“Bomba” shtetit shqiptar nga Gjykata e Strasburgut, vijon orteku

0
246

Në zbatimin të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, qeveria shqiptare ka çelur fondet për kompensimin e pronave për 21 anëtarë të familjes Karagjozi. Vendimi për kompensimin e tyre është botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë pritet vetëm disbursimi i menjëhershëm nga Thesari. Në shumën e dëmshpërblimit 5.9 milionë euro përfshihet dëmi pasuror dhe jopasuror, si dhe kostot e shpenzimet, sipas listës së kërkuesve

Vlerat monetare gjatë ekzekutimit të vendimit do të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.  Më pas ato do të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.4.2016. Pagimi i shumave të depozituara bëhet nga Ministria e Financave pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga fondi i kontingjencës i buxhetit të shtetit.

Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, dhe ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, buxheti i shtetit është para një rreziku serioz. Sipas të dhënave të Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro, shumë kjo sa 22% e të ardhurave të pritshme për 2015-n të buxhetit vjetor të shtetit. Po sipas Avokaturës së Shtetit, gjithsej janë ekzekutuar 19 vendime nga viti 2006 me një vlerë 18.295.547 euro, 2 vendime janë në ekzekutim me një vlerë prej 5.412.800 euro. Ndërsa nga çështjet që janë në gjykim (14 çështje në pritje të shpalljes së vendimit), që i përkasin periudhës para vitit 2014, kanë një vlerë prej 24.000.000 eurosh.

Në dy vitet e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar faturat e “Strasburgut” për kthimin e pronave, si rrezikun më të madh fiskal që i kanoset vendit. Nga një anë, vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për zbatim dhe në rast se ndodh e kundërta, fatura shtohet edhe më shumë nga kamatëvonesat. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit në kushtet që është sot, nuk mund të atribuojë një të tretën e tij për të kompensuar ish-pronarët, pasi rrezikohen nevojat bazike të të gjithë shtetasve. Në këtë situatë, ndërmjet presionit të Strasburgut dhe të pamundësisë së përmbushjes së detyrimit qeveria shqiptare në ligjin e ri ka gjetur një formulë kompensimi që rëndon tërësisht në kurriz të ish-pronarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency