Vendim/ Ndryshojnë kriteret për marrjen e statusit të veteranit

0
233

Janë bërë disa ndryshime në vendimin nr. 190, datë 3.5.1995, “Për statusin e veteranit të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptarë”.  Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 14, të ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi: Në pikën  16 ndryshohet me këtë përmbajtje: “16. Komisioni qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar i dërgon Institutit të Sigurimeve Shoqërore një kopje origjinale të vendimit për dhënien e statusit të veteranit, ku përcaktohet identiteti i personit që e ka fituar këtë status dhe masa e shpërblimit që ai përfiton, sipas këtij vendimi.”.  Në pikën 23, pas shkronjës “b”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Dëshmia “Familje veterani” jepet me firmë të kryetarit të komisionit qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar dhe me kërkesë të një pjesëtari të familjes së veteranit, i cili duhet të paraqesë dhe këto dokumente: – librezën e veteranit të ndarë nga jeta; – certifikatën e vdekjes së veteranit; – certifikatë familjare të kërkuesit.”.  Paragrafi i fundit i pikës 26 ndryshohet si më poshtë vijon: “Komisioni qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar dhe stafi teknik i tij, në përjashtim nga sa është thënë në paragrafët e mësipërm, të vazhdojë veprimtarinë e tij, duke u mbledhur, të paktën një herë në vit, për shqyrtimin e kërkesave të personave që e fitojnë statusin e veteranit ose të drejtën për t’u shqyrtuar nga ky komision me vendim gjykate të formës së prerë. Këto kërkesa, bashkë me vendimin e gjykatës së formës së prerë, adresohen në Ministrinë e Mbrojtjes. Stafi teknik i komisionit qendror për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”, i përcaktuar në vendimin nr. 151, datë 25.4.2002, “Për statusin “Dëshmor i Atdheut”“, të ndryshuar, të shërbejë si staf teknik edhe për komisionin qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar. Përjashtimisht për vitin 2016, komisioni të ngrihet vetëm për shqyrtimin e kërkesave të personave që u është njohur statusi i veteranit me vendim gjykate të formës së prerë.”.  Lista e përbërjes së komisionit qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar, bashkëlidhur vendimit nr. 190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me listën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë e pandarë e tij.” Pas pikës 26 të shtohet pika 27 me këtë përmbajtje: “27. Trajtimi financiar për personat që kanë fituar të drejtën për t’u shqyrtuar nga komisioni qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar me vendim gjykate të formës së prerë, në rast se komisioni u njeh statusin e veteranit, fillon nga data e marrjes së vendimit të komisionit.”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency