Dhunohet barbarisht nga dy persona biznesmeni palestinezo-amerikan, dyshohet për shkak të ndërtimeve në Gjirin e Lalzit

0
212

Një biznesmen palestinezo-amerikan, është dhunuar barbarisht nga dy persona ende të pa identifikuar, pas një konflikti që ka nisur pas përplasej së dy automjeteve në Rinas. Mësohet se në konflikt janë përfshirë drejtuesit e mjeteve ndërsa biznesmeni Fadd Mitri, njihet si ndërtues i disa resorëve në vendin tonë, një prej tyre pranë Gjirit të Lalzit në Durrës. Ky i fundit ishte pasagjer në një prej mjeteve, teksa është dhunuar barbarisht dhe më pas është transportuar me urgjencë për ndihmë më të specializuar në spital. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në kryqëzimin e Laknasit në rrugën e Rinasit dhe në aksident u përfshinë dy mjetet, “Volksvagen” dhe “Mitsubishi”. Menjëherë pas kësaj përplasjeje ka pasur edhe një konflikt fizik mes personave që udhëtonin në këto dy automjete.

Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se dy prej këtyre personave kanë mbetur të dëmtuar. Ata janë drejtuesi i mjetit “Mitsubishi” shtetasi me iniciale E. M., si dhe pasagjeri Fadi Mitri, një biznesmen nga Palestina me pasaportë amerikane dhe në të njëjtën kohë rezident në Shqipëri. Të dy personat që mbetën të dëmtuar nga kjo përplasje janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Mësohet se drejtuesi i mjetit tip “Volksvagen” i cili dyshohet se ushtroi dhunë, bashkë me pasagjerët e tjerë në mjet, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga ana tjetër mësohet se, shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në aksident dhe më pas në aktin e dhunshëm, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të agresoreve. Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se biznesmeni është kërcënuar nga agresorët që të largohet nga Shqipëria nëse vazhdon ende punimet pranë resorëve të tij, ndërsa zyrtarisht Policia e Shtetit bën me dije se ngjarja është aksidentale.

Berisha-Basha, akuza për dhunën ndaj biznesmenit 

Ngjarja e rëndë ku mbeti i dhunuar barbarisht biznesmeni Fadd Mitri, pasi automjeti i tij u përplas nga një mjet tjetër dhe personat që udhëtonin në të dhunuan Mitrin, ka vënë në lëvizje edhe ish kryeministrin Berisha si dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Ngjarjen e djeshme, ish kryeministri Berisha e ka cilësuar si një përpjekje për ta vrarë këtë të fundit Ai nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebok, e ka cilësuar ngjarjen si një akt mafioz të orkestruar nga eksponentë të mafies qeveritare, me qëllimin e vetëm për ta larguar nga Shqipëria biznesmenin i cili po ndërton resortin prej 1.5 miliard dollarësh tek Gjiri i Lalzit në Durrës. “Të dashur miq, sot u bë një përpjekje për të eliminuar fizikisht Faad Mitrin, përfaqësuesin e një kompanie multimiliardiere, e cila ka projektin më të madh të investimit prej 1.5 miliardë euro në turizëm në Gjirin e Lalzit në Shqipëri. Ata të cilët i organizuan vrasjen me aksident automobilistik janë eksponentë të mafies qeveritare, të cilët kishin dalë në pritë t’i merrnin jetën një njeriu, që me përkushtim të jashtëzakonshëm ka punuar për realizimin e projektit me investimin më të madh në fushën e turizmit në historinë e vendit tonë”, shkruante në statusin e tij në Facebook, Sali Berisha.

Ndërsa Lulzim Basha deklaroi se dhunimi mafioz në aksin kombëtar të Rinasit i investitorit të huaj në një prej projekteve më të mëdha turistike në vend, është dëshmia e gjallë e therëse e sundimit të krimit e të bandave në vend. “Goditja mafioze e investitorit, kërcënimi i tij me jetë nëse nuk largohet, është ngjarja më e rëndë që mund të ndodhë për ekonominë e rendin, e megjithate Edi Rama ka heshtur, ka mbyllur sytë, me një qëndrim njësoj kriminal”, deklaroi Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency