Zhgënjimi me sllavët pa identitet të Maqedonisë: Deklarohen bullgarë,serbë e grekë nëse marrin para nga ta

0

Ky është një përkthim i pjesshëm i një tregimi të Edith Durhamit që u botua në Londër në vitin 1904 në revistën e njohur ‘The Monthly Review’ dhe së voni edhe në librin ‘The Blaze in the Balkans’. Gjatë kësaj kohe, Durham udhëhiqte një sektor të shpërndarjes së ndihmave humanitare britanike në Maqedoni, ku shërbente edhe si infermiere nëpër spitale gjatë krizës maqedonase.

Loading...

Përgatitur nga: Daut Dauti

Eksperienca e saj me fshatarët sllavë të Maqedonisë është tejet e pakëndshme. Sidomos me gratë të cilat në këtë tregim përshkruhen si të pista, lypsare dhe me intelekt të ulët, që e demoralizojnë Durhamin. Fshatarët e Maqedonisë, që i përshkruan ajo, nuk e kanë të qartë përkatësinë e tyre kombëtare. Ata janë bullgarë pasi që Bullgaria në atë kohë paguante më shumë në planin e saj pansllav. Por, këta fshatarë maqedonë do të deklaroheshin edhe serbë apo pjesëtarë të ndonjë kombi tjetër sllavë, nëse këto kombe do të ofronin më shumë para në zbatimin e programeve të tyre nacionale në Maqedoni.

Pas një viti (1905) Durham filloi të punonte për ‘British Bible Society’ dhe të shiste Bibla në shqip nëpër rajonet shqiptare të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Eksperienca e saj dëshpëruese me sllavët në Maqedoni do të ndikonte që ajo t’i admironte shqiptarët të cilët i shihte si një popull të veçantë dhe të dinjitetshëm. Kjo ishte diçka që nuk ekzistonte në mesin e sllavëve të Maqedonisë. Ndoshta mu ky fakt e shtyri Durhamin që gjatë viteve të ardhshme të afrohej më shumë me shqiptarët.

Shkrim i Edith Durhamit, i vitit 1941: Si ishte jeta e shqiptarëve dikur dhe pse britanikët u tërhoqën nga Shqipëria?

Shkrimi i më poshtëm i Durhamit, i përgatitur nga studiuesi Daut Dauti, enkas për Telegrafin, publikohet për herë të parë më poshtë në gjuhën shqipe.

“Motrat e mia të arta: një pamje maqedonase

Ohër, 7 mars 1904.

Ato janë të shkurta dhe të trasha, të ndërtuara rëndë dhe të shkujdesshme. Fytyrat i kanë sikur djathi holandez. I lidhin flokët të lëshuara në dy anë si bishti i derrit që rri varur dhe të cilat i zgjasin me lesh e toja dhe me ornamente të një grumbulli të pullave të metalta, me mbajtëse të gërshërëve të thyera, me grumbuj të zinxhirëve të hekurt apo me disa monedha austriake të dala nga qarkullimi. Kokën e lidhin me një mindil të zi i cili ua mbulon gojën dhe mjekrën në mënyrën islamike, kurse kostumet e tyre janë më ta papëlqyeshme që janë bërë ndonjë herë. Ato mua më thërrasin ‘motër e artë’. Oborri është plot me to. Ato janë të pista në mënyrë të papërshkrueshme.

‘Më jep, më jep’, bërtasin ato që nga mëngjesi e deri me natë. Kur kaloj afër, më kapin, por unë i mbaj duart në xhepa për t’i shpëtuar nga puthjet e tyre prej gojëve të palara. ‘Unë nuk kam marrë asgjë’, bërtet e para ‘asgjë, asgjë. Oh, motra ime e artë, thuaju atyre që të më japin’. E pyes: ’A është djegur fshati juaj?’ Ajo: ’I tëri është djegur, i tëri është djegur’. ’Pra keni marrë miell?’ (Me vendosmëri të paluhatur). ‘Unë marrë miell’, e pranon ajo me hezitim. ‘Ma jep kuponin’, i them. Një hedhje e syrit tregon se ajo ka marrë edhe një plaf. Edhe këtë, gjithashtu, ajo e pranon. Edhe mintanin (setër e trashë). Të gjitha këto ajo i kishte marrë para disa ditësh. ‘Por, sot asgjë, asgjë’. ‘Shko, nuk ka më për ty. Ke marrë mjaft’.

Është hidhëruar. Ajo thotë se një grua tjetër ka marrë shtofëra për këmishë. Është e kotë t’ia përkujtosh se këmishën që e ka është në gjendje të mirë, kurse ajo tjetra ka qenë me lecka. Ajo e di që depoja ka shtofëra. Dhe, ajo e ka vendosur që të marrë shtof. Nuk i kushtoj më vëmendje kësaj gruaje – i kam qindra tjera për ti intervistuar -por, ajo rri aty me orë. Ajo ende është aty edhe kur kthehem nga vizita që ua bëjë të sëmurëve. Ajo vazhdon të bërtas vazhdimisht: ‘Unë nuk kam marrë asgjë’. Ajo pret dhurata për secilën herë që i viziton depot dhe kthehet sërish e sërish për sulm.

Fondet e organizatës sonë nuk lejojnë që ne të japim rroba për secilin anëtar të familjes, por njerëzit më të aftë zakonisht ia dalin që të marrin në posedim artikujt që ju takojnë tjerëve. Një grua e ndërtuar rëndë dhe komfore, me të veshura të shumta të brendshme dhe me veshje të trasha të epërme, me të cilat ato kanë dëshirë të mbështillen edhe kur është kohë e nxehtë, lutej me elokuencë për një mintan për vajzën e saj. ‘Ka shumë të ftohtë ajo, shumë; ajo nuk ka asgjë; tërë natën dhe tërë ditën ajo ka të ftohtë’.

Dihet që jetimët marrin ndihma të veçanta. ‘Nuk kam babë’, thotë një grua në moshë dhe e martuar, si arsye pse ajo duhet ta marrë edhe një dhuratë. Një burrë në të pesëdhjetat mendon të shkojë në jetimoren amerikane. Një grua e shqetësuar me një fëmijë pesëvjeçar vjen për të kërkuar ilaçe që ta bëjnë fëmijën për të folur. Fëmija është shurdhmemec, por ne nuk mundemi ta lëmë atë që të besojë se jemi të pafuqishëm për të ndihmuar.

Fshatarëve të rrëzbitur e të krrysur, që në vërtetë kanë nevojë, ne u ndihmojmë edhe nëse fshati i tyre nuk është djegur. Këta marrin dhuratën e miellit dhe largohen me falënderime. Këta, si rregull, janë shumë më mirënjohës se ata që janë në listë dhe që kanë marrë grante të rregullta me javë. Një plakë e varfër i çoi duart lart në qiell dhe u kryqëzua para se ta merrte thesin e saj të vogël. Disa shpërthejnë në lot, kurse një e vejë plakë, të cilës i dhashë para, më dëshiroi urata aq sa kishte qime të flokëve në kokë dhe të gjitha gjërat tjera që do të mi donte zemra.

Një grua tjetër lajmërohet. Ajo deklaron me vendosmëri: ‘Unë nuk kam marrë asgjë’. Ajo është nga një fshat i djegur dhe është dashtë të merrte shumë. Kuponi i saj vërteton se ajo ka marrë nga të gjitha furnizimet tona. Por, ajo insiston në mohim. Ka qenë një ‘Madama’ tjetër që ia dha të gjitha këto gjëra. Kjo (pra, unë) nuk i kishte dhënë asgjë. Ajo pret një palë veshje të dyta nga unë, por largohet duke folur me veten. Është e çuditshme se sa mendje të ngadalshme kanë motrat e mia të arta dhe sa e pabesueshme është që t’ua mësosh idetë e reja. Pasi që ngjasojnë me shtazët, ato janë mësuar se ushqimi gjendet në kullotën e shënjuar dhe kthehen atje sërish e sërish. Ato më ngasin në rrugë. Thonë se kanë kupon për miell dhe se shërbëtori im ka refuzuar t’ua japë miellin. Ato qajnë, bërtasin, flasin të gjitha përnjëherë.

Falënderimet e motrave të mija të arta nganjëherë mund të jenë më sharmante se hidhërimet e tyre. Ato më përqafojnë me ato rrobat e tyre të ndyra dhe më puthin në të dy faqet. Një grua e mjerë plakë, pas një ceremonie, më tregoi se mbante zi për të birin që i kishte vdekur para tetë viteve. Zija e saj kishte kaluar në atë masë sa që gjatë tërë kësaj periudhe ajo kurrë nuk e kishte larë kokën! ‘Sapuni’, bërtiti ajo, ‘kurrë më nuk do ta prek kokën time. Unë gjithmonë mbaj zi’. Fillova nga përqafimi i saj. ‘Kjo nuk është gjë e pastër’, i bërtita në mënyrë të pasjellshme. ‘Jo, motra ime e artë, nuk është pastërti. Unë mbaj zi gjithmonë’. Druaj që ajo u demoralizua pasi që rrëfimi i saj nuk prodhoi racione shtesë.

Ekzistojnë edhe disa vëmendje delikate me të cilat disponoj. Një qen kërceu dhe i la gjurmët e thundrave të tija me baltë në xhaketën time. Nga kjo, një grua në mënyrë të sjellshme nxitoi të më ofronte ndihmë. Pështyu me bollëk në gjurmë dhe u bë gati ta fshinte me bërryl. U turpërova pa vonesë dhe ia shtyva dorën në mënyrë mbrojtëse. Ajo u befasua dhe kam frikë që ia lëndova ndjenjat.

Sikur të mos ishte varfëria e madhe dhe vuajtjet, motrat e mija të arta do të ishin të patolerueshme. Por, ato janë viktima të gërditshme dhe injorante të xhelozisë ndërkombëtare dhe urrejtjes politike. Prandaj, njeriu duhet të ketë dhimbje për to. Burrat e tyre, të cilët posedojnë vetëm një grimë më shumë intelekt, u janë bashkuar bandave dhe tash janë pa shtëpi, pa punë, pa para dhe madje edhe mund të plagosen. Asnjë anëtar i bandave nuk ka pasë më herët pushkë në dorë. Nuk ka gjë nga kjo. Ata udhëhiqen nga drejtori i shkollës së fshatit i cili është i padijshëm në punët ushtarake, sikur që janë motrat e mija të arta për të gjitha gjërat në përgjithësi.

Fshatari nuk di asgjë për botën e jashtme sikur që nuk dinë as organizatorët e lëvizjes që i thërrasin për kryengritje. Ai (fshatari) e di vetëm që turku ia vështirëson jetën, kurse Komiteti do ta vriste nëse refuzon t’i bashkohet bandës. Nëse i bashkohet ka gjasa për liri dhe për të jetuar gjithmonë i lumtur. Ai beson se domethënia e të drejtës për të bartur armë është për të trajtuar turkun njësoj sikur ai që e trajnonte atë. Fshatari i Maqedonisë tashti ngrihet me thirrjen e Bullgarisë të financuar nga fondet pansllave dhe vallëzon në melodinë bullgare. Ai do të ngrihej njësoj edhe me thirrjen e Greqisë ose Serbisë sikur këto dy kombe të kishin mundësi të paguanin mirë. Nëse Evropa nuk intervenon ta shpëtojë nga ‘miqtë’ dhe armiqtë, ai do të vazhdojë të ngrihet derisa të mos mbetet asgjë nga ai.

Në asnjë mënyrë nuk mund të pretendoj se kjo fshatarësi është e dashur dhe admiruese. Aq sa kam parë unë, kjo është fshatarësi e llojit më të ulët, e ngadalshme në mendje, me pamje të varfër fizike dhe inferiore ndaj secilës racë të Ballkanit të cilat i njoh unë. Nën qeverinë e tashme nuk ka asnjë gjasë që të bëhet më e mirë. Sistemi administrativ turk është i korruptuar tej gjitha masave. Asnjë mjekësi qesharake austro-ruse nuk mund ta shërojë. Ata mund ta lejojnë turkun që të sundojë më gjatë në Evropë, por kjo nuk do të prodhojë përmirësime në gjendjen e këtyre njerëzve”.

Loading...