Lëkura e yndyrshme: 5 receta natyrale si ta trajtoni

0
341

Nëse po lufton vazhdimisht me lëkurën tënde të yndyrshme, gjëja e parë që duhet të dish është se nuk je vetëm në këtë betejë! E dyta: ka një zgjidhje edhe për rastet më të këqija.

Hapi i parë drejt përmirësimit të gjendjes së lëkurës është të kuptosh problemin, të fillosh me një sistem pastrimi efektiv dhe të përdorësh produkte sa më natyrale.

Çfarë e shkakton lëkurën e yndyrshme?

Njerëzit kanë tendencë që të mendojnë se shkaktohet nga një arsye specifike, por e vërteta është se ka shumë faktorë që ndikojnë në krijimin e një lëkure të yndyrshme.

Ka të paktën 9 arsye pse lëkura mund të jetë e tillë. Kryesoret janë genet e trashëguara, përdorimi i tepërt i produkteve kimike, ndryshimet e stinës, ilaçet, përdorim i gabuar i produkteve për lëkurën, ndryshime hormonale, stresi, ekspozimi i tepërt në diell, etj. Të gjitha këto mund të krijojnë një ambient të favorshëm për prodhimin e tepërt të yndyrës në lëkurë.

Çfarë përfshin kujdesi për një lëkurë të shëndetshme?

Nuk ka një përkujdesje ‘perfekte’ apo që mund t’i shkojë përshtat të gjithëve pasi çdo lëkurë ka veçantinë e vet. Por ka disa parime të përgjithshme e disa mënyra që mund të aplikohen nga kushdo.

Të gjithë dermatologët këshillojnë një sistem pastrimi të mirë që lëkura të jetë e shëndetshme, shumica prej të cilave përfshijnë larje të rregullta, pastrim me ujë tonik, krem hidratues (po, këshillohet edhe për lëkurat e yndyrshme!) dhe aplikimi i rregullt i maskave për pastrime në thellësi.

Hapi tjetër është të kuptosh cilat produkte janë të mira për lëkurën tënde. Kur gjen ato produkte me të cilat ndihesh mirë, mos i ndrysho më.

Cilat janë produktet natyrale më të mira për lëkurën?

Ka shumë që këshillohen por më të njohurat e më të përdorurat për lëkurën e yndyrshme janë vaji esencial i mentës, vaji esencial i lavandës, dhallë, argjila dhe lëngu i limonit.

1- Mente

Vaji esencial i mentës është shumë i mirë për t’u shtuar në toner pasi mbyll poret. Ka veti shtrënguese në lëkurë e të ndihmon të heqësh atë ndjesinë e vajit dhe yndyrës nga fytyra. Merr një lugë vaji esencial mente, hidhe në një tas rezistues ndaj nxehtësisë. Hidhi një filxhan me ujë që po zien, lëre të ftohet e pasi është ftohur gjeji një vënd të freskët ku ta mbash dhe përdore çdo ditë si toner natyral.

2- Lavandër

Vaji esencial i lavandës është shumë i mirë si pastrues i lëkurës dhe si toner. Ky vaj është mjaft delikat dhe i përzier me ujë (si në rastin me vajin esencial të mentës) mund të përdoret gjatë ditës si toner freskues. Pastron yndyrën e tepërt dhe e mban fytyrën e freskët.

3- Dhallë

Dhalli është një produkt natyral shumë i mirë për lëkurën, e zbut dhe e tonifikon atë. Disa herë në javë, pasi ta kesh larë fytyrën, masazhoje me dhallë që të heqësh papastërtitë në thellësi dhe të mbyllësh poret. Gjithë këtë punë e bën aciditeti që përmban ky bulmet.

4- Argjila

Një element natyral i njohur që prej kohëve të lashta si produkt bukurie. Përdorimet kryesore janë maskat për të hequr yndyrën e tepërt në fytyrë dhe papastërtitë që mblidhen vazhdimisht. Mjafton një lugë gjelle me argjilë, ujë i vakët, një përzierje e mirë dhe maska është gati. Mbahet derisa të thahet e më pas pastrohet me ujë të ngrohtë.

5- Lëngu i limonit

Gjithashtu shumë i mirë për lëkurat e yndyrshme. Mund të përdoret vetëm, për të mbyllur poret ose i përzierë me produkte të tjera: me mjaltin për një maskë ushqyese, me aloe vera për një maskë zbutëse, etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency