godit me rrënjë e me degë, nga themelet deri në çati, nga toka deri në qiell, parimi i deçentralizimit. Unë mendoj se aty është rrënja e shkatërrimit të mundësive për konkurim të lirë, aty humbet spektri i nuancave që një rreth apo qark duhej të kishte. Tani kush fiton i fiton, ose në të kundërt i humbet të gjitha.

Humbet Dibrën bashkë me Selishte dhe fle në ahishte!

Politikisht këtu është problemi. Reforma elektorale ka shkatëruar pluralizmin politik pushtetar lokal, i ka dhënë fund decentralizimit të tij.

Por, këtu problemi është i hatashë, por jo i hashashëm. Nuk e ka fajin hashashi për këtë. Është hashashi strategjik ideologjik dhe politik nga i cili duhen të zgjohen të gjithë politikanët e të gjithë krahëve.

Nuk jam aq radikal sa për t’i kërkuar zoti Shehu që këtë problem t’ua ngrejë instancave të partisë së tij. Kemi ne një pushtet vendor të deçentralizuar apo jo ?

Fundja as puna e tij, dhe as imja.

Gjithsesi e ritheksoj zoti Sherefedin Shehu do të kishte qenë një kryetar shumë i mirë bashkie jo vetëm në Dibër !

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency