Paralajmërim i FMN/ Qeveria do të dëmtojë mjedisin e biznesit për përfitime elektorale

0

– Sipas Fondit, risqet e programit të rimëkëmbjes ekonomike mbeten të larta edhe për shkak të tensioneve që mund të prodhohen gjatë fushatës zgjedhore e procesit në terësi

Loading...

 

 Ervin Kaduku

 

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të diktojnë ecurinë e reformave kryesore të ndërmarra nga qeveria, pasi për arsye elektorale, mund ketë një zbehje të disiplinës në luftën kundër informalitetit e evazionit fiskal dhe në atë të uljes së nivelit të humbjeve joteknike në sektorin elektroenergjetik. Kjo është “frika” që Fondi Monetar Ndërkombëtar shfaq në raportin e fundit për Shqipërinë. Mbështetja e fortë politike që kanë këto reforma, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar janë një faktor kyç në suksesin e tyre. Por ndryshimi i klimës politike, mund të kthehet në një rrezik për reformat e nisura. “Reforma në sektorin energjetik dhe fushata kundër evazionit fiskal po japin rezultate, megjithatë afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme në mesin e vitit 2017 mund sjellë një zbehje në disiplinën e politikave”, shkruhet në raport. Më tej, raporti evidenton se risqet e programit të rimëkëmbjes ekonomike mbeten të larta edhe për shkak të tensioneve që mund të prodhohen gjatë fushatës zgjedhore e procesit në terësi. Më e ndjeshme ndaj këtij rreziku, sipas Fondit, është mbledhja e të ardhurave gjatë periudhës së fushatës; një tendencë kjo që është konstatuar edhe në proceset e mëparshme zgjedhore ku është ulur numri i kontrolleve tatimore e ka pasur vullnet për lehtësira të ndryshme nga autoritetet. “Autoritetet mbeten të vendosura për të përmbushur objektivat e programit.

Gjithsesi me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mesit të vitit 2017, tensionet politike mund të vendosin në pikëpyetje këtë vendosmëri të autoriteteve dhe angazhimin e tyre për konsolidimin fiskal. Mbledhja e të ardhurave kërkon një vullnet të qendrueshëm politik dhe është e ndjeshme ndaj pengesave administrative e teknike”, thekson raporti. Programi i rimëkëmbjes ekonomike që po zbatohet nga autoritetet shqiptare nën mbikqyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm, të paktën 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare.

 

Raporti

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e radhës për Shqipërinë ku analizohet situata ekonomike përgjatë vitit 2016, përmbushja e detyrimeve të palës shqiptare në programin e rimëkëmbjes ekonomike dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit. Sa i përket situatës ekonomike të vendit, FMN evidenton në raport se janë bërë hapa të rëndësishëm, por nga ana tjetër shpreh dhe rezerva në disa aspekte. Në raport theksohet se megjithë lehtësimet e subvencioneve monetare, rritja ekonomike mbetet e dobët, e kufizuar nga numri i madh i huave që nuk po performojnë. Ndërsa prioritetet e radhës mbeten zbatueshmëria e reformave dhe ulja e nivelit të kredive joperformuese, që vlerësohen si risqet kryesore për ekonominë. Sa i përket kreditimit të ekonomisë, në raport evidentohet se sistemi bankar mbetet solid dhe likuid megjithatë kreditimi i ekonomisë është ende nën potencial. “Vështirësitë me zbatimin e kontratave dhe ekzekutimin e kolateralit në sistemin gjyqësor pengojnë kreditimin e ri, ndërkohë që kreditë joperformuese, edhe pse në rënie mbeten sërish në nivel të lartë duke arritur në 19.5 për qind të nivelit të kredive”, thuhet në raport. Një tjetër problem për FMN është borxhi publik. “Daljet financiare prej amortizimit të borxhit qeveritar kanë sjellë një rënie të lehtë në rezervat kombëtare në 2016”, evidentohet në raport. Ndërkohë, po sipas këtij të fundit, objektivat fiskale në fund të prillit u arritën për arsye të mangësisë së ekzekutimit të shpenzimeve. “Faturat e rrogave ishin më të ulëta nga sa pritej prej vendeve të lira në administratën civile. Kapitali dhe shpenzimet lokale nuk arritën objektivat e programit prej 0.3 për qind të GDP, duke reflektuar dobësi në menaxhimin e projekteve publike. Shpenzimet sociale ishin gjithashtu nën buxhet”, vëren FMN, sipas së cilës kriteret e performancës u arritën lehtësisht kurse dy nga katër objektivat treguese nuk u arritën. Ato ishin treguesi i shpërndarjes së humbjeve në sektorin e energjisë elektrike që nuk u arrit prej mangësisë së investimeve në infrastrukturë si dhe për shkak të treguesit të akumulimeve të faturës së pagesave qeveritare, i cili ishte gjithashtu negativ me rreth 0.15 për qind të GDP, kryesisht për pagesat e parealizuara për punimet rrugore, vendimet e gjykatave dhe shpronësimet.

 

Korrupsioni galopant

Ndërkohë, një shqetësim tjetër, që është shprehur nga një tjetër “Big Brother”, fokusohet tek fakti që mjedisi ku operon biznesi ende cilësohet i cenueshëm nga korrupsioni. Sipas raportit të TI (Transparency International), faktorët që ndikojnë në këtë klimë mbeten informaliteti në ekonomi, ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjor, kapaciteti i ulët dhe sjellja arbitrare e administratës publike, si dhe korrupsioni në sistemin gjyqësor. Korrupsioni politik mbetet një trysni mbi biznesin e madh dhe kontratat e mëdha me shtetin. Dispozitat ligjore mbi burimet, transparencën dhe llogaridhënien janë të konsiderueshme, por zbatimi i tyre mbetet prapa. Megjithëse reforma rregullatore e ka thjeshtuar hapjen dhe mbylljen e një biznesi, ka ende vështirësi në lidhje me të drejtat e pronësisë, lejet ndërtimore, autorizimet dhe aksesin në financa. Ato që ndikojnë veçanërisht shumë janë niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, niveli i ulët i zgjidhjes ligjore të mosmarrëveshjeve mbi kontratat, si dhe i shtetit ligjor. Transparenca e ndërmarrjeve është përmirësuar, por ende ka nevojë për përpjekje për të siguruar integritetin e llogarive financiare dhe auditimit financiar, dhe sidomos më shumë hapje në sektorin financiar. Ekzistojnë ende vështirësi në lidhje me të drejtat mbi pronën, lejet ndërtimore, inspektimet dhe aksesin në financë. Në vitin 2015, Komisioni Europian vuri në dukje mangësitë në shtetin ligjor, respektimin e të drejtave mbi pronën si dhe luftën kundër korrupsionit. Raportet e Konkurrueshmërisë Globale dhe raportet për Klimën e Investimeve të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) vazhdimisht kanë theksuar faktin që kompanitë në Shqipëri e konsiderojnë joefikas kuadrin për apelimin e rregullave apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

 

Fondet për projektet, si përdoren nga pushteti qendror për qëllime politike

 

Në një analizë të Think-Tankut “Albanian Platform For Policy Advocacy” (APPA), analistja Mimi Barushi nxjerr në dritë mënyrën e padrejtë të shpërndarjes së fondeve nga qeveria që nga viti 2014 e deri në atë aktual, për sa i takon financimit të projekteve të bashkive të ndryshme në vend. Barushi në analizën e saj vëren se resurset financiare janë ndarë më mënyrë të padrejtë dhe të pabarabartë dhe se arsyeja politike ka qenë ajo që ka motivuar këtë shpërndarje. Për më tepër në raportin e saj shkruhet:

1- Paraja shkon tek paraja…. gjithmonë?!

Megjithëse në muajin korrik pritej një profil i ulët për MZHU, ministria u gjend e përmendur, analizuar e diskutuar gjerësisht në platformat mediatike. Bazuar në vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare, më 13 korrik, Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve shpërndau 2.63 miliardë lekë në total, drejtuar 3 programeve të granteve: “Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore”, “Arsimi” dhe “Shqipërisë dixhitale”. Në një skanim të shpejtë të dokumentit vihen re mungesa të shume bashkive, pavarsisht informacionit që të gjitha bashkite kishin aplikuar me projekte.Tabela e programit të “Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore” paraqet ndarjen e fondeve vetem per dy Bashki, atë të Gjirokastrës dhe Korçës, më sakte vijimësinë e financimit të tri projekteve që nga viti 2015 deri më 2017. Nuk kishte asnje aplikim të ri? Ne 61 bashki vetëm Bashkia e Korçës dhe Gjirokastrës kanë projekte të papërfunduara?

Në ketë raport vendosëm të analizojmë ndarjen e fondeve për “Zhvillimin e infrastukturën Vendore” nga viti 2014, kohë kur Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve u prezantua nga Kryeministri Rama. Në dispozicion për cdo thirrje janë vendosur dhe shpërndarë rreth 11 bilionë lekë, 4.97 në 2014, 3.53 në 2015 dhe deri më tani rreth 2.5 bilionë. Në fund të vitit 2014 është akorduar me VKM dhe një fond shtesë prej 463 milonë për projektet e inicuara në fillim të së njëjtit vit. Bashkitë përfituese në cdo thirrje kanë qenë ato të Beratit, Durrësit, Elbasanit, Lushnjes, Kavajës dhe Vlorës. Bashkitë më pak përfituese kanë qene ato të Burrelit, Bulqizës, Përmetit, Shkodrës, Tiranës (deri me 2015), duke vijuar me bashkitë e vogla që u është mbështetur 1 ose 2 projekt promozime. Bashkisë së Kamzës, nuk i është financuar asnjë projekt.

Tabelat nxjerrin në pah ndarjen jo të drejtë të fondeve. Në 2014 fondet iu akorduan numrit më të madh të bashkive, diçka që nuk ndodhi më në 2015 apo 2016. Bashkitë aplikuan me projekte me kohëzgjatje e shkallë ndërtimi të ndryshme; projektet që morën pjesën më të madhe të fondeve ishin ato të bashkive të majta, të cilat do të zhvilloheshin përgjate 2 ose më shumë viteve. Fenomen i ngjashëm nuk ndodhi më bashkitë e djathta. Gjithashtu vihet re se bashkitë e majta me popullsi më të ulët, marrin fonde disa herë më shumë se bashkitë më të mëdha të djatha. Më konkretisht, Bashkia e Shkodrës, një nga më të mëdhatë në vend, do të përfitojë këtë vit 5 herë më pak fonde se Bashkia e Krujës. Mënyra e deritanishme e financimit nuk siguron balancim dhe harmonizim të drejtë të shpërndarjes së investimeve rajonale. Asnjë politikë për zhvillimin rural dhe të infrastrukturës në fshatra, në njesitë administratrative nuk është mbështetur dhe financuara. Qasja e përsëritur e KZHR ndër vite është shqetësues dhe duhet të rikonceptohet.

 

mbledhje-qeverie

Borxhet e bashkive

Qeveria do detyrojë bashkitë që të shlyejnë 100 milionë dollarë borxhe të prapambetura brenda dhjetorit të vitit të ardhshëm. Në letrën e mirëkuptimit që i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave thotë se do i kërkojë njësive vendore që brenda këtij muaji të përgatisin planin konkret të shlyerjes përfshirë burimet financiare që do të përdoren. “Qeveria nuk do të akordojë asnjë fond nga buxheti, për të shlyer këto borxhe. Ato do të përballohen nga të ardhurat e vetë bashkive”, thuhet në letër.  Një audit i kryer nga “Grant Thornton” me kërkesë të vetë qeverisë zbuloi se njësitë e pushtetit vendor kanë 12 miliardë lekë borxhe të vjetra ndaj biznesit apo enteve publike. Shuma, e cila është sa 0.8 për qind e Prodhimit Kombëtar, është krijuar kryesisht para reformës së re administrative, por situata me financat e pushtetit vendor mbetet ende kaotike. “Ne po përgatisim një ligj të ri, i cili do të disiplinojë financat vendore dhe krijon mekanizma ndërhyrje për bashkitë në vështirësi financiare”, vijon më tej letra e MF.  Borxhi prej 12 miliardë lekë i njësive vendore është fatura e dytë që qytetarët do të paguajnë për detyrimet e fshehta. Dy vitet e fundit qeveria ka shlyer 54 miliardë lekë të tjera borxhe të buxhetit qëndror, që ishin krijuar para 31 dhjetorit të vitit 2013. Fatura u pagua përmes kredive që qeveria mori nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

 

Rritje e shpejtë e përdoruesve të internetit në Shqipëri

Numri i përdoruesve të internetit, vecanërisht atyre që e bëjnë këtë nëpërmjet telefonit, ka rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të AKEP në fund të qershorit 2016 rreth 1.5 milion pajtimtarë hyjnë në internet nëpërmjet telefonit. Rritje ka edhe numri i pajtimtarëve të shërbimeve të integruara Telefoni, Internet dhe Televizion. Edhe 6-mujori i parë i këtij viti është karakterizuar nga një rritje e shpejtë e numrit të përdoruesve të internetit si në rrjete fikse ashtu edhe në ata celulare. Sipas të dhënave të publikuara nga AKEP “Numri i përdoruesve aktivë me akses broadband 3G-4G, nëpërmjet aparatit të telefonit celular dhe kartave USB/modem, në fund të qershorit 2016 ka shkuar në rreth 1.5 milion pajtimtarë. Kjo rritje rezulton të jetë 51 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas këtyre të dhënave penetrimi për popullsi i përdoruesve aktivë celularë të aksesit broandband nga rrjetet 3G dhe 4G ka shkuar në arriti 53.5 për qind, duke marrë një zgjerim prej rreth 20 për qind të territorit krahasuar me qershorin 2015. Kjo rritje e ndjeshme të tregut shpjegohet edhe me futjen e shërbimit 3G nga të gjithë operatorët celularë të tregut. Por me rritje gjithashtu raportohet të ketë qenë edhe numri i përdoruesve të internetit nga rrjetet fikse, të cilët në fund të qershorit kishin 255 mijë pajtimtarë ose 3 për qind më shumë se në mars 2016. Megjithatë përdorimi i internetit nga kompjuterat ende është në shkallë të ulët. Sipas treguesve të 6 mujorit të parë 2016 në këtë formë aksesohet në internet vetëm 9 për qind e popullsisë. Të dhënat e AKEP flasin edhe për rritje me 10 për qind brenda tre muajve të pajtimtarëve që marrin shërbime të integruara (Telefoni, Internet dhe Televizion). Tashmë këtë shërbim që ndryshe njihet si tre në një e marrin 175 mijë pajtimtarë. Ndërkohë në telefoninë celulare raportohet rritje e proporcionit të thirrjeve off-net, që do të thotë përdorim i aplikacioneve si Viber apo Wats up etj.

 

6166-1280675948

Tetor, hapet tenderi për investimin në hekurudhën Tiranë-Durrës

 

Muajin që vjen pritet të hapet tenderi për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, i cili parashikon një investim 81.5 milionë euro për realizimin e projektit. BERZH pritet te financoje mbi 40% te saj, ndersa e gjitha vlera eshte hua qe do te paguhet nga qeveria shqiptare. Për fazën e ndërtimit pritet të angazhohen gati 1.400 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa në fazën e operimit, numri do të arrijë në rreth 2.200 punonjës. Projekti parashikon rikonstruksionin e segmentit aktual Tiranë -Durrësit dhe ndërtimin e pjesës që do të lidhet me Rinasin, për një gjatësi 50 kilometra. Ky segment pritet te kushtoje 50 milionë euro. Sipas studimit, koha për ndërtimin llogaritet tre vjet. Ajo pritet t’u shërbejë rreth 1.4 milionë pasagjerëve në një vit, falë edhe kalimit në zonën industriale Tiranë-Durrës.

Loading...