Nesër Kurban Bajrami, Bruçaj: Urojmë paqe e mirësi në çdo fole familjare, me shpresën që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për tjetrin!

0
288
Krytari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uron të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festë së Kurban bajramit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjitha mediat se Kurban Bajrami, është ditën e hënë, 12 shtator 2016.
Bajrami do të falet në orën  07:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit.
Ja urimi i Bruçajt:
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Të nderuar besimtarë,
Në një ditë të tillë feste, në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira: qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës.
Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu xh.sh. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
Në këtë atmosferë festive këshillohet që të gëzojmë sa më shumë zemra, të shtrohen sofrat, të shtrëngohen duart e miqësisë, të vizitohen të afërmit, të sëmurët, si dhe të shkëmbehen dhurata. Të kemi në qendër të vëmendjes fëmijët me dhurata perkedhelje dhe të moshuarit duke qëndruar pranë tyre me përkujdesje.
Të dashur bashkëkombës,
Kjo është një festë që i përket gjithë njerëzimit, prandaj le të ndajmë me nevojtarët mirësitë materiale e shpirtërore. Të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pareshtur për mbarë njerëzimin; të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vlerësimit ndaj njëri-tjetrit dhe ndihmës reciproke.
Më lejoni të uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit:
GËZUAR KURBAN BAJRAMIN
me shpresën që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.
Zoti e bekoftë kombin dhe Atdheun tonë.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency