Zgjedhjet e Dibrës/ Mes thasëve të miellit, blerjes së “pastër” dhe “vërtetimit” me foto

0
306

Gëzim Saliu

Edhe këtë herë nuk na “zhgënjyen”. Megjithëse prekja e devizës së zgjedhjeve që mund të përmblidhet me togfjalëshin “të lira e të ndershme”,  ishte në masë  më të zvogëluar në krahasim me vitet e kaluara, sërish nuk mund të themi se u suprizuam për mirë. Në zgjedhjet e zhvilluara dje në Dibër nuk munguan makinacionet e së kaluarës, duke nisur nga tentativat e pastra të blerjes së votës deri tek formulat më “hi-tech”, siç ishin ato të fotografimit të votës si një “vërtetim” për të “investuarin”. Ndërkaq edhe në këto zgjedhje, nuk mungoi “tradita” e përdorimit të thasëve me miell, ndonëse dikush i konsideroi si ndihma për ditën e Bajramit që festohet sot në të gjithë vendin. Ndërkohë që ashtu si në çdo garë elektorale që zhvillohet në Shqipëri, ishte evident protagonizimi ekstrem i palëve politike, të cilat më së shumti në të tilla gara duken si dy fronte lufte. Ajo që ndryshon nga lufta, është se mes tyre nuk shkëmbehen bajoneta e gjyle, por akuza e kundër akuza të pashterueshme për vjedhje, blerje apo inditim votuesish.

Pasuesi i Shukriut

Gara për karrigen e Shukri Xhelilit, i cili u largua nga detyra për shkak se kërkoi favore seksuale në shkëmbim të vendit të punës, u ndez që me zyrtarizimin e kandidatëve nga palët. Opozita në fakt ka qenë gjithnjë më e shqetësuar për këtë garë, duke paraqitur pretendime për synimet të mazhorancës për prishjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Po nga ana tjetër PD përmes kësaj gare arriti të sigurojë aleanca të reja, ku përfshihen ato të Kreshnik Spahiut të AKZ si edhe të Nard Ndokës së PDK-së. Gjithashtu një rikthim i rëndësishëm tek demokratët në këtë fushatë ishte edhe ish-ministri jashtëm Besnik Mustafaj. Ndërkohë të majtët, duke pasur në supe pullën e kuqe nga ish-kryebashkiaku, u munduan të përqendroheshin tek premtimet për mbështetje të qeverisë të projekteve të kandidatit Muharrem Rama. Madje PS arriti deri aty sa të deklaronte gjatë fushatës se dibranët duhej të mbështesin kandidatin Rama, pasi  kundërshtari nuk do kishte mbështetjen e qeverisë. Përtej kësaj pjese, tek koalicioni i majtë mbizotëroi edhe premtimi për përfundimin e Rrugës së Arbrit, segment i cili duket se është kthyer në melodi fushate për të gjitha partitë.

Dita e votimit

Dita e djeshme nisi me denoncimet e mëngjesit të demokratëve që flisnin për tentativa të llojeve të ndryshme nga ana e mbështetësve të kandidatit Rama për të blerë votat. Shtabi elektoral i PD denoncoi disa zyrtarë që ishin përfshirë në këtë skemë, me në krye Drejtorin e Tatimeve për Dibrën Dionis Ymeri. Por denoncimeve të demokratëve, socialistët ju përgjigjën me kundër akuza që kishin të bënin me ekspozim në ambientet e brendshme të qendrave të votimit të materialeve propagandistike partiake dhe me siglën e kësaj force politike. Po ashtu socialistët u ankuan edhe për një fotografim vote nga ana e një votuesi, gjë e cila mori menjëherë kundërpërgjigjen e PD me disa shembuj në njësi të ndryshme të Dibrës. Fotografimi i votës mund të cilësohet edhe si “risia” e këtyre zgjedhjeve, pasi në të kaluarën ky ka qenë një fenomen më pak i përhapur. Ndoshta updetimi me teknologjinë e ka nxjerrë në pah këtë formë si një mënyrë kryesore të “vërtetimit” të votës. Në këto zgjedhje një tjetër “risi” ishte edhe ai q       ë u cilësua nga opozita grup i mbrojtjes së votës dhe nga ana tjetër procesi i “arrestimit qytetar”. Për një vend që ka marrë statusin e Bashkimit Evropian e më tej që aspiron hapjen e negociatave  ndoshta kjo nuk mund të ishte zgjidhja më e mirë. Por opozita e ka justifikuar këtë zgjedhje të saj si domosdoshmëri për ruajtjen e votës përballë asaj që e cilësonte si makinacioni gjigand i mazhorancës për manipulimin e zgjedhjeve. Ndërkohë ishte pikërisht një ndër këto raste të “arrestimit qytetar” i cili bëri të mundur publikimin e një tentative sipas opozitës për blerje votash përmes thasëve me miell. Një fugon i bardhë dhe tre thasë të mëdhenj me miell poshtë tij paraqiteshin në foton e publikuar nga demokratët, e cila shumë shpejt u bë virale në rrjet si për të vërtetuar se format “tradicionale” të blerjes së votës ishin ende “moderne”. Nuk mungoi reagimi i palës kundërshtare e cila zbardhi disa argumente sipas së cilës ky fugon po shpërndante thasët me miell në kuadër të Bajramit, festës së komunitetit mysliman që kremtohet sot në të gjithë vendin.

 

Fitorja dhe njohja e rezultatit

 

Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit, dy partitë kryesore u rrekën të uzurponin podiumet në Dibër e Tiranë për të shprehur ato që mund të cilësohen si “përmbledhja e përshtypjeve të ditës”. Nga njëra anë ashtu edhe siç është bërë tashmë një zakon, nuk munguan deklaratat për fitore ende pa nisur procesi  i numërimit të votave. Ndërkohë nga ana tjetër , ashtu siç edhe pritej u shfaq hapur në publik “dëshira” e përfaqësuesve të mazhorancës që opozita menjëherë pas votimit të jepte votën e saj pro   njohjes së zgjedhjeve. Në dy dalje publike, të Blerina Gjylametit dhe të nënkryetarit të partisë Taulant Balla u kërkua në merr të mazhorancës njohja e zgjedhjeve nga opozita. Kjo e fundit përcolli publikisht në përfundim të votimeve qëndrimin e saj përmes deputetes Jorida Tabaku, e cila kërkoi marrjen e masave nga organet përkatëse për denoncimet e PD e ndërsa foli për pritshmëri pozitive për fitoren e kandidatit Shehu. Sot me shumë mundësi deri në fund të ditës do të kemi një rezultat për zgjedhjet e Dibrës që do të sjelli edhe zëvendësimin de fakto të Shukri Xhelilit. Se kush do jetë pasuesi i tij na mbetet ta vërtetojmë gjatë ditës së sotme, ndonëse ndokush me humor elektoral nuk nguroi të pohonte se kushdo që të jetë zgjedhja e dibranëve të paktën do e ketë marrë mësimin për veshmbathje cilësore. Por përtej humorit dhe pritshmërive, ajo që mbetet fakt është se zgjedhjet në Shqipëri ende mbeten në statuskuonë ndërkombëtare,  “të mira, por jo të arrira”. Derisa kjo të ndryshojë duket se do të kërkojë ende shumë kohë,  pasi shanset që klasa politike të “ridimensionohet” në vetëm 8 muaj, kohë kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duke fare të pakta. Por siç thuhet, shpresa vdes e fundit.

 

mielli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency