PD: Grup i strukturuar kriminal në Dibër për blerje votash, PS del me deklarata dezinformuese

0
142

Partia Demokratike i konsideron dezinformim deklaratat e Partisë Socialiste.

Sipas demokratëve, deputetët socialistë në sinkron të plotë me strukturat kriminale të “Bert Agës kanë shpërndarë para gjatë mesnatës për blerje votash në Maqellarë”.

Opozita denoncon për këtë zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Dritan Isaku, vartës-sipas deklaratës-i shtetasit Dionis Ymeri me detyre Drejtor i Tatimeve për Dibrën.

“Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në Prokurori më datë 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kanë dhënë mbështetje këtij krimi elektoral.

Bert Aga është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike me 1 shtator si anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shpërndarjes së parave në këmbim të votave”, thuhet në reagim.

Sipas opozitës, çdo insinuatë për përfshirje të deputetëve të PD në këtë ngjarje është fabrikim i PS dhe strukturave kriminale të Bert Agës në policinë e Shtetit.

Partia Demokratike i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga ky grup i strukturuar kriminal.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal, ndërsa u bën thirrje dibranëve të dalin masivisht në zgjedhje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency