Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

0
355

Periudha 476-1000 p.e.s. është ndër periudhat më të keqtrajtuara të historisë. Kjo periudhë e njohur si Mesjeta e Hershme, referohet ende si Epoka e Errët.

Në fakt termi “Epoka e Errët” është thuajse po aq i vjetër sa vetë periudha. Ai është përdorur në vitin 1330 nga Petrarka, shkrimtar italian, për t’iu referuar Perëndimit të letërsisë latine. Ky term u përdor nga reformatorët protestantë (shekulli XVI) dhe më vonë nga iluministët (shekulli XVIII), si një term degradues në kuptim shumë më të gjerë, pasi ata e shihnin “iluminizmin” e tyre si një mungesë të prodhuar nga periudha e mëparshme.

Për fat të mirë, për studentët modernë të historisë, termi zyrtar i përdorur është Mesjeta e Hershme, një term që nuk mbart konotacione. Për këtë periudhë mund të lexoni 10 arsye se pse “Epoka e Errët” nuk ka qenë aq e errët, por me progres dhe dritë.

1. Lindin universitetet

Arsimi klasik (i përdorur ende në disa shkolla sot) ishte sistemi i përdorur nga universitetet që u krijuan në Mesjetën e Hershme, për herë të parë në histori. Në universitet mësohej arti, ligji, mjekësia dhe teologjia (studimi i fesë). Universiteti i Bolonjës (i krijuar në vitin 1088) është universiteti i parë që dha gradat përkatëse. Krahas strukturës klasike (të bazuar në arsimin e lashtë grek), këto universitete mesjetare u ndikuan ndjeshëm nga arsimi islamik, i cili lulëzoi në atë kohë. Pavarësisht se gjinia femërore nuk lejohej të shkonte në universitet fillimisht, arsimimi i saj ishte i mundshëm. Manastiret e asaj kohe arsimonin gratë e reja, të cilat shkonin atje përgjithësisht në moshë shumë të re. Një grua e tillë (Hildegard Von Bingen) është ndër gratë më të njohura të epokës së Mesjetës, e cila pati influencë të madhe te burrat në pushtet.

2. U zhvillua shkenca

Pavarësisht se progresi i shkencës ishte i ngadaltë, ai ishte i qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë. Ishte ky progres i cili i hapi rrugë lulëzimit të shkencës gjatë periudhës më të ndritur të Mesjetës. Mund të thuhet me siguri se pa studimin e shkencës në Mesjetën e Hershme, do të ishim mjaft mbrapa sa u takon njohurive tona shkencore të tanishme. Ronald Numbers (profesor në Universitetin e Kembrixhit), ka thënë: “Nocione të tilla si ‘përhapja e krishterimit vrau shkencën antike’, ‘Kisha e mesjetës ndaloi zhvillimin e shkencave natyrore’, ‘të krishterët e mesjetës besonin se toka ishte e rrafshët’, apo ‘Kisha ndaloi autopsinë dhe analizën gjatë Mesjetës’, janë shembuj të miteve popullore, të cilat merren ende për të vërteta historike, ndonëse nuk mbështeten në asnjë kërkim historik”.

3. Rilindja Karolinjane

Rilindja Karolinjane ishte një periudhë arritjesh në letërsi, shkrim, arte, arkitekturë, jurisprudencë, studime liturgjike dhe biblike në fund të shekullit VIII dhe gjatë shekullit IX. Perandoria Karolinjane konsiderohet si rilindje e kulturës së Perandorisë Romake. Në atë kohë, latinishtja popullore filloi të zëvendësohej nga një sërë dialektesh, të cilat filluan të përdoreshin në Evropë, kështu që krijimi i shkollave ishte me rëndësi të madhe në përhapjen e njohurive për një masë më të madhe njerëzish. Kjo ka qenë periudha kur u krijua edhe Muzika Klasike Perëndimore.

4. Epoka e artë bizantine

Nën sundimin e Justinianit, kjo periudhë dha Korpusin e Ligjit Civil (Corpus Juris Civilis): një përmbledhje e ligjit romak. Shumë njerëz dinin shkrim e këndim, arsimimi fillestar ishte i përhapur (edhe në periferi), arsimimi i mesëm ishte i mundur për shumëkënd dhe arsimimi i lartë, siç e përmendëm sa më sipër, ishte gjerësisht i përhapur. Në Perandorinë Bizantine, gjatë kësaj periudhe dolën në qarkullim shumë libra, enciklopedi, leksione dhe antologji. Ndonëse ato nuk prodhuan qasje të re mendimi, ato forcuan dhe mbrojtën shumëçka, duke bërë të mundur përdorimin e kësaj literature në të ardhmen.

5. Uniteti fetar

Kjo është një temë delikate, por faktet tregojnë se gjatë Mesjetës së Hershme, Evropa ka pasur një Kishë të bashkuar, unitet rreth mësimeve të Biblës dhe një traditë filozofike të zhvilluar. Kjo shërbeu, siç mund të pritet, drejt një periudhe të artë paqeje mes shteteve perëndimore. Pavarësisht se Islami nuk ishte dakord me doktrinën e Perëndimit, pati shkëmbime të çmuara informacioni dhe kontributi islamik ndihet në Perëndim edhe sot. Ky unitet në besim mundësoi një progres të tillë intelektual, të paparë që nga koha e Perandorisë Romake. Në një kuptim, ju mund ta konsideroni këtë periudhë si qetësia para stuhisë, pasi 100 vite më vonë ndodhi Kryqëzata e parë, e cila kërkonte rimarrjen e Jerusalemit nga myslimanët , një ngjarje që i dha fund shkëmbimit të njohurive mes Perëndimit dhe Lindjes.

6. Lindi algjebra

Falë njerëzve myslimanë të Lindjes, bota mori librin e parë mbi algjebrën: përmbledhja e llogaritjeve, i shkruar nga Al-Khwarizmi (790-840). Titulli në arabisht na dha edhe termin “algjebra”. Ndërsa, fjala “logaritëm” vjen nga emri i Al-Khwarizmit. Ky libër na dha zgjidhjen e parë sistematike të ekuacioneve lineare dhe kuadratike. Përkthime të mëvonshme të librit na dhanë gjithashtu sistemin e numrave decimalë (me presje), të cilin e përdorim ende sot. Al-Khwarizmi, së bashku me Diofantin, konsiderohet Babai i Algjebrës.

7. Arti dhe Arkitektura

Gjatë Mesjetës së Hershme, arkitektura ka qenë e larmishme dhe inovative. Ajo paraqiti idenë e imazheve realiste në art dhe punoi në hije për periudhën e Rilindjes, e cila filloi që në Lulëzimin e Mesjetës. Kjo periudhë përfshiu dhe paraqiti gjithashtu format dhe konceptet klasike të arkitekturës. Mund të thuhet me siguri se kjo periudhë ka qenë periudha e parë e artit cilësor, pasi stilet e mëparshme kanë qenë më tepër funksionale sesa artistike. Në Mesjetën e Hershme fillon historia mahnitëse e artit dhe arkitekturës.

8. Moti fantastik

Sado e parëndësishme të duket, moti luajti një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve të zakonshëm gjatë Mesjetës së Hershme. Kur mendojmë për “Epokën e errët”, priremi të shohim pamje me borë, shi, stuhi dhe errësirë. Fakti është që në Mesjetën e Hershme, rajoni i Atlantikut Verior po ngrohej, aq sa në fillim të Lulëzimit të Mesjetës (1100), rajoni gjendej prej 100 vitesh në atë që njihet si periudha e ngrohtë e Mesjetës. Kjo periudhë e ngrohtë shkriu borën dhe i mundësoi vikingëve të kolonizonin Grenlandën dhe vende të tjera në veri. Për ironi të fatit, reforma protestante (shekulli XVI) deri në shekullin XIX vuajti nga periudha e shkurtër e akullit. Periudha e iluminizmit ishte literalisht më e errët dhe më e ftohtë sesa Epoka e “Errët”. Gjatë kësaj periudhe reformat dhe njohuritë e mira agrikulturore i dhanë hov furnizimit me ushqim.

9. Ligjet bëhen më të drejta

Mesjeta e Hershme ka pasur një sistem kompleks të ligjeve, të cilat shpesh nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin, por ishin efektive dhe të drejta në shumicën e tyre. Për tregtarët që udhëtonin, ekzistonte Ligji i Tregtisë (Lex Mercatoria), i cili nuk u krijua në atë kohë, por evoluoi ndjeshëm. Ky ligj përfshinte arbitrimin dhe promovonte praktikat e mira mes tregtarëve. Në të njëjtën kohë u krijua Ligji Anglosakson, fokusi i të cilit ishte vendosja e paqes. Ndërsa kjo eventualisht solli disa ligje të ashpra, periudha në sistemin ligjor të Mesjetës së Hershme ishte me gjasa koha më e mirë për të jetuar. Sistemi ligjor i tretë i rëndësishëm ishte Ligji Gjermanik, i cili i lejonte çdo personi të gjykohej nga njerëzit e tij, në mënyrë që të mos kishte disavantazhe për shkak të injorancës apo ndryshimeve të mëdha kulturore.

10. Lulëzimi agrikulturor

Nëse ju do të donit të vdisnit si martir nga uria, Mesjeta e Hershme nuk do të ishte koha më e përshtatshme për këtë. Si pasojë e motit të favorshëm dhe njohurive të mëdha agrikulturore, Perëndimi pati kohë të arta. Veglat prej hekuri përdoreshin gjerësisht në Perandorinë Bizantine, feudalizmi ofronte menaxhim efecient të tokës dhe të korrat ishin kaq të bollshme saqë kafshët nuk ushqeheshin me bar, por me drithëra. Siguria publike garantohej nën sistemin feudal. Kaq paqe dhe prosperitet do të thoshte shumë për shumicën e njerëzve.  Tirana Observer

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency