Kryeqytet/ Policia i kërkon bashkisë lirimin e sheshit “Skënderbej”

0

Kanë nisur gërmimet në lulishten që rrethon monumentin e Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër. Firma ndërtuese ka çmontuar fillimisht pllakat e trotuarit e më pas puna po përvijon me gërmimin dhe rrafshimin e hapësirës së gjelbërt. Paralelisht bashkia e Tiranës ka bllokuar disa pjesë të qendrës së qytetit që projektohet të kthehet në pedonale vetëm për këmbësorët. Po kështu janë bllokuar edhe disa rrugë hyrëse drejt sheshit “Skënderbe” si dhe është rrethuar lulishtja përqark muzeut Historik Kombëtar. Në lidhje me këtë situatë të krijuar në kryeqytet ka reaguar policia e cila I kërkon bashkisë lirimin e sheshit “Skënderbe”. Situata e rënduar e trafikut në Tiranë, si pasojë e bllokimit të sheshit “Skënderbe”, ka shqetësuar edhe Policinë Rrugore të kryeqytetit. Rrugorët janë gjetur të papërgatitur dhe janë kapur në befasi nga vendimi i Bashkisë së Tiranës, për të nisur punimet pa paralajmërim. Edhe pse policia i shtoi patrullat e saj nëpër rrugë për të disiplinuar trafikun, ajo e pati të pamundur të shmangte bllokimet, veçanërisht ditën e parë të shkollës. Për këtë arsye, Komisariati i Policisë Rrugore i ka kërkuar zyrtarisht Bashkisë, që të lejojë lëvizjen e makinave në sheshin “Skënderbe”, për t’i thënë frymëmarrje qarkullimit. Në një shkresë drejtuar administratës së Bashkisë, policia i bën me dije masat që duhen marrë për të zhbllokuar trafikun. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pyetur gjatë një inspektimi të punës së Policisë Rrugore, për ndëshkimin e drejtuesve që nuk mbajnë rripin e sigurimit, nuk e mohoi ekzistencën e shkresës. Ai pranoi se mbyllja e sheshit ka krijuar probleme, por tha se kjo do të jetë e përkohshme dhe do të gjendet një zgjidhje. Situata e qarkullimit të mjeteve në Tiranë është rënduar pasi edhe sheshi “Nënë Tereza” mbahet i bllokuar prej disa muajsh, ndërkohë qe as Unaza e Vogël e Tiranës nuk funksionon.