Qëndrimi i demokratëve/ Basha: Bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën, mohuan zgjedhjet e ndershme

0
158

“Aksioni politik që do të diskutojmë e do të vendosim bashkë me qytetarët, me aleatët tanë politikë, do t’ia dalim t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës”

 

Ambrozia Meta

 

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi ditën e djeshme se bashkëpunimi i kartelit të drogës me kryeministrin Edi Rama mohoi mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke shkatërruar kështu procesin poltik. Deklaratat e kreut opozitar erdhën pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, mbledhja e cila u shoqërua me tensione dhe diskutime. Megjithatë lideri i të djathtë, u shpreh se konkluzioni i gjithë grupit parlamentar demokrat është vendosmëria për të këputur hallkat që e lidhin poltikën me krimin . “Ishte një mbledhje dhe diskutim shumë i dobishëm i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që në qendër pati natyrisht ngjarjen kryesore politike në vend, zgjedhjet në Dibër dhe domethënien e zgjedhjeve në Dibër, për të ardhmen e zgjedhjeve, të votës, të demokracisë në Shqipëri.Konkluzioni i qartë i grupit parlamentar në këtë diskutim, në raport me atë çfarë duhet të bëjmë e çfarë do bëjmë nesër, është ajo që tashmë e di çdo qytetar dibran e shqiptar. Se aleanca e politikës me krimin dhe në veçanti bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Dhe ky është një problem ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht dhe vetëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.Grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për një konkluzion të cilin unë e kam shpallur tashmë dhe dua t’ua përsëris: Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që lidhin krimin me politikën. Në veçanti kartelin e drogës e cila ka mbuluar Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të paprecedentë për sa i përket kultivimit të drogës,” – bëri me dije Basha.

 

Qëndrimi

Shefi i selisë blu, në daljen e djeshme para mediave  nuk specifikoi hapat e mëtejshëm që partia Demokratike do të ndërmarë por theksoi se aksioni politik do diskutohet me aletatët dhe qytetarët. Ai u shpreh se synimi i aksionit politik do të jetë riinstalimi i lirisë së votës dhe këputja  e hallkave që lidhin politikën me krimin. “ Me këtë rast dua të shpreh bindjen se hapat e mëtejshëm që ne do të hedhim, aksioni politik që do të diskutojmë e do të vendosim bashkë me qytetarët, me aleatët tanë politikë dhe me aleatët tanë të natyrshëm, që në këtë gjendje janë të gjithë forcat shoqërore, të gjithë qytetarët e ndershëm në këtë vend, ne do t’ia dalim t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër,” – përfundoi Basha, prononcimin e tij për media.Pas humbjes në Dibër,Basha  në emër të partisë Demokratike i shpalli luftë kartelit të drogës dhe korrupsionit. Ai i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë kauzë. “ Dibra 2016 duhet të jetë fillimi i rrënimit të krimit në politikë. Ne i shpallim sot lufte totale Kartelit të Drogës, Krimit dhe Korrupsionit. Me shumë besim se e ardhmja është në duart tona. Demokratët janë në krye të kësaj lufte dhe unë në krye të tyre.Çdo shqiptar, pa dallim krahine, preardhje sociale apo bindjeje politike, është i thirrur të na bashkohet,” – tha lideri i selisë blu.

jorida_tabaku_2_shtator_1

Tabaku: Rama e ktheu Dibrën në një treg të zi, të reagojnë shqiptarët

Partia Demokratike reagoi sërish ditën e djeshme, pas publikimit në media, të një tjetër rasti ku tregohej blerja e votës në favor të kandidatit të majtë. Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ktheu Dibrën në një treg të zi e kriminal, të blerjes së votës. “ Edi Rama e ktheu Dibrën në një treg të zi, kriminal të blerjes së votës, duke hapur zyra e sportele të këmbimit të vullnetit të lirë me para e me euro.Rastet që po nxjerr media çdo ditë provojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirëorganizuar, e blerjes së votës. Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar, drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleq dhe zyrtarë publikë, të cilat PD i ka kallëzuar më 1 shtator.Si vrasës gjakftohtë ata e dinin sa vota kishin në kuti, mbi bazën e parave që kishin hedhur për çdo kuti.Në Dibër nuk pati zgjedhje.Dibra u kthye në një thertore të madhe të mbytjes së votës së lire. Unë jam e sigurt që PD do të shohë edhe nga vetja e do të bëjë analizë të plotë, por Edi Rama tregoi edhe një herë se ai është armiku i votës së lirë.Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën.Nuk mund të ketë zgjedhje me një kryeministër që i shndërron shqiptarët në të varfër për t’ua blerë varfërinë, për t’ua blerë dinjitetin, me para në këmbim të votës.Çdo qytetar në mbarë vendin e di sot se ai i bleu masivisht votat,” – tha ajo. Tabaku  u shpreh se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga korrupsioni, vjedhja dhe abuzimi me lirinë e votës, është reagimi i shqiptarëve. “ 11 shtatori tregoi se vendi nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur në qeveri është Edi Rama.E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga korruptimi i mëtejshëm, vjedhja edhe abuzimi me lirinë e votës është reagimi i gjithë shqiptarëve për të larguar nga drejtimi ato që e varfërojnë këtë vend për ta blerë më lirë. Vetëm reagimi i shqiptarëve, mundet të risjellë edhe një herë shpresën që përditë po zhduket nga një bandë e cila nuk beson në zgjedhje të lira dhe të ndershme,” – theksoi deputetja demokrate, në deklaratën për shtyp.

 

sherefedi-shehu

Shehu mesazh dibranëve: E di se u kërcënuat me bukën e gojës, mirënjohje për votat e besimin

 

Kandidati demokrat për kryebashkiak në Dibër Sherefedin Shehu, pas humbjes në zgjedhjet  e 11 shtatorit, iu drejtua ditën e djeshme dibranëve, duke u shprehu mirënjohjen për mbështetjen, besimin dhe votat që i dhanë. Shehu deklaroi se varfëria rriti tundimin e të varfërve  dhe të pamundurve për të shitur votën. Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time të thellë, për mbështetjen, besimin  dhe optimizmin që më përcollët gjatë gjithë fushatës elektorale.
Unë e di se presioni ndaj jush ka qenë i madh. Gardianet e hashashit ju kërcënuan në mënyrë sistematike nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e vetë shefit të komisariatit.  Unë e dëgjova nga goja juaj, se e kishit të pamundur të mbillnit tokat tuaja apo të prisni dru në malet tuaja, se trafikantët e mbledhur në Dibër nuk ua lejonin një gjë të tillë.Varfëria që u thellua në këto tre vjet e rriti tundimin e më të varfërve, e më të pamundurve për ta shitur votën sepse në fund të fundit kjo është filozofia e Edi Ramës, sa me i varfër populli, aq me më e lire vota,” – tha ish deputeti demokrat. Shehu  foli edhe pë rata dibranë, që sipas tij u kërcënuan me bukën e gojës dhe u shantazhuan për votën. “ E di se u kërcënuat me bukën e gojës, me ndihmën ekonomike, shumë prej jush jua hoqen atë, u kërcënuat me heqje KEMP-i, u larguat nga puna, u  shantazhuat për votën.E di se kishte shumë prej jush që nuk e pranuan shitjen e votës, por ditën e zgjedhjeve përmes kërcënimit, e madje duke u lënë në prag të derës rojet e hashashit me kallashnikov nuk dolën dot të votojnë, “ – nënvizoi ai. Kandidati i PD – së shprehu bindjen se mençuria dibrane do triumfojë, ndërsa tha se demokratët janë rikthyer gjithmonë më të fortë pas dhunës e kërcënimeve që u janë bërë. “ E kam thënë gjatë fushatës elektorale e dua sërish ta kujtoj se përtej të qenit të majtë apo të djathtë ne jemi dibranë dhe jam i bindur që shumë prej jush që për shkak të presionit, varfërisë apo shantazhit nuk më votuat mua, nuk do të jetë e largët dita që mençuria dibrane do të triumfojë e do t’i ktheni shumëfish Edi Ramës dhe bandës së tij fyerjen, dhunimin dhe përçimin që u bëri në këto zgjedhje.Historia e ka treguar se ne demokratët jemi rikthyer gjithnjë e më të fortë pas dhunës, kërcënimit e vrasjeve që na kanë bërë. Sepse Zoti e desh që ne të jemi forca e lirisë e demokracisë dhe e zhvillimit.Dhe unë sot jam më i bindur se kurrë se dibranët  do të rikthehen shpejt aty ku e kanë vendin në parajojë të  qendrës për vlerat e lirisë dhe demokracisë,” – deklaroi Shehu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency