Intervistë ekskluzive/ Sara Kapo: Nga bashkëpunimi me Florin e Ledrin tek roli i Shote Galicës moderne

0

sk

Loading...

 

“E kam njohur dhe pranuar veten deri në këtë aspekt dhe më pëlqen që jam e ndjeshme. Nuk do të doja kurrë të isha një njeri pa afeksione apo urrejtje. Moskokëçarja,  pjesë e karakterit tim”

“Gjyshja dhe mamaja janë modeli që kam ndjekur në jetë. Femra të forta, të pavarura, bukuroshe dhe plot sharm”

 

Intervistoi: Irini Meçe

 

Sara Kapo tashmë është kthyer në një emër të njohur dhe shumë të lakueshëm. Njihet nga të gjithë tani si  protagonistja e këngës “Beautiful” nga Flori dhe Ledri dhe admirohet për kauzën që ka mbrojtur në videoklip. Pas pjesëmarrjes në videoklipin “Beautiful”, Sarën do e shohim në mishërimin e Shote Galicës moderne. Është vetëm 22-vjeçe, por veçohet nga bashkëmosharët e saj, ku moskokëçarja e bën edhe më interesante nga të tjerët. Të gjithë kanë përshtypjen për një vajzë rebele, por të paktë janë ata që e dinë që brenda atij shpirti rebel qëndron një vajzë shumë e ndjeshme që përlotet duke parë edhe një film.  Pikërisht në këtë intervistë për gazetën “Standard” , Sara vjen si një rebele e ndjeshme duke na rrëfyer projektet e saj në të ardhmen si dhe pasionin për këngën.

 

Sara është një nga personat publikë më të dashur kohët e fundit, sidomos pas pjesëmarrjes në videoklipin “Beautiful”. Si po e përjetoni këtë moment?

Pak çuditshëm. Ka ardhur gjithçka kaq shpejt dhe kaq shumë sa jam hutuar paksa. Nuk ma merrte mendja kurrë që do kisha sukses dhe të quhesha “personazh i dashur për publikun”. Pavarësisht se njerëzit nuk janë kurrë të kënaqur dhe keqkuptohen, pjesa me e madhe e kanë pritur këtë personazhin tim me shumë pozitivitet.

 

Si iu duk ideja në fillim për të qenë pjesëmarrës në videoklip?

Fillimisht isha pak skeptike. Sa përmendet videoklip më shkon në mendje ekspozimi i hireve të femrës përgjatë 3 minutave këngë. Jo se kam gjë kundër nuditetit, por kur është pa arsye, klishe dhe vulgar nuk hyn në shijet e mia. Më pas kur me shpjeguan idenë, arsyen dhe frymën mezi prisja ditën e xhirimeve dhe më kapën emocionet pa hyrë në xhirime akoma.

 

Para pak kohësh ju keni publikuar një foto që do të jeni pjesëmarrës në një dokumentar ku ju do të keni rolin e Shote Galicës moderne. Si ka lindur ideja për këtë dokumentar dhe si e pritët ju rolin që do të keni?

 

Ideja ishte totalisht e regjisores Dojna Mema dhe mua thjesht mu ofrua roli për të qënë Shota moderne. Propozimi i saj dhe xhirimi ndodhën përpara klipit me çunat ndaj kjo verë ka qenë plot me surpriza të mira për mua. Duke qenë se nuk kam bërë shkollë për aktrim, ndjeva pak përgjegjësi të madhe mbi shpatulla sepse gjatë procesit me vinte në mendje serioziteti i projektit. Si hapi i parë, le të themi që e nënvlerësova veten, sepse rezultati më ka dhënë shumë vetëbesim në këtë fushë.

A ka ngjashmëri midis Sarës dhe Shote Galicës moderne?

Na fillon të dyja emri me shkronjën S (qesh). Ndoshta guximi për ta jetuar jetën siç duam të dyja na bashkon në një pikë.

 

Cili do të jetë mesazhi i këtij dokumentari dhe rolit tuaj?

Nuk do të doja kurrsesi të ndërhyja në gjykimin e kujtdo që ndoshta do të lexojë këtë intervistë dhe do të shohë dokumentarin ndaj po e le këtë përgjigje të thatë për të mirën e projektit.

Gjithashtu në llogarinë tuaj në instagram publikoni foto të xhirimeve “Elvis Walks Home”. Për çfarë projekti bëhet fjalë?

Është një film artistik me metrazh të gjatë, me produksion anglez dhe me regji të Fatmir Kocit. Pavarësisht se kam një rol shumë të vogël, për mua eksperienca dhe propozimi ishin shumë. Normalisht për të nuk më lejohet të flas derisa të dali filmi, por mund të them se skenari është shumë interesant dhe veçantia e tij më bëri për vete.

 

Kush është Sara, përveçse rebele që të gjithë e dinë?

Sara është një 22 vjeçare, lëmsh me idetë e saj, duke kërkuar çfarë do të bëjë me këtë jetë. Ndoshta më bën paksa interesante moskokëçarja kundrejt interesave që moshatarët e mi kanë, në sensin që nëse ata bëjnë çfarë i thotë prindi e duan status, unë dëshiroj thjesht të eksperimentoj me çfarëdolloj ideje të më vijë në kokë

 

A jeni e ndjeshme?

Në fakt këtë “attitude” prej goce të fortë e kam thjesht një mburojë, apo mekanizëm për të mbajtur njerëzit apo fenomenet larg. Nuk do ta besoje se sa herë jam përlotur nga filma, këngë, histori, libra, piktura apo qoftë një gjest që më prek. E kam njohur dhe pranuar veten deri në këtë aspekt dhe më pëlqen që jam e ndjeshme. Ndihem mirë që jam kaq afër humanitetit tim sepse mendoj që jetojmë duke përjetuar emocione të forta, si të mira si të këqija. Nuk do të doja kurrë të isha një njeri pa afeksione apo urrejtje.

 

Kur ka qenë hera e fundit që keni qarë?

Kur shkova në plazh për herë të parë në fillim të shtatorit pas një vere ku lëkura ime nuk kishte prekur as ujin me kripë e asnjë rreze drite. Me sa duket kisha kaq shume përbrenda sa ato lot më dolën pa i kuptuar fare.

 

Si ka qenë fëmijëria e Sarës?

Goca mes çunave gjithmonë dhe kjo traditë vazhdon edhe sot. Kam kaluar vite vegjëlie shumë të lumtura dhe plot aktivitete. Dashuria familjare dhe shoqërore nuk më kanë munguar kurrë, pavarësisht se nga ana tjetër, e kam pasur pak të vështirë të përshtatesha në shkolle sepse kam qenë pak e çuditshme në çfarë thoja e bëja. Janë gjëra që kalojnë shpejt dhe sidoqoftë, edhe para shumë vitesh, moskokëçarja ka qenë pjesë e karakterit tim, ndaj edhe ajo pengesë e vogël me ka ndihmuar të njoh veten.

 

Cili ka qenë modeli që ju keni ndjekur në jetë?

Gjyshja dhe mamaja. Femra të forta, të pavarura, bukuroshe dhe plot sharm. Mendoj se jam me fat që shembujt e mi më kanë rritur dhe kanë qenë pranë meje në çdo hap te jetës time. Është më real frymëzimi kështu se sa të adhurosh figura të paprekshme dhe larg njerëzve të vërtetë, (flas për celebrity-t)

 

Motoja juaj në jetë?

“Dielli do lindi prapë nesër.

Cili është pasioni jot, a është aktrimi?

Nuk e kam gjetur akoma, pavarësisht se gjithmonë më ka tërhequr kënga. Aktrimin e provova se kështu më erdhën rrethanat por së shpejti do e provoj edhe këtë fushën tjetër.

A është Sara e dashuruar?

Fatkeqësisht për momentin jo. Po kënaqem dhe afeksionohem, por nuk mendoj se është kjo dashuria. Shpresoj që ta gjej një ditë, jo domosdoshëmërisht tek një mashkull, thjesht dua të ndjej.

Çfarë rryme muzike dëgjoni?

Përgjithësisht rock, dhe besoj se duket nga stili. Por nuk më pëlqen të kufizohem. Lloji i muzikës varion nga momente të ndryshme të javës, ditës apo muajit. Ka ditë që dua të dëgjoj muzikë klasike, ka ditë që vesh pantallona të gjera dhe dëgjoj vetëm Rep.

Më kë po jetoni momentalisht?

Me mamin dhe me qenin

A di Sara të gatuajë?

Sara nuk gatuan përditë, se përton, por kur i futet kuzhinës sigurohet që të ketë ushqim të shijshëm sa për një javë.

Ku i kaluat pushimet e verës?

Aman se ky vit me pushime shumë dobët. 5 ditë u largova në jug, 2 ditë ra shi dhe tjetrën u ktheva.

A keni ndërmend t’i rrisni flokët?

Nuk e di në fakt, më merr malli shumë për flokët e mia të gjata por nga ana tjetër më pëlqejnë flokët e shkurtra estetikisht dhe praktikisht.

Ku do e shohim Sarës pas pak kohësh, planet dhe projektet tuaja?

Me kismet mund të më shihni njëherë  në javë në një program televiziv, por edhe në ndonjë klip muzikor, ku kësaj rradhe do jem unë duke kënduar.

 

Loading...