Fiona Parllaku, shembulli më i mirë për shoqërinë tonë dhe mosmirënjohjes së shtetit

0
1885

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Fiona Parllaku është një nga maturantët që ka arritur rezultatet më të larta, duke fituar e para në 10 preferenca. Fiona nuk është dëgjuar asnjëherë, e njohin shumë pak. Mosnjohja nuk lind nga fakti se Fiona është një nxënëse e zakonshme, por nga fakti se ajo është një nxënëse e jashtëzakonshme, një njeri më shumë se modest, një punëtore e palodhur drejt dijes, një nxënëse me prirje të theksuar në shkencat e natyrës, një shkencëtare e ardhshme pa asnjë dyshim. U desh një emision televiziv që ajo të njihej prej shoqërisë sonë. Ndërkohë që Fiona tani e vite të tëra, ka arritur rezultate të shkëlqyera jo vetëm në mësime, por edhe në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

maturantja

Kush është maturantja Fiona Parllaku, model i shoqërisë që duam

Rrugëtimi Fionës drejt arritjeve më të larta ka filluar që ciklin e ulët në shkollën 9 vjeçare në Kolegjin turk “Turgut Ozal”, për të shpërthyer në gjimnaz. Arritjet e saj janë mbresëlënëse. Ajo u bë shumë shpjet shembulli i të rinjve, krenaria  jo vetëm e kolegjit turk, por edhe e arsimit shqiptar. Së bashku me nxënësit e këtij kolegji Gledis Kallço, ajo fitoi disa medalje për vendet e para dhe medalje nderi për pjesëmarrjet e saj në Olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare në matematikë. Fiona është nxënësja që i kushtonte rëndësi çdo ore mësimi: Edukim Fizik, Qytetari, Histori, Arte. Ajo nuk kërkonte të merrte fjalën e para, por nuk mungonte të jepte mendimin e saj për gjithçka. Kishte si shumë bashkëmoshatarë të saj Facebook. Kishte dëshirë të shëtiste, por pa dyshim ishte larg zhurmës së ish-bllokut, darovitjeve me orë të tëra pa asnjë kuptim në kafenetë e shtrenjta të Tiranës, ku më shumë kohë merr celulari sesa biseda e lirë. Fiona nuk u privua nga jeta sociale, por nuk i privoi të drejtën vetes për të bërë gjithçka drejt dijes. Nuk pranoi të vesh vellon e errësirës, por të çaj në mes të saj për të gjetur dritën. Prandaj edhe në shkollë, edhe jashtë saj, edhe në orën e mësimit edhe në olimpiadë, edhe në fluturim edhe në pushime, ajo ishte e pranishme, me qenien e saj të plotë. Suksesi nuk vjen nga të “qenit peshkop”, apo rob i librave, por nga dëshira për dijen dhe kërkesën ndaj vetes. Në këtë drejtim Fiona është një shembull i papërsëritshëm, për shkollën e saj por ndoshta edhe për arsimin shqiptar.

 

Po përse Fiona u la në harresë prej Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sportit?

Fiona e urtë e modeste, nuk u bë asnjëherë objekt i show-t qeveritar. Ajo së fundi së bashku me ekipin shqiptar arritën rezultatet më të mira të 10 viteve të fundit në Olimpiadën Botërore të Matematikës, por nuk u pritën prej Ministres së Arsimit dhe Sportit, pale nga kryeministri jo e jo. Kryeministri dhe ministrja e sporteve, që vrapuan të presin në aeroport peshëngritësit, t’u jepnin të drejtën që të ngrinin edhe Flamurin Kombëtar në Festën e Pavarësisë, (e që më pas këta sportistë dolën të droguar), injoruan plotësisht të rinjtë tanë të kolegjit turk, që me plot dinjitet, përfaqësuan Shqipërinë Olimpiadën Botërore. Për Fionën nuk u kujtua askush t’i akordoj “Medaljen e Artë”, për arritjet e saj gjatë gjithë studimeve në arsimin parauniversitar. Këtë vlerësim ajo e ka merituar me punën e saj, me djersën e saj me përkushtimin ndaj dijes. Fiona është shembulli i punës së palodhur, me kokë të ulur dhe modesti, me dëshirë e dashuri për dijen, që sjell si fryt rezultatet më të mira për të. Po cila është arsyeja kryesore që nuk u kujtua askush për të? Ajo është bija e një inxhinieri dhe profesoreshe të lëndës gjuhë letërsi. Që të dy prindërit kanë mundur të edukojnë një vajzë të shkëlqyer, në aspektin shoqëror. Që të dy prindërit kanë qenë shembull i korrektesës dhe ndershmërisë në administratën publike. Që të dy të pushuar nga puna me ardhjen e Rilindjes. Nëna e Fionës, për ironi të fatit është pushuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ndërsa i ati është hequr nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë. I ati i Fionës Agim Parllaku është një prej studentëve të dhjetorit, sikundër mburren edhe Majko e Meta, por ai u dërgua në shtëpi prej një ish-dhjetoristi, për fajin e vetëm se ishte kundërshtar politik i Rilindjes. Po kështu u sollën edhe me të ëmën, e cila, u hoq nga znj. Nikolla, pa asnjë shpjegim, pas asnjë shkak. Prandaj tani ministrja Nikolla, e ka të vështirë të thërras Fionën, ta uroj të mbledh gjithë gazetarët, për të tregua “sesa me kujdes” i trajton ajo maturantët ekselentë. Ministrja e ka të vështirë të pres Fionën, duke qenë se ka hedhur në rrugë nënën e saj. Jo se i vjen turp apo ka droje nga veprimet e saj. Përkundrazi. Ajo kërkon me kokëfortësi, të mos trajtojë siç e meriton fëmijët e armiqve të “Rilindjes” dhe forcës së saj politike. Kryeministri po ashtu nuk do t’ja dijë. Duke qenë i pa interesuar për nxënësit ekselentë dhe me shkollimin e kufizuar që ai e posedon, e ka të vështirë të kuptojë rëndësinë dhe peshën që kanë shembuj të tillë në shoqërinë tonë. Prandaj edhe ministrja Nikolla, edhe shefi i saj Rama, kanë shumë frikë të takohen me Fionën. Ndoshta edhe për faktin se Fiona i vë në siklet, pasi arritjet e saj, mbase ministrja dhe kryeministrja i kanë ëndërruar por nuk kanë mundur t’i arrijnë kurrë.

Sido që të jetë dhe sido të mendosh, Fiona është shembulli jo vetëm për brezin e saj por për të gjithë shoqërinë. Me këmbënguljen, modestinë, qytetarinë që e karakterizon, ajo duhet të shihet si një model për rininë tonë dhe të ardhmen që ajo kërkon të ndërtojë. Fiona është gjithashtu, shembulli i mosmirënjohjes së këtij palo shteti që kemi ndaj të rinjve. Ndërsa flasin, çirren, betohen e përbetohen, se gjithçka po e bëjnë për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, nuk tregojnë as minimumin e respektit për talente të tilla si Fina, Gledisi e shumë të tjerë. Si mund të kërkojmë ne që këta të rinj, të rrinë në vendin tonë, ta respektojnë vendin e tyre, kur ai i injoron dhe i shtyn sa më shumë drejt largimit. Sa vlerë ka në këtë vend një ministër që do t’i harrohet emri shumë shpejt, para një super maturante, që do të mbahet mend shumë gjatë? Kush janë vlerta më të mira për t’u promovuar në shoqërinë tonë, ambiciet, armiqësitë dhe hatër mbetjet e politikës, apo shembujt e të rinjve si Fiona, që kërkojnë e nuk kënaqen me arritjet e tyre të larta?

Por këto e shumë pyetje të tjera nuk kanë rëndësi as për Ramën e as për Nikollën. Por sido që të ndodh Fiona me qetësinë e saj, me modestinë qytetare thellësisht të kultivuar, ka fituar respektin e shoqërisë sonë. Ajo i ka nxjerr si mbreti lakuriq të dy politikanët “që kanë për zemër arsimin”, por kanë frikë nga arritjet e larta të të rinjve tanë. Prandaj nuk është çudi që të burgosurit, narkotrafikantët, mashtruesit dhe manipulatorët, vlerësohen në këtë vend më shumë se të arsimuarit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency