Gruri dhe misri, qeveria na ka bërë të varur nga Rusia dhe Serbia!

0

– Prodhimi i bulmetit, 65 për qind kryhet në të zezë

Loading...

 

 Ervin Kaduku

 

Produkti bazë i ushqimit tradicional të shqiptarëve blihet masivisht në import, ndonëse kushtet janë për ta prodhuar lehtësisht në vend. Por kjo nuk është e gjitha. Qeveria Rama na ka krijuar vit pas viti një varësi nga dy shtete, të cilat nuk ndodhen në sferën e miqve strategjikë perëndimorë, përkundrazi. Konsumi i grurit në Shqipëri mbulohet totalisht nga importi. Referuar shifrave të publikuara nga “Agroweb.org” Shqipëria importon mesatarisht 260-300 mijë ton grurë në vit, 49% e të cilit blihet nga Rusia dhe menjëherë pas saj renditet Serbia me 28%. Gruri, thekra e misri janë produktet që mbizotërojnë në tabelën e importeve nga Serbia në 9-mujorin e parë të 2015­tës. Shifrat e Ministrisë së Bujqësisë mbështeten edhe nga shifrat e raportit “Doing Business in Albania Exporter Guide 2015”, publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Bujqësisë USDA. Në raport thuhet se edhe pse ka ende problem lidhur me madhësinë e anijeve të trasportit, ka një potencial të mirë për eksporte nga SHBA. Qeveria Shqiptare po planifikon të zgjerojë portin dhe të rrisë kapacitetet e magazinimit në mënyrë që të maksimizojë përfitimet ekonomike në rrugës Durrës­-Kukës. Shqipëria prodhon sasi të mëdha misri, më së shumti për ushqim për kafshët, megjithatë në vitin 2013 importoi rreth 150,000 ton misër dhe ushqim për kafshët me një vlerë prej 45 milionë Dollarë. Konkurentët më të fortë për Shtetet e Bashkuara për grurin dhe misrin në Shqipëri janë vendet e Lindjes, kryesisht Rusia dhe Ukraina, ashtu si edhe Argjentina, thuhet në raport. Edhe sipas shifrave të Open Data Albania, mbi importin e grurit sipas origjinës 2001­2013, Rusia dhe Serbia kryesojnë listën e vendeve nga ku Shqipëria ka importuar këtë produkt. Sipas analizës së të dhënave marrë nga International Trade Centre, në vitin 2013 Rusia zë vendin e parë për import të grurit dhe përzjerjes grurë­-thekër me 65.1% e ndjekur nga Serbia me 11.5% dhe Franca me 9.7%. Sa i përket eksporteve me vendet e CEFTA Shqipëria vlerën më të lartë e arrin me me Kosovën me rreth 11.3 milionë Euro, ndërsa importet më të larta i ka me Serbinë në 34.4 milionë euro.

 Qumështi

Por nuk është vetëm “buka e përditshme” ajo që çalon në bujqësinë shqiptare. Në të gjithë zinxhirin e industrisë së përpunimit të qumështit ka aktorë që operojnë në mënyrë informale, pa pasur NIPT-in dhe pa lëshuar fatura me TVSH. Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një studim të hollësishëm mbi prodhimin dhe tregtimin e qumështit në vend dhe ka vërejtur se 65% e aktivitetit zhvillohet në informalitet të plotë. Këta “xhepa të zbrazët” krijojnë premisa për informalitet dhe çojnë drejt operacioneve problematike për aktorët e tjerë, ata formalë në këtë zinxhir, duke krijuar probleme serioze që sektori i bujqësisë të përfitojë njësoj nga subvencioni. Në veçanti, grumbulluesit informalë të qumështit dhe baxhot informale jo vetëm që qarkullojnë volume të mëdha të qumështit dhe kapital të konsiderueshëm, por gjithashtu përmes operacioneve të tyre informale dëmtojnë përpjekjet për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve. Përderisa cikli i TVSH-së nuk është i mbyllur, rrjedhimisht nuk mund të jetë efektiv në mënyrë të mjaftueshme.

Analiza e Këshillit të Investimeve vë në dukje se transaksionet nëpërmjet sistemit bankar për të gjithë prodhuesit nuk janë një mënyrë efikase, për më tepër duke pasur parasysh se shumica e tyre duhet të udhëtojnë në distanca të gjata për të arritur bankat në qytete dhe shuma e parave të marra nga shitja e qumështit është shumë e vogël në krahasim me përpjekjet, kohën e harxhuar dhe shpenzimet. Ka mungesë informacioni dhe vështirësi në ndërgjegjësimin e fermerëve mbi legjislacionin tatimor dhe ndryshimet e tij, si dhe të gjithë skemën e formalizimit. Kapacitetet administrative rajonale përgjegjëse janë të kufizuara dhe shpesh jo afër fermerit për t’i asistuar.

Problemet në regjistrimin e tokës dhe tregun e saj, identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, mungesa e besueshmërisë së të dhënave statistikore kërkojnë adresim të qartë për të mundësuar formalizimin afatgjatë të sektorit. Sektori i blegtorisë shqiptare është dhe do të mbetet pjesë e kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi për t’ju përgjigjur nevojave të popullsisë. Edhe pse statistikat bujqësore nuk japin të dhëna plotësisht të besueshme dhe të sakta, disa prej shifrave që lidhen me sektorin e blegtorisë tregojnë se numri i fermave që merren me blegtori është 352 mijë. Fermat që merren kryesisht me gjedh janë 214,9 mijë, ato që merren kryesisht me dhi janë 23,4 mijë dhe dele 47 mijë.

Sasia e qumështit në një nivel prej 1.1 milionë tonësh në vit prodhohet nga 358 000 lopë, 1,896,000 dele dhe 904,000 dhi. Për shkak të menaxhimit më të mirë, tendenca është drejt uljes së numrit të krerëve të bagëtive dhe rritjes së prodhimit të qumështit dhe mishit. Rreth 80% kanë nga 2 deri në 4 lopë; rreth 15% kanë nga 5 deri në 10 lopë, rreth 4% kanë nga 10 deri në 15 lopë, dhe vetëm 1% kanë mbi 15 lopë. Qumështi përpunohet në baxho, të cilat afërsisht janë llogaritur të jenë 450, nga të cilat rreth 35% kryejnë veprimtari në mënyrë formale (të regjistruara, me Tatim mbi Vlerën e Shtuar – TVSH), ndërsa 65% veprojnë në mënyrë informale.

Loading...